“Pika që mbush kupën” - kështu e përshkruan Markoja nga Graçanica paralajmërimin për integrimin e institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës.
“Qëndrimi im është i qartë: fëmijët nuk do t’i dërgoj në shkollë të sistemit të Kosovës. Në momentin kur arsimi të integrohet, unë do t’i çregjistroj nga shkolla dhe do t’i çoj në Serbi”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Edhe pse disa politikanë kosovarë premtojnë se komuniteti serb do të konsultohet për këtë proces, Markoja mendon se integrimi i këtyre dy sektorëve, është i pamundur pa dëmtuar fëmijët që shkollohen ose pacientët që trajtohen në institucionet që funksionojnë sipas sistemit serb.
Pas luftës së vitit 1999, Serbia i zhvendosi institucionet e saj arsimore dhe shëndetësore në zonat me shumicë serbe të Kosovës.
Ato vazhdojnë të funksionojnë edhe sot: ambulanca lokale, shtëpi të shëndetit, Qendra Klinike në Graçanicë dhe në Mitrovicë të Veriut, si dhe Qendra Shëndetësore në Pasjan, afër Gjilanit.
Në të njëjtën mënyrë funksionojnë edhe kopshte, shkolla fillore e të mesme, si dhe Universiteti në Mitrovicën e Veriut, ku mësimi bëhet sipas programeve të Serbisë.
Dejani nga Graçanica mendon se është e papërgjegjshme që disa politikanë përmendin publikisht integrimin, pa sqaruar se si do të bëhej, kush do të merrte pjesë në proces dhe çfarë modeli do të ndiqej.
“Qartazi, e gjithë kjo që po ndodh, nuk ka të bëjë fare me demokracinë, sepse askush nuk pyet asgjë. Për ne do të ishte më mirë që së paku arsimi dhe kujdesi shëndetësor të mbeteshin siç janë”, thotë ai.
Dejani shfaq shpresën se Beogradi zyrtar dhe bashkësia ndërkombëtare “do ta marrin seriozisht” mundësinë e, siç thotë, “krijimit të një hapësire etnikisht të pastër”.
Pensionistët Dobrilla dhe Sllobodani janë gjithashtu të shqetësuar, sepse besojnë se mundësitë e tyre për trajtim do të jenë më të kufizuara.
“Si për të gjithë, ashtu edhe për ne”, shprehen ata.
Një banore e Mitrovicës së Veriut, që nuk dëshiron të identifikohet fare, beson se marrëveshja për integrim është arritur tashmë mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe se askush nuk do t’i kërkojë mendim popullit.
“Do t’i pranojmë ndoshta të gjitha, siç kemi pranuar kartat e identitetit, pasaportat, targat e veturave dhe regjistrimin e popullsisë”, thotë ajo.
Rashiq: Duhen konsultime me përfshirjen edhe të Listës Serbe
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës në detyrë, Nenad Rashiq, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se integrimi i arsimit dhe shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës është një proces që duhet të ndodhë, por vetëm pas konsultimeve dhe harmonizimit të qëndrimeve, në mënyrë që të mos ketë “pasoja të dhimbshme” për komunitetin serb.
Ai tha se do të konsultohet edhe me Listën Serbe - partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
Kjo parti tashmë është shprehur kundër integrimit të sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Kosovës.
Zyrtarë të saj kanë thënë se këto fusha nuk kanë qenë pjesë e negociatave në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ndaj nuk do të lejojnë integrimin e tyre.
Rregullimi i shëndetësisë dhe arsimit është përmendur në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013.
Ky asociacion, mes tjetash, do të duhej të rregullonte funksionimin e institucioneve serbe në Kosovë dhe marrjen e financave nga buxheti i Serbisë.
Megjithatë, Kosova refuzon ta formojë, me shpjegimin se do të minonte ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
Pas përpjekjeve të gjata dhe të dështuara të bashkësisë ndërkombëtare për t’i harmonizuar qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit për këtë çështje, BE-ja, në fund të tetorit të vitit 2023, ka njoftuar se u ka dorëzuar palëve një “draft-statut modern” për formimin e Asociacionit, i cili është mbështetur edhe nga vendet tjera perëndimore: SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Italia.
