BE godet me sanksione më të fuqishmit e Rusisë
Bashkimi Evropian ka prezantuar sanksione të pashembullta kundër figurave dhe kompanive më të fuqishme të Rusisë.
Të hënën është prezantuar lista me 26 individë që përballen me sanksione.
Aty përfshihen:
- Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov
- Alexander Ponomarenko, udhëheqës i bordit të Aeroportit Ndërkombëtar Sheremetyevo në Moskë
- Igor Sechin, udhëheqësi i kompanisë shtetërore të naftës, Rosneft
- Nikolay Tokarev, udhëheqës i Transneft, kompanisë më të madhe në botë për gazsjellës
- Disa prezantues dhe gazetarë të mediave shtetërore ruse
BE do të sanksionojë edhe Kompaninë e Industrisë së Sigurimit të Gazit në Moskë, e cila besohet se ka ndihmuar Rusinë në aneksimin e Gadishullit ukrainas të Krimesë më 2014.
Meta bllokon qasjen në media ruse brenda BE-së
Meta, kompania amë e Facebook-ut, ka thënë se do të kufizojë qasjen në mediat shtetërore ruse, RT dhe Sputnik në platformën e saj përreth Bashkimit Evropian.
Nick Clegg nga Meta, ka thënë se kjo kompani ka marrë kërkesa nga disa qeveri dhe Bashkimi Evropian për të marrë hapa lidhur me mediat e kontrolluara nga Rusia në platformat e saj.
Clegg ka thënë se Meta do të vazhdojë të punojë nga afër me qeveritë për këtë çështje.
Bashkimi Evropian ka thënë të dielën se do të ndalojë transmetimin e televizionit shtetëror rus, RT dhe agjencisë së lajmeve, Sputnik.
Edhe operatorët kanadezë kanë thënë se do të bllokojnë qasjen e kanalit, RT.
Aktiviteti i këtyre mediave në platformat e rrjeteve sociale është bërë temë diskutimi për kompanitë e mëdha teknologjike gjatë pushtimit të Ukrainës, veprim që Moska e ka quajtur “operacion special”.
Meta, Microsoft dhe kompania amë e platformave Google dhe YouTube kanë marrë masa së fundi për të kufizuar mediat ruse që të fitojnë para nga reklamat në këto rrjete.
Rusia e quan armiqësor dëbimin e diplomatëve nga SHBA-ja
Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anatoly Antonov, e ka quajtur armiqësor vendimin e Shteteve të Bashkuara për dëbimin e 12 anëtarëve të misionit diplomatik rus në Kombet e Bashkuara.
“Kjo është një lëvizje armiqësore kundër shtetit tonë”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se Moska është “thellësisht e zhgënjyer".
Një zëdhënëse e misionit amerikan në OKB tha se ata që u urdhëruan të largoheshin kishin "abuzuar me privilegjet e tyre të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara duke u përfshirë në aktivitete spiunazhi që janë të dëmshme për sigurinë kombëtare".
Zelenskyi kërkon ndalimin e Rusisë në të gjitha aeroportet dhe portet globale
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyi, kërkoi një ndalim global të avionëve dhe anijeve ruse si ndëshkim për sulmin ndaj vendit të tij.
"Ne duhet të mbyllim hyrjen për këtë shtet në të gjitha portet, të gjitha kanalet dhe të gjitha aeroportet e botës," tha ai në Facebook dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që "të konsiderojë një mbyllje totale të qiellit për raketat, avionët dhe helikopterët rusë".