Izraeli ka pretenduar se sulmet ajrore të ndërmarra më 13 qershor kanë vrarë katër gjeneralë të lartë të ushtrisë iraniane, përfshirë tre prej tyre nga Garda Revolucionare Islamike, forca ushtarake më e fuqishme në vend.
Sipas autoriteteve izraelite, këto sulme të paprecedent synuan objektet bërthamore të Iranit, fabrikat e raketave balistike dhe komandantë ushtarakë, me qëllimin për të penguar Teheranin të zhvillojë një armë bërthamore.
Më poshtë janë të dhënat për katër gjeneralët që raportohet se janë vrarë:
Hossein Salami
Gjeneralmajor Hossein Salami ka qenë komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare që nga viti 2019.
Ai ndodhej nën sanksione ndërkombëtare që nga viti 2006, si "person i përfshirë në programin iranian të raketave balistike", sipas një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Salami ndodhej gjithashtu në listat e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Zvicrës, Australisë dhe Japonisë.
Mohammad Baqeri
Gjeneralmajor Mohammad Baqeri ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit që nga viti 2016, dhe zyrtarisht figura e dytë më e fuqishme në ushtri, pas liderit suprem, ajatollahut Ali Khamenei.
Ai u ngrit në radhët e Gardës Revolucionare, që dominon strukturat më të larta të ushtrisë iraniane, dhe kontrollon planifikimin, operacionet, inteligjencën, operacionet e fshehta dhe jo të rregullta, si dhe sigurinë e brendshme.
Garda Revolucionare është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
Gholam Ali Rashid
Gjeneralmajor Gholam Ali Rashid ishte zëvendëskomandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Iranit dhe konsiderohej si një nga figurat më të respektuara ushtarake në vend.
Që nga viti 2015, ai drejtonte shtabin qendror të Khatam-ol-Anbia, njësinë më të lartë operacionale të ushtrisë iraniane.
Që nga viti 2016, ky shtab është ndarë nga Shtabi i Përgjithshëm, dhe ka marrë përsipër komandën dhe kontrollin operacional.
Amir Ali Hajizadeh
Gjeneral brigade Amir Ali Hajizadeh ishte komandant i Forcës Ajrore të Gardës Revolucionare që nga viti 2009.
Nën sanksione të SHBA-së që nga viti 2019, Hajizadeh ishte një figurë kyç në programin e raketave dhe dronëve të Iranit, dhe luajti një rol qendror në operacionet e fundit kundër Izraelit.
Ai u bë fytyrë e njohur ndërkombëtarisht kur doli drejtpërdrejt në televizion për të pranuar se Garda Revolucionare kishte rrëzuar gabimisht avionin e fluturimit 752 të linjës Ukraine International Airlines, në janar të vitit 2020, duke fajësuar “gabimin njerëzor”.