Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas mbërritjes në Moskë më 7 maj, tha se "nuk e kam gënjyer askënd" për vizitën e tij në Rusi.
“Nuk e kam gënjyer askënd për ardhjen time këtu. I kam thënë [presidentes të Komisionit Evropian] Ursula von der Leyen, [komisionares për Zgjerim], Marta Koss, [presidentit të Francës] Emmanuel Macron, dhe [kryeministres italiane] Giorgia Meloni”, tha Vuçiq në një prononcim për Radiotelevizionin e Ser bisë.
Ai shtoi se Serbia “ka punë të rëndësishme dhe detyra të lidhura me ekonominë dhe energjinë” në Moskë.
“Ne duhet ta zgjidhim çështjen e furnizimit me gaz”, tha Vuçiq.
Kontrata ekzistuese e Serbisë për furnizimin me gaz rus skadon në fund të majit. Po ashtu, Industria e Naftës e Serbisë (NIS) u vendos në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit, për shkak të pronësisë së saj ruse. Autoritetet amerikane shtyn zbatimin e sanksioneve ndaj NIS-it për herë të tretë në fund të prillit, por negociatat mbi fatin e kompanisë janë ende duke u zhvilluar.
Vuçiq do të marrë pjesë në Paradën e Fitores në Sheshin e Kuq më 9 maj.
Avioni i Vuçiqit, gjatë udhëtimit drejt kryeqytetit rus më 7 maj, u ndal fillimisht në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, sipas Radiotelevizionit të Serbisë, që iu referuar agjencisë Tanjug.
Sipas RTS-së, avioni me të cilin po udhëtonte Vuçiqi, më pas ka vazhduar fluturimin drejt Moskës.
Sipas Kremlinit, më 9 maj është paraparë një takim dypalësh ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, raportoi RTS.
Në fillim të marsit, Vuçiq njoftoi se do të merrte pjesë në paradën ushtarake me rastin e Ditës së Fitores kundër fashizmit, pas një bisede telefonike me Putinin.
Rusia më 9 maj shënon 80-vjetorin e fitores kundër fashizmit në Luftën e Dytë Botërore me një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq në Moskë, si dhe me një sërë aktivitetesh të tjera.
Paralajmërimet për udhëtimin e presidentit serb në Rusi kanë ngjallur reagime edhe nga institucionet evropiane.
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, më 29 prill deklaroi në një konferencë për media se “është në dorën e presidentit të Serbisë të vendosë për shkuarjen në Moskë”, por shtoi se, nëse Vuçiq shkon atje, ajo do ta ketë “shumë më të vështirë t’i ndihmojë Serbisë të qëndrojë e përkushtuar në rrugën evropiane”.
Nga liderët evropianë, vetëm Vuçiq dhe kryeministri sllovak, Robert Fico – i njohur për lidhjet e tij me Kremlinin – kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Edhe Milorad Dodik, president i entitetit Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, ka paralajmëruar pjesëmarrjen në Moskë.
Në Rusi do të udhëtojë edhe presidenti i Kinës, Xi Jinping.
Sipas agjencisë shtetërore ruse RIA Novosti, pjesëmarrjen në paradën e 9 majit e kanë konfirmuar edhe presidentët e Bjellorusisë, Alayksandr Lukashenka, i Kazakistanit, Qasim-Zhomart Tokajev, i Azerbajxhanit, Ilham Alijev, i Venezuelës, Nikolas Maduro si dhe presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva. Nga vendet afrikane, përfaqësues do të kenë Kongoja dhe Burkina Faso.