Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka publikuar të mërkurën aktgjykimin e plotë lidhur me ankesën e dorëzuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – që ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit.
Gjykata ka bërë të ditur në vendimin e publikuar ditë më parë se Kuvendi nuk është konstituuar dhe u ka dhënë 12 ditë afat deputetëve që ta finalizojnë procesin, prej ditës së publikimit të plotë të vendimit në faqen e saj.
Aktgjykimi i plotë është publikuar më 8 tetor.
Nga Kuvendi i Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se aktgjykimi i obligon palët që brenda 48 orësh të caktojnë mbajtjen e seancës.
"Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë. Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve", është thënë në vendimin e plotë.
Gjykata ka thënë mes tjerash se "bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, janë votuar dhe zgjedhur në pako. Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit".
Lista Serbe ishte ankuar pikërisht për këtë pikë të procedurës, duke vlerësuar se mosvotimi në pako i dy nënkryetarëve nga pakicat, përbënte shkelje.
Në 3 minuta
Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.
Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga minoriteti joserb, ndërsa asnjëri deputet serb nuk i ka siguruar votat e nevojshme për pozitën e rezervuar për këtë minoritet, pavarësisht disa rundeve të votimit dhe ndryshimit të emrave të kandidatëve.
Pas pranimit të ankesës, Gjykata Kushtetuese pati vendosur një masë të përkohshme, e cila ua ka ndaluar deputetëve të ndërmerrnin veprime drejt formimit të Qeverisë së re, meqë ka pasur dyshime për ndonjë shkelje kushtetuese.
Megjithatë, as në këtë aktgjykim, Kushtetuesja nuk e ka bërë të qartë se çfarë ndodh nëse nënkryetari nga radhët e komunitetit serb nuk zgjidhet me votim të hapur apo me short.
Bugaqku: Aktgjykimi i Kushtetueses nuk është në linjë me aktgjykimet paraprake
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës beson se aktgjykimi i 8 tetorit nuk është në linjë me dy aktvendimet paraprake lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.
“Jam edhe i habitur dhe paksa i çuditur me ndërrimin e standardit të menjëhershëm të Gjykatës Kushtetuese – dhe atë brenda një periudhe kaq të shkurtë”, ka thënë ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Bugaqkut, ky aktgjykim nuk e zgjidh çështjen e bllokimit të konstituimit të Kuvendit.
Si erdhi situata deri këtu?
Në proces e sipër të konstituimit të Kuvendit, kryetari Dimal Basha i ka kërkuar propozimet e partive politike për pesë nënkryetarë të Kuvendit.
Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit përmes një votimi në pako.
Më pas është votuar Emilija Rexhepi nga pakica joserbe.
Kur është kërkuar emri i kandidatit për nënkrytear nga pakica serbe, Lista Serbe e ka propozuar Sllavko Simiqin. Ai nuk i ka siguruar votat e domosdoshme, mirëpo subjekti politik ka insistuar vetëm në këtë emër.
Kryetari Basha, më pas, i ka shfrytëzuar dy mekanizmat debllokues, duke ndjekur procedurën e shortit dhe janë hedhur nga tri herë në votim tetë prej 10 pjesëtarëve të komunitetit serb, meqë dy deputetë kanë refuzuar të kandidohen.
Pavarësisht se asnjëri kandidat nuk i ka marrë votat e nevojshme, Basha ka ardhur në përfundim që Kuvendi është konstitutuar dhe që puna duhet të vazhdojë.
Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar, pa u zgjedhur edhe nënkryetari serb.
"Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë nënkryetarin nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, Kryesia e saj do të ishte e paplotë dhe jokushtetuese. Në këtë kontekst, zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb si anëtar i domosdoshëm i Kryesisë së Kuvendit, është parakusht për konstituimin e Kuvendit".
Në një pikë të aktgjykimit, Gjykata ka përmendur se ekzistojnë raste kur Kuvendi do të mund të vazhdonte punën edhe pa i zgjedhur të gjithë nënkryetarët, mirëpo që ky nuk është as rasti dhe as nuk ka të bëjë me rrethanat konkrete, meqë procesi tani nuk është finalizuar për shkak të mosvotimit të shumicës së deputetëve të zgjedhur të Kuvendit për kandidatët e propozuar, qoftë të propozuar drejtpërdrejt ose përmes shortit.
Në aktgjykimin e plotë, Gjykata ka thënë se bazuar në Kushtetutë dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, respektivisht 61 vota për, dhe propozimi bëhet me shkrim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb.
"Nga si më sipër, Gjykata nënvizon se propozimi për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastin konkret, të komunitetit serb, duhet që të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb".
Në përbërjen e Kuvendit, Lista Serbe i ka nëntë ulëse që janë të rezervuara për komunitetin serb dhe një tjetër e ka fituar Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit.
"Përfaqësimi i komuniteteve që nuk janë shumicë në strukturën e Kryesisë së Kuvendit, është garanci kushtetuese, në mënyrë që edhe komunitetet që nuk janë shumicë, respektivisht, komuniteti serb dhe komunitetet tjera që nuk janë shumicë, të përfshihen në funksionimin e plotë të Kryesisë së Kuvendit duke iu mundësuar atyre që të marrin pjesë në vendimmarrjen e Kryesisë së Kuvendit, në mënyrën e përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit", ka thënë mes tjerash Gjykata në arsyetimin e vendimit të marrë.
Pavarësisht se kanë kaluar muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Kosova vazhdon të mos i ketë institucionet e reja. Partitë më të mëdha shqiptare nuk kanë arritur pajtueshmëri për të çuar procesin përpara dhe për rrjedhojë Gjykata Kushtetuese është detyruar të dalë disa herë me aktgjykime.
Në zgjedhjet parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para dhe i ka fituar 48 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e dyta me 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe me nëntë dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me tetë të tilla.
Ulëset tjera janë të rezervuara për pakicat.
Faktori ndërkombëtar ka bërë disa herë thirrje që Kosova t'i formojë sa më shpejt institucionet e reja.
Më herët gjatë ditës, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë u ka bërë thirrje deputetëve që t’i respektojnë vendimet e Kushtetueses dhe të mos i kenë në plan të parë interesat partiake.