Ndërlidhjet

Deputetët paguhen mbi 1 milion euro për “zero punë”

E përditësuar

Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë për qasjen e deputetëve në drejtim të konstituimit të Kuvendit.
Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë për qasjen e deputetëve në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

Shkurtimisht

  • Në Kosovë, ku paga minimale është 350 euro, deputetët e Kuvendit marrin paga të plota prej muajsh, pa zhvilluar asnjë seancë të rregullt.
  • Njëqind e pesë deputetë të paguar, duke përjashtuar 15 anëtarët e Qeverisë, i kushtojnë buxhetit mbi 200 mijë euro në muaj vetëm për pagat bazë.
  • Ekspertët thonë se ngërçi politik në Kuvend po frenon zhvillimin ekonomik të vendit dhe po pengon përfitimet nga fondet evropiane.

Mbi një milion euro kanë përfituar deputetët e Kuvendit të Kosovës për gati gjysmë viti, pa arritur të konstituojnë Kuvendin dhe pa zhvilluar pothuajse asnjë aktivitet parlamentar, konfirmoi zyra për media e institucionit ligjvënës.

Një situatë e paprecedentë që ngre pyetje serioze mbi përgjegjësinë dhe moralin e përfaqësuesve të qytetarëve.

Sipas Ligjit për pagat në sektorin publik, paga bruto mujore e një deputeti është 1.804 euro, por pas rritjes këtë vit prej 110 eurosh, të miratuar nga Qeveria e Kosovës, paga aktuale është 1.914 euro.

Me 105 deputetë të paguar - duke përjashtuar 15 anëtarët e Qeverisë që nuk marrin paga si deputetë - buxhetit të shtetit i hiqen mbi 200 mijë euro çdo muaj vetëm për pagat bazë.

Nëse kjo shumë llogaritet për periudhën e bllokimit institucional nga 15 prilli deri sot, shpenzimet arrijnë mbi 1 milion euro, pa llogaritur përfitimet e tjera, si shtesat për pjesëmarrje në komisione apo shpenzimet e udhëtimit.

Zyrtarët për media të Kuvendit specifikuan për Radion Evropa e Lirë se shuma e pagave të deputetëve nga 15 prilli deri më 30 shtator ka arritur në 1.156 milion euro.

REL-i kontaktoi edhe disa prej deputetëve, të cilët konfirmuan gjithashtu marrjen e pagës.

“Kjo është publike, mund të kontaktosh edhe Kuvendin, çdo deputet i merr pagat, pavarësisht se a është duke funksionuar apo jo Kuvendi”, tha Rashit Qalaj, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Jemi duke pritur shumë gjatë që Kuvendi të funksionojë, por nuk po i shihet fundi kësaj bllokade”, u shpreh ai.

Pse Kuvendi nuk funksionon?

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nisi më 15 prill, por edhe pas dhjetëra vazhdimeve ajo nuk arriti të përmbyllet, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Kryetari dhe katër nënkryetarë u zgjodhën në fund të gushtit, por nënkryetari i pestë nga komuniteti serb, i kërkuar me ligj, mbetet ende pa u emëruar.

Çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila më 8 tetor publikoi akgjykimin e datës 30 shtator, me të cilin konstatoi se seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar dhe se ajo duhet të përfundojë brenda 12 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi.

Burbuqe Kastrati nga Lëvizja FOL, organizatë që promovon transparencën dhe llogaridhënien në institucionet publike, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo situatë është ligjërisht e justifikueshme, por moralisht e papranueshme.

Sipas saj, marrja e pagës së plotë pa asnjë angazhim praktik tregon nevojën urgjente për rishikimin e ligjit që rregullon përfitimet e deputetëve.

“Për shembull, mund të vendosen kufizime për periudhat kur konstituimi dhe puna e Kuvendit zvarriten”, shpjegon Kastrati.

Edhe profesori i Ekonomisë, Shkumbin Misini, e konsideron këtë situatë të padrejtë dhe të pandershme.

