Ndërlidhjet

Kurti fton LDK-në për koalicion me LVV-në


Albin Kurti në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Albin Kurti në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), më 5 maj, përmes së cilës e ka ftuar për marrëveshje politike mes dy partive.

Kurti e ka ftuar Lumir Abdixhikun që LVV-ja dhe LDK-ja të bëjnë koalicion qeverisës, i cili do t’i hapte rrugë zhbllokimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Letra, të cilën Radio Evropa e Lirë e ka siguruar, u bë publike pas dështimit të përpjekjes së njëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit.

Disa orë pas dërgimit të letrës nga Kurti, Abdixhiku ka thënë se partia e tij do t'i përgjigjet asaj zyrtarisht.

Duke folur para gazetarëve, ai ka thënë se letrën nuk e ka parë ende, por se do të kthejë përgjigje "me kohë".

Ai i ka kërkuar anëtarëve të partisë së tij që "gjendjen e tanishme ta trajtojnë pa arrogancë shumë".

Letra e Kurtit për Abdixhikun, më 5 maj 2025.
Letra e Kurtit për Abdixhikun, më 5 maj 2025.

Në letrën e tij, Kurti ka shkruar se është "i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në".

Kurti i ka thënë Abdixhikut se "koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime", teksa ka shkruar se ka bindjen që "votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV".

"Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë", është shprehur Kurti në letrën drejtuar Abdixhikut.

Kreu i LVV-së, në letër, nuk e ka përjashtuar as gatishmërinë e partisë së tij për shkuarje në zgjedhje të reja, por ka thënë se edhe ato do të çonin drejt një koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së.

"Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash?", e ka pyetur Kurti, Abdxhikun.

Letra e tretë: Kurti e fton LDK-në në bashkëqeverisje
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:30 0:00

Sociologu dhe analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se mënyra e formulimit të letrës së kreut të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), “është jashtëzakonisht dinake”.

Sipas tij, kjo letër është më shumë një veprim formal, me synimin për të përmirësuar imazhin bashkëpunues në opinionin publik, sesa që ka një peshë reale dhe konkrete.

Intervista e plotë:

Muhaxhiri: Letra e Kurtit për LDK-në është “dinake”, synon përmirësimin e imazhit publik
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:07:15 0:00

Të hënën, për të njëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Ligjbërësit refuzuan për të tretën herë rresht që ta formojnë një komision për votimin e fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.

Në vazhdimin e seancës konstituive, të hënën, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Seanca konstituive do të vazhdojë të mërkurën, në orën 10:00.

Deputetë të partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë thonë se është jokushtetuese mënyra se si Lëvizja Vetëvendosje (LVV) po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se deputetët mund t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, por në gjashtë votime, kandidatja e saj, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme, përkatësisht 61.

Partitë që po kundërshtojnë emrin e Haxhiut për kryeparlamentare i kanë kërkuar LVV-së të ndryshojë propozimin për postin, në mënyrë që procesi të zhbllokohet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG