Është festa më e rëndësishme në kalendarin rus, ngjarja kryesore për përpjekjet e Kremlinit për të madhëruar rolin sovjetik në mposhtjen e Gjermanisë Naziste.
Në vitet e fundit, parada për Ditën e Fitores në Sheshin e Kuq po ashtu ka shërbyer si skenë për presidentin rus, Vladimir Putin, për të madhëruar luftën e Moskës në Ukrainë, teksa viktimat e Rusisë – të vdekur dhe të plagosur – kanë kaluar shifrën prej 750.000, sipas vlerësimeve perëndimore.
Për vëzhguesit e Kremlinit, 9 maji është ngjarje me peshë simbolike, që ofron mundësi të shihen ndryshimet e mundshme në botëkuptimin e Putinit – tashmë në vitin e tij të 26-të si udhëheqësi kryesor i vendit – dhe në politikat shtetërore në përgjithësi.
Veçmas këtë vit, në 80-vjetorin e dorëzimit të Gjermanisë Naziste dhe mbi tre vjet që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
“Fitorja në Luftën e Madhe Patriotike është gurthemeli i mitologjisë politike të Putinit – themeli i gjithë versionit të tij për historinë botërore”, shkroi në një ese, Mikhail Zygar, gazetar në mërgim rus dhe autor librash. “Kremlini është përgatitur për këtë moment për muaj të tërë, është epiqendra në kalendarin e propagandës të regjimit”.
Në këtë tekst mund të mësoni se çfarë mund të pritet më 9 maj.
Cila luftë saktësisht?
Më shumë se 27 milionë njerëz – ushtarë dhe civilë – humbën jetën në Bashkimin Sovjetik gjatë asaj që rusët e quajnë Lufta e Madhe Patriotike. Ishte një shkatërrim i paprecedent dhe mposhtja e nazizmit që për një kohë të gjatë është festuar si dëshmi e qëndrueshmërisë së rusëve, ukrainasve, bjellorusëve dhe kombeve të tjera që vuajtën në atë luftë.
Që kur u bë president për herë të parë më 2000, Putini i ka shfrytëzuar këto ngjarje për të forcuar pozitën e tij në mesin e veteranëve. Ai po ashtu i ka përdorur këto ngjarje për të kritikuar Perëndimin, duke minimizuar rolin e aleatëve në mposhtjen e nazistëve dhe duke kritikuar Shtetet e Bashkuara, në veçanti.
Gjatë fjalimit në Ditën e Fitores më 2007, Putini sulmoi në mënyrë të tërthortë SHBA-në, duke krahasuar politikat amerikane me ato të Rajhut të Tretë nazist.
Pas nisjes së pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, Putini u kujdes që “neo-nazistët” të ishin në epiqendër të fjalimeve të tij, duke përsëritur akuzën e pabazë të Kremlinit për të justifikuar agresionin: se vendi qeverisej nga një “juntë naziste”.
Kush ulet ku?
Sipas Kremlinit, dhjetëra udhëheqës botërorë kanë pranuar paraprakisht ftesën për të marrë pjesë në ngjarjet në Moskë, megjithëse ka mundësi që të ketë anulime të pjesëmarrjes në momentet e fundit.
Pritet që disa liderë nga ish-republikat sovjetike, si Bjellorusia, Kazakistani dhe Azerbajxhani, të jenë të pranishëm, si dhe udhëheqës nga Bolivia, Kuba, Venezuela, Laosi, Brazili dhe vende të tjera.
Asnjë udhëheqës nga Bashkimi Evropian nuk pritet të marrë pjesë në ngjarjet në Moskë, me përjashtim të kryeministrit sllovak, Robert Fico, i cili më parë ka bërë komente kritike ndaj Ukrainës.
Nga Evropa, i pranishëm do të jetë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili arriti në kryeqytetin rus më 7 maj.
Të gjitha sytë do të jenë të drejtuar nga presidenti kinez, Xi Jinping, i cili është bërë një aleat kyç për Moskën në luftën e saj kundër Ukrainës.
Pekini ka vazhduar të blejë naftë dhe gaz rus, duke ndihmuar në financimin e luftës së Moskës dhe mbajtjen gjallë të ekonomisë ruse. Kina po ashtu nuk ka bërë asnjë deklaratë publike për të kritikuar pushtimin rus.
“Prania e Xisë në Moskë nxjerr në pah tensionin në rritje në zemër të politikës së jashtme kineze”, tha Patricia Kim, hulumtuese në Institutin Brookings në Uashington, në një analizë. “Partneriteti strategjik me Rusinë po bie gjithnjë e më shumë ndesh me ambiciet më të gjera të Kinës për t’u perceptuar si një udhëheqëse e përgjegjshme globale, si një alternativë stabilizuese ndaj asaj që e paraqet si paqëndrueshmëri amerikane dhe rënie të Perëndimit”.
Duhet shikuar nëse Kina do të dërgojë gjithashtu një njësi ushtarake për të marshuar nëpër Sheshin e Kuq, që do të ishte një gjest simbolik mbështetjeje për Kremlinin.
Shfaqja e pajisjeve ushtarake
Gjatë Luftës së Ftohtë, paradat e Ditës së Fitores ishin ngjarje të rralla; ngjarja më e madhe vjetore zhvillohej zakonisht në nëntor, për të përkujtuar Revolucionin Bolshevik të vitit 1917, shpesh me një shfaqje të teknologjisë ushtarake sovjetike.
Analistët perëndimorë shqyrtonin me kujdes gjatësitë dhe gjerësitë e tubave të raketave dhe të kamionëve që përdoreshin për lëshimin e raketave, për të kuptuar nëse Moska kishte epërsi në garën e armëve.