“Ligji duhet ndryshuar menjëherë, në mënyrë që shpërblimi të lidhet me prezencën, punën dhe rezultatet. Asnjë punë, asnjë pagesë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Misini shton se në një vend të varfër si Kosova, ku paga minimale është 350 euro, nuk është e drejtë që një deputet të paguhet gjashtëfish më shumë dhe aq më tepër për “zero punë”.

Kastrati vlerëson se heqja dorë vullnetare nga paga do të ishte një shembull pozitiv për integritetin e Kuvendit. Por deri më sot, sipas saj, asnjë deputet nuk ka bërë një veprim të tillë.

Nga Kuvendi i Kosovës konfirmuan gjithashtu - “asnjë deputet nuk ka hequr dorë nga paga, me përjashtim të deputetëve që mbajnë pozita në ekzekutiv”.

Përfitimet e deputetëve shkojnë përtej pagës bazë

Çështja e pagave të deputetëve rregullohet nga Ligji për pagat në sektorin publik, i cili u garanton atyre jo vetëm pagë bazë, por edhe një sërë përfitimesh shtesë.

Deputetët, mes tjerash, marrin shtesa për pjesëmarrje në seanca plenare dhe komisione, të cilat mund të arrijnë deri në 30 për qind të pagës bazë, si dhe kompensime për udhëtime dhe shpenzime të tjera.

Buxheti i shtetit, gjithastu, mbulon pagat e asistentëve personalë të deputetëve, të cilët konsiderohen staf mbështetës politik.

Sipas Rregullores për shtesa mbi pagën bazë për deputetë dhe për klasifikimin e pagës për stafin mbështetës politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës, asistenti i një deputeti ka pagë bazë me koeficient 5.8, plus një shtesë prej 30 për qind mbi këtë shumë.

Në total, paga mujore e një asistenti arrin në rreth 900 euro.

Humbjet ekonomike nga mosveprimi i deputetëve

Ndërsa paga e deputetëve mbetet temë e diskutueshme, ekspertët theksojnë se humbjet më të mëdha për Kosovën nuk janë vetëm financiare.

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Radion Evropa e Lirë se, edhe pse kostoja mujore për pagat e deputetëve është e lartë, ajo është e papërfillshme krahasuar me dëmet që po i shkakton vendit bllokimi institucional.

“Humbja më e madhe nuk lidhet me pagat e tyre, por me pasojat financiare dhe politike që po shkakton moskonstituimi i Kuvendit”, thekson Jakaj.

Sipas tij, mungesa e funksionimit të Kuvendit ka bllokuar miratimin e marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa tashmë janë shfaqur probleme serioze edhe në përgatitjen e buxhetit për vitin e ardhshëm.

Një nga pasojat më të mëdha, shton ai, është humbja e mundësisë për të përfituar nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, me vlerë rreth 860 milionë euro për Kosovën.

Jakaj thekson se shtetet e tjera të rajonit tashmë kanë filluar të përfitojnë nga këto fonde të BE-së, ndërsa Kosova po mbetet prapa, pasi nuk ka Kuvend të konstituuar që do ta miratonte marrëveshjen.

Të njëjtin shqetësim e ndan edhe Misini, i cili e quan situatën “të papranueshme dhe skandaloze”.

“Në këtë gjendje, deputetët nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të tejkaluar bllokadën, duke rrezikuar fondet e BE-së që mund të ndihmonin zhvillimin ekonomik të vendit, i cili tashmë është në ngadalësim”, thotë Misini.

Tendencën e ngadalësimit ekonomik në Kosovë e konfirmojnë edhe të dhënat e Bankës Botërore, sipas të cilave, parashikimet për rritje ekonomike kanë rënë në 3.8 për qind këtë vit, nga 4.4 për qind sa ishin vitin e kaluar.

Derisa pritet konstituimi i Kuvendit, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, Kosova do të mbajë këtë fundjavë edhe zgjedhjet lokale.

Për bllokadën e krijuar, politikanët akuzojnë njëri-tjetrin dhe justifikojnë veprimet e veta.

*Versioni fillestar i këtij artikulli është përditësuar me përgjigjet e marra nga Kuvendi i Kosovës.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG