Çfarë ka ndodhur sot?
Nata ka rënë në Ukrainë pas ditës së pestë të pushtimit.
Zhvillimet kryesore të ditës kanë qenë këto:
- Sirenat janë dëgjuar sërish në Kiev dhe banorët janë strehuar në ambiente nëntokësore si garazhe apo metro, pas raportimeve për sulme të reja ruse në afërsi të kryeqytetit ukrainas
- Negociatorët nga Kievi dhe Moska kanë zhvilluar bisedime në Bjellorusi me qëllim të dhënies fund të konfliktit. Rusia ka thënë se të dyja palët janë pajtuar për të zhvilluar diskutime dhe do të takohen sërish “në ditët në vijim”
- Para atij takimi, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje trupave ruse që të ulin poshtë armët dhe ka kërkuar anëtarësim të menjëhershëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian
- Kompania Shell ka njoftuar se do të shesë të gjitha sipërmarrjet e përbashkëta që ka me kompaninë ruse të energjisë Gazprom, pas pushtimit rus në Ukrainë
- Kombet e Bashkuara kanë thënë që më shumë se gjysmë milioni refugjatë kanë ikur nga Ukraina drejt shteteve fqinje
- Sanksionet ekonomike globale kanë ndikuar që Rusia të rrisë normën e interesit në 20 për qind – më shumë sesa dyfish – në përpjekje për të ndalur zhvlerësimin e rublës.
- Federata Botërore e Futbollit (FIFA) dhe Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) kanë pezulluar klubet ruse dhe ekipet kombëtare ruse nga të gjitha garat.
Në Harkiv raportohet për dhjetëra viktime civile
Ministri i Brendshëm ukrainas ka thënë se dhjetëra civilë janë vrarë pas sulmeve në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv, më 28 shkurt. Beteja për të fituar kontrollin e këtij qyteti verilindor është bërë ndër më të ashprat, prej kur Rusia ka nisur pushtimin në Ukrainë. Analisti i sigurisë, Ruslan Leviyev ka thënë për televizionin, Current Time se forcat ruse kanë shtuar sulmet me raketa pasi ofensiva tokësore ka ngecur.
Gjermania dërgon aeroplanë ushtarakë afër Detit Baltik
Gjermania është duke dërguar aeroplanë ushtarakë Tornado dhe avionë patrullues detarë në zonën e Detit Baltik, ka thënë misioni i Gjermanisë në NATO.
Një zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes në Berlin ka thënë se nuk mund të japë detaje për shkak të çështjeve të sigurisë, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.
Më herët gjatë ditës, marina gjermane ka dërguar gjashtë anije luftarake shtesë, katër prej tyre në Detin Baltik.
SHBA dëbon 12 diplomatë të misionit rus në OKB
Dymbëdhjetë anëtarë të misionit diplomatik rus në Kombet e Bashkuara kanë marrë kërkesë për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara deri më 7 mars, për shkak të përfshirjes në aktivitete jodiplomatike.
“Këtyre diplomatëve që u është kërkuar të largohen nga Shtetet e Bashkuara, janë përfshirë në aktivitete që nuk kanë qenë në përputhje me përgjegjësitë dhe obligimet që kanë si diplomatë”, ka thënë zëvendës-ambasadori amerikan, Richard Mills për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pa dhënë hollësi tjera.
Mills ka thënë se atyre u është kërkuar të largohen “në mënyrë që të mos dëmtojnë sigurinë kombëtare të vendit nikoqir”, duke shtuar se vendimi është marrë në përputhje të plotë me marrëveshjet e selisë së OKB-së.
Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia e ka quajtur këtë vendim si “shkelje” të marrëveshjes së OKB-së me SHBA-në si shtet nikoqir i Kombeve të Bashkuara.
Ky vendim është bërë i ditur në ditën e njëjtë kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka nisur një debat të jashtëzakonshëm për rezolutën ndaj “agresionit” të Moskës në Ukrainë.
“Luftimet në Ukrainë duhet të ndalen”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
“Mjaft është mjaft. Ushtarët duhet të kthehen në barakat e tyre. Liderët duhet të drejtohen nga paqja. Civilët duhet të mbrohen”, ka thënë Guterres.