Ndërlidhjet

SHBA dëbon 12 diplomatë të misionit rus në OKB


Zëvendës-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Richard Mills. Fotografi nga arkivi.
Zëvendës-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Richard Mills. Fotografi nga arkivi.

Dymbëdhjetë anëtarë të misionit diplomatik rus në Kombet e Bashkuara kanë marrë kërkesë për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara deri më 7 mars, për shkak të përfshirjes në aktivitete jodiplomatike.

“Këtyre diplomatëve që u është kërkuar të largohen nga Shtetet e Bashkuara, janë përfshirë në aktivitete që nuk kanë qenë në përputhje me përgjegjësitë dhe obligimet që kanë si diplomatë”, ka thënë zëvendës-ambasadori amerikan, Richard Mills për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pa dhënë hollësi tjera.

Mills ka thënë se atyre u është kërkuar të largohen “në mënyrë që të mos dëmtojnë sigurinë kombëtare të vendit nikoqir”, duke shtuar se vendimi është marrë në përputhje të plotë me marrëveshjet e selisë së OKB-së.

SHBA nuk e ka lidhur drejtpërdrejt dëbimin me pushtimin në Ukrainë, mirëpo zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë se Uashingtoni do të flasë më shumë për dëbimet së shpejti.

Si e dëmton Rusinë përjashtimi nga sistemi SWIFT? Si e dëmton Rusinë përjashtimi nga sistemi SWIFT?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:32 0:00

Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia e ka quajtur këtë vendim si “shkelje” të marrëveshjes së OKB-së me SHBA-në si shtet nikoqir i Kombeve të Bashkuara.

Ndaj vendimit ka reaguar edhe Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anatoly Antonov.

“Kjo është një lëvizje armiqësore kundër shtetit tonë”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se Moska është “thellësisht e zhgënjyer.

Ky vendim është bërë i ditur në ditën e njëjtë kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka nisur një debat të jashtëzakonshëm për rezolutën ndaj “agresionit” të Moskës në Ukrainë.

“Luftimet në Ukrainë duhet të ndalen”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

“Mjaft është mjaft. Ushtarët duhet të kthehen në barakat e tyre. Liderët duhet të drejtohen nga paqja. Civilët duhet të mbrohen”, ka thënë Guterres.

Përfaqësues të më shumë se 100 shteteve pritet të flasin teksa ky institucion global debaton për rezolutën, e cila i kërkon Rusisë të tërheqë menjëherë trupat nga Ukraina.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG