Irani ka lëshuar raketa drejt Izraelit në kundërpërgjigje ndaj sulmeve intensive të kryera nga Izraeli ndaj objekteve bërthamore dhe bazave ushtarake të Iranit të premten në mbrëmje.
Më pas, një zëdhënës i ushtrisë izraelite deklaroi se Irani ka lëshuar më pak se 100 raketa.
Shumica prej tyre, pretendoi ai, janë rrëzuar apo nuk kanë arritur caqet.
“Një numër i kufizuar i ndërtesave janë goditur, disa si rezultat i mbetjeve nga raketat e rrëzuara nga sistemet kundërajrore”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee përmes një postimi në X.
Paraprakisht, ushtria izraelite deklaroi përmes një postimi në po të njëjtën platformë se "civilët izraelitë aktualisht janë duke u shënjestruar nga regjimi iranian. Bota nuk mund të rri e heshtur".
Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi Iranin që të arrijë një marrëveshje bërthamore “para se të jetë tepër vonë”.
Ndërkohë, zyrtarë amerikanë thanë për agjencitë e lajmeve se sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore të SHBA-së po ndihmojnë në rrëzimin e raketave që Irani ka lëshuar në shenjë hakmarrjeje ndaj Izraelit.
Sirenat për sulme ajrore dhe shpërthime të fuqishme u dëgjuan në Jerusalem dhe Tel Aviv të premten mbrëma.
Disa minuta më vonë u pa tym mbi qiellin e Tel Avivit. Sipas mediave iraniane, qindra raketa balistike janë lëshuar nga Irani drejt Izraelit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve intensive ajrore të kryera nga Izraeli.
Pas sulmit, lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se Izraeli ka “iniciuar një luftë” dhe nuk do të lejojë që Izraeli të kryejë sulme pa u përballur me pasoja të rënda.
“Izraeli nuk mund të kalojë pa bartur pasoja për krimet e tij. Shteti iranian duhet të sigurohet që përgjigja jonë nuk do të jetë gjysmake”, tha Khamenei përmes një deklarate.
Sulmet iraniane drejt Izraelit vijnë pasi ky i fundit kreu valën e dytë të sulmeve gjatë së premtes, duke shënjestruar Teheranin, Komin dhe Karaxhin.
Uzina për pasurimin e uraniumit Fordov gjendet në periferi të Komit, por ende nuk ka konfirmim nëse kjo ndërtesë bërthamore është sulmuar, tha televizioni izraelit, Channel 13.
Sipas reporterëve izraelitë, qëllimi është që të vazhdohen sulmet ndaj bazave ushtarake iraniane, në mënyrë që të shkatërrohen raketat dhe që Iranit të privohet nga çdo aftësi ushtarake për një kundërsulm ndaj Izraelit.
Izraeli nisi sulmet mëngjesin e së premtes, duke shënjestruar objektet bërthamore iraniane dhe në pjesë të tjera në të gjithë Iranin, duke i vrarë gjeneralë e zyrtarë të lartë ushtarakë, dhe duke e rritur mundësinë për një luftë të përgjithshme midis dy vendeve rivale në Lindjen e Mesme.
Irani u përgjigj valës së parë të sulmeve, duke i lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa ndaj objekteve izraelite. Ushtria e Jordanisë tha se ka rrëzuar disa prej tyre në hapësirën e vet ajrore.
Ndër objektet e goditura në valën e parë të sulmeve në Iran ishte edhe një komandë e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli kreu një operacion ushtarak, synimi i të cilit ishte “frenimi i kërcënimit të Iranit ndaj vetë mbijetesës së Izraelit”.
Ai tha se sulmi “do të vazhdojë derisa të eliminohet ky kërcënim”.
“Ne goditëm në zemër të programit të Iranit për pasurimin bërthamor. Në shënjestër ishin objekti kryesor i pasurimit të uraniumit i Iranit në Natanz... Gjithashtu goditëm në zemër të programit iranian të raketave balistike”, tha ai në një deklaratë me video.
Ushtria izraelite tha se rreth 200 avionë luftarakë morën pjesë në sulmet masive, dhe televizioni izraelit raportoi se agjencia e inteligjencës, Mossad, mund të ketë ngritur një bazë sekrete brenda Iranit si pjesë e këtij operacioni.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda për shkak të këtyre sulmeve.
“Me këtë krim, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm dhe do ta marrë atë pa dyshim”, tha Khamenei në një deklaratë.
Njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës për qytetarët e Kosovës në Izrael
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, të premten, ka lëshuar një komunikatë duke këshilluar të gjithë qytetarët e Kosovës që ndodhen aktualisht në Izrael që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në vende të sigurta.
Ky njoftim vjen pas përkeqësimit të situatës së sigurisë në Izrael dhe në rajon.
Ministria u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes së Brendshme të Izraelit, të cilat mund t’i gjeni në linkun: https://www.oref.org.il/eng
Po ashtu, Ministria njofton se për çdo pyetje apo nevojë për ndihmë, qytetarët mund të kontaktojnë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael në numrin: +972 (0) 586 340 450
Objekti bërthamor Natanz dhe ai në Isfahan në shënjestër të sulmeve
Objekti për pasurimin e uraniumit në Natanz u godit "disa herë", raportoi televizioni shtetëror, duke treguar pamje me tym të dendur që ngrihej nga vendi i ngjarjes.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) konfirmoi se Natanz ishte cak i sulmeve, por tha se nuk ka vërejtur nivele të rritura të rrezatimit në vend. Dy objekte të tjera të lidhura me programin bërthamor iranian – Isfahani dhe Fordov – nuk janë prekur, tha agjencia pas valës së parë të sulmeve.
Izraeli gjithashtu sulmoi shkencëtarë bërthamorë iranianë “që punonin për zhvillimin e bombës iraniane”.
Por, pas valës së dytë të sulmeve, Izraeli tha se ka goditur ndërtesën bërthamore në Isfahan.
“Ne tani mund të konfirmojmë se ushtria izraelite ka kryer sulm ndaj centralit bërthamor në Isfahan. Ky është një operacion shtesë, përveç se në Natanz”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Nadav Shoshani.
Një zyrtar izraelit tha se Izraeli goditi dhjetëra objekte në të gjithë Iranin, duke e rritur mundësinë e një lufte të përgjithshme mes dy vendeve.
Në një deklaratë pas sulmeve, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) pohuan se Irani është "afër arritjes në pikën e pakthyeshme" në përpjekjet e tij për ta zhvilluar një armë bërthamore.
“Regjimi po prodhon mijëra kilogramë uranium të pasuruar, krahas objekteve të shpërndara dhe të fortifikuara për pasurim, në vende nëntokësore të mbrojtura,” thuhej në deklaratë.
Zona të banuara në Teheran dhe në disa qytete të tjera u goditën gjithashtu, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA, e cila raportoi se sulmet shkaktuan vdekjen e disa njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë, në një kompleks banimi në Teheran.
Irani hakmerret përmes sulmeve me dronë
Izraeli tha mëngjesin e së premtes se Irani nisi rreth 100 dronë drejt tij si hakmarrje, por nuk tregoi nëse kishte goditje të drejtpërdrejta apo dëme.
“Irani nisi afërsisht 100 UAV [dronë] drejt territorit izraelit, të cilët jemi duke u përpjekur t’i kapim”, tha zëdhënësi ushtarak, Effie Defrin, duke shtuar se sulmet e Izraelit ndaj Iranit përfshinë 200 avionë luftarakë që goditën rreth 100 objektiva në të gjithë Iranin.
Disa vende të Lindjes së Mesme mbyllën hapësirën e tyre ajrore, dhe agjencia shtetërore e lajmeve e Jordanisë raportoi se një numër raketash dhe dronësh që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore u rrëzuan.
SHBA-ja, aleati më i ngushtë i Izraelit, mbrojti veprimet izraelite, por deklaroi se Uashingtoni nuk u përfshiri në sulme.
Më vonë, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se shteti i tij kishte ditur gjithçka për sulmet izraelite ndaj Iranit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Izraeli ndërmori “veprim të njëanshëm kundër Iranit” dhe se Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë.
Izraeli kishte njoftuar Uashingtonin se besonte se sulmet ishin të nevojshme për vetëmbrojtje, tha Rubio në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë masa për t’i mbrojtur forcat e tyre dhe kanë mbajtur kontakt me partnerët në rajon, tha Rubio, duke paralajmëruar Iranin që të mos ua mësyjë interesave apo personelit amerikan.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, shpalli “gjendje të veçantë” në vend në pritje të një sulmi të mundshëm hakmarrës nga Irani.
“Pas sulmit parandalues nga Shteti i Izraelit kundër Iranit, pritet në një afat të menjëhershëm një sulm me raketa dhe UAV (dronë) kundër Shtetit të Izraelit dhe popullatës së tij civile”, tha Katz në një deklaratë.
Kompania ajrore izraelite, El Al, njoftoi se ka pezulluar të gjitha fluturimet për dhe nga Izraeli, ndërsa media shtetërore iraniane raportoi se Irani ka mbyllur hapësirën ajrore deri në një njoftim të radhës. Edhe Iraku mbylli hapësirën e tij ajrore dhe pezulloi fluturimet në të gjitha aeroportet, sipas mediave shtetërore.
Netanyahu e kishte ngritur mundësinë e sulmeve kundër Iranit në një bisedë telefonike me Trumpin më herët këtë javë, sipas gazetës Wall Street Journal.
Trump tha se i kishte bërë thirrje Netanyahut të përmbahej nga veprime të tilla tani për tani, derisa administrata e tij po negocionte me Iranin për programin bërthamor.
“Përderisa mendoj se ka [mundësi për] marrëveshje, nuk dua që ata të ndërhyjnë, sepse mendoj se do të prishin punë”, tha Trump.
Në rrjetin e tij Truth Social, të enjten vonë, Trump shkroi se Shtetet e Bashkuara ende dëshirojnë të negociojnë me Iranin, megjithëse paralajmëroi gjithashtu se një sulm izraelit ndaj Iranit është i mundshëm.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një zgjidhjeje diplomatike për çështjen bërthamore iraniane! E gjithë administrata ime është udhëzuar të negociojë me Iranin”, tha Trump.
Megjithatë, Trump shtoi se Teherani “duhet fillimisht të heqë dorë plotësisht nga shpresat për të zhvilluar armë bërthamore”.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar bisedime për programin bërthamor iranian, me synimin për të arritur një zgjidhje diplomatike. Rundi i gjashtë i bisedimeve është planifikuar të nisë më 15 qershor në Oman. Irani ka pohuar vazhdimisht se përpjekjet e tij bërthamore janë vetëm për qëllime civile dhe jo ushtarake.
Të enjten, Bordi i Guvernatorëve i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) e miratoi një rezolutë, e cila deklaroi zyrtarisht se Irani i ka shkelur detyrimet e tij për mospërhapjen e armëve bërthamore.
Kjo është hera e parë që nga viti 2005 që kjo agjenci e OKB-së e shpall Iranin si shtet që nuk respekton obligimet bërthamore. Ky vendim është dënuar nga Teherani.
Rezoluta u miratua me 19 vota pro, 3 kundër dhe 11 abstenime në bordin prej 35 anëtarësh. Rezoluta ishte propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë – Britania, Franca dhe Gjermania, të njohura si E3.
Si përgjigje, Ministria e Jashtme e Iranit njoftoi se do të krijohet një objekt i ri për pasurimin e uraniumit në një zonë të sigurt dhe centrifugat e gjeneratës së parë (IR-1) në objektin Fordow do të zëvendësohen me makineri të përparuara të gjeneratës së gjashtë (IR-6).
“Siç e kemi deklaruar më parë, Republika Islamike e Iranit nuk ka tjetër zgjidhje përveçse të përgjigjet ndaj kësaj rezolute politike”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.