Muhaxhiri: Letra e Kurtit për LDK-në është “dinake”, synon përmirësimin e imazhit publik
Sociologu dhe analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se mënyra e formulimit të letrës së kreut të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), “është jashtëzakonisht dinake”. Sipas tij, kjo letër është më shumë një veprim formal, me synimin për të përmirësuar imazhin bashkëpunues në opinionin publik, sesa që ka një peshë reale dhe konkrete. Më 5 maj, kryetari i LVV-së dhe njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, përmes së cilës e fton për një marrëveshje politike mes dy partive. Letra, të cilën e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, u bë publike pas dështimit të njëmbëdhjetë përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit. Kurti i ka thënë Abdixhikut se "koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime", teksa ka shkruar se ka bindjen që "votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV". Muhaxhiri, në intervistën për Radion Evropa e Lirë, flet gjithashtu edhe për mënyrat e mundshme të ndërtimit të besimit të ndërsjellë mes këtyre dy partive.