Shfaqjet më demonstrative të pajisjeve ushtarake janë bërë normë gjatë dekadës së fundit, veçanërisht pasi Kremlini ka investuar shumë në modernizimin dhe riarmatimin e ushtrisë.
Duke filluar nga parada në Sheshin e Kuq në vitin 2015, zyrtarët prezantuan një tank të ri lufte, të quajtur Armata T-14. Megjithëse është shfaqur në publik, ky mjet nuk është përdorur në luftën në Ukrainë.
Një vit më vonë, zyrtarët parakaluan një raketë të re balistike me rreze të gjatë veprimi, RS-24 Yars, nëpër Sheshin e Kuq.
Që nga pushtimi i vitit 2022, armatimi i ri është shfaqur më rrallë në Sheshin e Kuq – një fakt që lidhet kryesisht me humbjet e mëdha në pajisjet ushtarake që ka pësuar Rusia.
Duhet shikuar se çfarë armatimi do të parakalojë ngadalë mbi kalldrëmin e Sheshit të Kuq, ose do të fluturojë mbi të. Po ashtu ia vlen të shikohet nëse zyrtarët rusë do të ekspozojnë ndonjë pajisje të kapur perëndimore – si automjetet luftarake Bradley – si një mënyrë për t’u tallur me Perëndimin.
Kush ka frikë nga dronët ukrainas?
Në prag të 9 Majit, Ukraina kreu sulme të mëdha me dronë ndaj objektivave ruse, përfshirë një më 6 maj, që ishte më i madhi në muajt e fundit.
Kievi dhe Moska po godasin njëra-tjetrën për muaj të tërë – kryesisht me dronë, por edhe me raketa – pavarësisht përpjekjeve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për të arritur një armëpushim apo një ndalim më të gjerë të luftës.
Muajin e kaluar, Putin kërkoi një armëpushim treditor që të përkonte me Ditën e Fitores. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, iu kundërpërgjigj me një propozim për një armëpushim 30-ditor, në përputhje me një nismë amerikane në mars, që u pranua nga Kievi, por u refuzua nga Moska.
Është e paqartë nëse komandantët rusë do të ndalojnë realisht luftimet. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se urdhri i Putinit mbetet në fuqi, por shtoi se Rusia do të përgjigjet nëse forcat ukrainase hapin zjarr.
Ndërkohë, Zelensky dhe zyrtarë të tjerë ukrainas thanë se nuk është përgjegjësi e Kievit të garantojë sigurinë e personaliteteve që vizitojnë Moskën. Shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës paralajmëroi mysafirët në paradën në Moskë që të “marrin tapa për veshët”.
“Sa i përket të gjitha vendeve që kanë udhëtuar ose janë duke udhëtuar për më 9 maj, qëndrimi ynë është shumë i thjeshtë”, tha Zelensky më 3 maj. “Ne nuk mund të mbahemi përgjegjës për atë që ndodh në territorin e Federatës Ruse. Rusët janë ata që ju garantojnë sigurinë dhe për këtë arsye ne nuk do të japim asnjë garanci”.
Zyrtarët rusë paralajmëruan banorët e rajonit të Moskës që të mos hedhin fishekzjarrë këtë javë. Ndërkohë, ofruesit e shërbimeve të telekomunikacionit njoftuan se shpejtësia e internetit do të ngadalësohej, me shumë gjasë për të penguar fluturimet e mundshme të dronëve ose shpërthimet nga distanca.
“Nuk ka kuptim të goditet Sheshi i Kuq”, tha Ivan Preobrazhensky, komentator politik me seli në Pragë.
Dronët ukrainas mund të arrijnë deri në Moskë, tha ai për Current Time, “por problemi është se propaganda ruse do ta paraqiste më pas si një atentat ndaj liderëve të huaj që do të marrin pjesë në paradë, gjë që në rrethanat aktuale nuk do të ishte në dobi të Ukrainës”.
Një partneritet gjithëpërfshirës strategjik
Duke e pasur të pamundur që të sigurojë një fitore vendimtare, Moska është drejtuar diku tjetër për të siguruar njerëz dhe pajisje ushtarake për të vazhduar luftën: kryesisht është drejtuar nga Koreja e Veriut.
Në qershorin e vitit të kaluar, Putini udhëtoi në Phenian për të nënshkruar një traktat të ri për mbrojtje të përbashkët. Një muaj më parë, zyrtarët amerikanë deklaruan se Koreja e Veriut kishte dërguar qindra mijëra predha artilerie, së bashku me raketa balistike.
Në fund të vitit 2024, afër 11.000 ushtarë të Koresë së Veriut u dislokuan për të luftuar përkrah trupave ruse, kryesisht në rajonin kufitar të Kurskut, të cilin Ukraina e pushtoi verën e kaluar, duke e turpëruar Kremlinin. Komandantët rusë kanë thënë se është meritë e këtyre trupave për largimin e forcave ukrainase nga Kursku.
Ka edhe sinjale të tjera për thellim të bashkëpunimit. Ushtarët e plagosur rusë raportohet se janë dërguar në Korenë e Veriut për trajtim dhe rikuperim. Mijëra punëtorë të Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi, kryesisht në Lindjen e Largët, për të punuar në ndërtimtari dhe industri të tjera të rënda, ku rëndomë ka mungesë të fuqisë punëtore.
Civilët nga Koreja e Veriut po ashtu kanë nisur të shfaqen në ceremoni publike.
Para ngjarjeve për Ditën e Fitores, qytetin-port të Vladivostokut, një delegacion fëmijësh nga Koreja e Veriut të veshur me rroba ushtarake u bashkuan me qindra fëmijë e të rinj rusë në marshimin gjatë një parade ushtarake.