Sipas këtij draft-statuti, i cili nuk është publikuar, por në të cilin REL-i ka pasur qasje, institucionet arsimore dhe shëndetësore që funksionojnë në Kosovë sipas sistemit të Serbisë, duhet të bëhen private nën ombrellën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia do të jepte kontribut financiar.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua BE-së dhe vendeve të QUINT-it - SHBA-së, Britanisë së Madhe, Italisë, Gjermanisë dhe Francës - me pyetjen se a e mbështesin ende formimin e Asociacionit dhe cili është qëndrimi i tyre në lidhje me integrimin e arsimit dhe sistemit serb shëndetësor në sistemin e Kosovës.
Përgjigje mori vetëm nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ku u tha se ambasadori në largim, Jorn Rohde, ka komentuar tashmë mbi këtë çështje.
Bëhet fjalë për një reagim ndaj deklaratave të Listës Serbe, se çështjet e shëndetësisë dhe arsimit nuk janë diskutuar brenda dialogut.
Rohde tha se një gjë e tillë, thjesht, nuk është e vërtetë.
Sipas tij, Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 përfshin gjashtë pika që lidhen me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe se Marrëveshja e fundit e Ohrit e vitit 2023 përcakton qartë integrimin e institucioneve të lartpërmendura në sistemin institucional të Kosovës, nën ombrellën e Asociacionit.
Edhe e ngarkuara me punë e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, tha në fillim të shtatorit se të gjitha institucionet serbe duhet të integrohen në sistemin e Kosovës - përfshirë edhe shëndetësinë dhe arsimin - por se kjo duhet të ndodhë në konsultim me komunitetin serb.
Ministri në detyrë, Rashiq, i cili është gjithashtu anëtar i Kuvendit të Kosovës, tha se është e rëndësishme që të ketë “një formë të Asociacionit”, sepse kjo do t’u ofronte serbëve një garanci fillestare se integrimi nuk do t’i lërë pa punë dhe siguri.
A dihet plani i integrimit?
Në një mesazh drejtuar komunitetit serb më 18 shtator, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se sistemi i dyfishtë i arsimit dhe kujdesit shëndetësor nuk është i qëndrueshëm, ndaj “inkorporimi dhe bashkimi i tyre” janë të nevojshëm.
“Nuk dua ta bëj kundër jush ose pa ju. Gjatë mandatit tonë të ardhshëm, së bashku me të gjithë ju, përfshirë kryetarët e ardhshëm të komunave, do të punojmë për integrimin e kujdesit shëndetësor dhe arsimit në një sistem të vetëm”, tha Kurti.
Edhe Rashiq tha se do të ketë konsultime me kryetarët e rinj të komunave, pas zgjedhjeve lokale më 12 tetor.
“Ata do të ftohen, nëse unë jam pjesë e procesit, e me siguri do të jem, dhe nëse refuzojnë bashkëpunimin, përgjegjësia është e tyre”, tha Rashiq.
Në 3 minuta
Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.
Ajo që ka më shumë rëndësi, sipas tij, janë konsultimet me ekspertët e fushës.
“Që të mos ndodhë si me atë statut që erdhi nga askund, askush nuk thotë se është i vetmi, e në fakt është i të gjithëve... që të mos na paraqitet një dokument ‘merre ose lëre’. Më mirë të planifikojmë vetë se çfarë është më me rëndësi për ne, e pastaj t’i imponojmë kushtet, e jo dikush tjetër të na i imponojë”, u shpreh Rashiq.
Sa i përket planit të integrimit, Rashiq i referohet edhe Planit të Ahtisaarit - dokumentit që shërbeu si bazë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe për hartimin e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Çfarë parasheh Plani i Ahtisaarit?
Plani i Ahtisaarit parasheh që komuniteti serb ka të drejtë të mësojë në gjuhën e vet amtare dhe të themelojë dhe menaxhojë institucionet e veta private arsimore, për të cilat mund të jepet ndihmë financiare publike, në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.
Kur bëhet fjalë për planin dhe programin mësimor të institucioneve arsimore, ky dokument parashikon që mund të përdoret ai i përgatitur nga Serbia, si dhe të përdoren tekste shkollore të hartuara nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë, pasi për një gjë të tillë të njoftohet Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës.
“Në rast të ndonjë vërejtjeje nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës për përdorimin e një plani mësimor ose teksti të caktuar, çështja do t’i dorëzohej një komisioni të pavarur për shqyrtim, në mënyrë që të sigurohet përputhshmëria me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet mes tjerash në Planin e Ahtisasrit.
Ky plan, gjithashtu, parashikon kompetenca më të mëdha për vetëqeverisjet lokale, ku shumicë janë serbët, dhe Komuna e Mitrovicës së Veriut është caktuar të ketë kompetenca për arsimin e lartë, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve arsimore.
Sa i përket shëndetësisë, komunat Mitrovicë e Veriut, Graçanicë dhe Shtërpcë kanë përgjegjësi për ofrimin e kujdesit shëndetësor sekondar, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve shëndetësore, punësimin dhe pagesën e stafit mjekësor, si dhe trajnimin e tij.
Po ashtu, është parashikuar edhe ndërtimi i spitaleve rajonale, për të cilat nga buxheti i Kosovës janë ndarë disa milionë euro, por ato nuk janë vënë kurrë në funksion.
Janjiq: Kosova duhet ta zgjidhë së pari statusin e komunitetit serb
Dushan Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhëniet Etnike, konsideron se mesazhet dhe veprimet e anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, lidhur me integrimin e shëndetësisë dhe arsimit, me “ndihmën indirekte” të Beogradit përmes Bashkimit Evropian, nuk janë rrugë e mirë, sepse “gjërat po vendosen pa dijeninë e publikut”.
“Po shtyhen agjenda që janë formalisht dhe ligjërisht në rregull, por mbi tema që janë shumë të rëndësishme. Bëhet fjalë për një çështje shumë të rëndësishme, që është statusi i komunitetit serb - një komunitet minoritar. Është e rëndësishme, sepse Kosova është një shtet që u krijua nga ndarja - quajeni si të doni - nga Serbia”, thotë Janjiq.
Ai shton se serbët në Kosovë janë “minoritet i ri”, pasi në Jugosllavinë e mëparshme ishin popull konstitutiv, ndërsa shqiptarët ishin një etni.
Sipas tij, shtetësia e Kosovës nuk mund të përfundojë derisa të mos zgjidhet çështja e statusit të komunitetit serb.
Janjiq mendon se krijimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe, siç parashikohet në Planin e Ahtisaarit, mund të jetë zgjidhje.
“Plani i Ahtisaarit ka ofruar zgjidhje të mira. Nuk është rruga e gabuar... do të ishte gabim nëse BE-ja do të ndërmerrte ndonjë hap në lidhje me arsimin dhe kujdesin shëndetësor, pa zgjidhur çështjen e statusit. [Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin] Kurti dhe [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq nuk mund ta zgjidhin çështjen e statusit dhe nuk e di pse po nxitohen kaq shumë”, shton ai.
Janjiq thotë se në vitin 2000 ka udhëhequr një grup ekspertësh të Qeverisë së Serbisë për çështjet e komunitetit serb në Kosovë, dhe se atëherë është propozuar krijimi i Këshillit Kombëtar Serb - një autonomi minoritare që do t’i kishte kompetencat e veta.
Ai beson se kjo është e vetmja zgjidhje edhe sot.
“E di që ka një shkallë të lartë dakordësie për këtë. Përfaqësuesit e Kosovës kanë folur gjithashtu për këtë. Ky është modeli kroat. Është problemi i njëjtë. Serbët kanë qenë popull [shumicë] dhe më pas pakicë në Kroaci”, thotë Janjiq.
Qeveria e Kosovës ka thënë në maj të vitit 2023 se do të çonte përpara modelin kroat për pakicat kombëtare, me qëllim krijimin e një niveli të caktuar të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.
Çka thotë Beogradi?
Beogradi zyrtar nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të qartë për përmendjet e shpeshta të integrimit të shëndetësisë dhe arsimit nga sistemi serb në sistemin e Kosovës.
Një grup studentësh nga Mitrovica e Veriut, disa përfaqësues politikë serbë dhe organizata të ndryshme kanë kërkuar nga Beogradi që të dalë me një qëndrim dhe të informojë publikun për planet e tij, duke sqaruar saktësisht se si synon ta “zgjidhë problemin e ri të krijuar”.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka lëshuar deklarata duke kritikuar autoritetet e Kosovës, por nuk ka shpjeguar qartë nëse është planifikuar që dy sektorët të integrohen ose jo.
Ministri serb i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, ka thënë më 19 shtator se sistemi i kujdesit shëndetësor në mjediset me shumicë serbe në Kosovë vepron brenda sistemit të Serbisë, në përputhje me marrëveshjet e Brukselit të viteve 2013 dhe 2015 mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se nuk ka asnjë bazë që autoritetet e Kosovës “t’i marrin përsipër institucionet tona të kujdesit shëndetësor”.
Ministria serbe e Arsimit nuk ka komentuar ende.