Shtetet rajonale dënojnë sulmin e Iranit në bazën amerikane në Katar
Shumë shtete të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut e kanë dënuar sulmin iranian në bazën amerikane në Katar.
Egjipti e ka quajtur sulmin “shkelje të sovranitetit të Katarit, kërcënim për integritetin e tij territorial dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar”.
Arabia Saudite ka thënë se sulmi përbën shkelje të “parimit të fqinjësisë së mirë dhe është krejtësisht i papranueshëm, dhe akt që nuk mund të justifikohet”.
Jordania e ka dënuar atë që e ka përshkruar si “agresion të nisur nga Irani kundër shtetit të binjakëzuar Katarit”.
Bahrejni ka thënë se ofron mbështetje të plotë dhe solidarizohet me Katarin “duke reflektuar lidhjet e ngushta të vëllazërisë mes tyre”.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Omanit e ka dënuar atë që e ka përshkruar si përshkallëzim rajonal.
Pamjet e para pas sulmit në Katar
Në këtë pamje të siguruar nga agjencia e lajmeve AFP shihet ajo çfarë ka mbetur nga raketa iraniane e rrëzuar mbi Katar. Autoritetet amerikane kanë thënë se nuk ka raportime për viktima.
Lideri suprem i Iranit: Nuk do të pranojmë agresion prej askujt
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë përmes një postimi në X – dikur Twitter – se Irani nuk e ka lënduar askënd dhe që nuk do të pranojë agresion “nga askush dhe në asnjë rrethanë”.
Ai ka thënë se Irani nuk do t’i nënshtrohet agresionit të askujt dhe që kjo është “logjika” e kombit iranian.
Trump e quan sulmin iranian “shumë të dobët” dhe e falënderon Iranin për “njoftim paraprak”
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se përgjigja e Iranit ndaj sulmeve amerikane në qendrat bërthamore ka qenë e pritur, ndërsa sulmin e ka përshkruar si "shumë të dobët”.
“Janë nisur 14 raketa – 13 janë rrëzuar ndërsa njëra është lënë e lirë sepse ka qenë në një drejtim që nuk përbënte kërcënim”.
Presidenti ka konfirmuar se asnjë amerikan dhe asnjë banor i Katarit nuk është i lënduar dhe se dëmet janë krejt të vogla.
“Dua ta falënderoj Iranin që na ka paralajmëruar, duke mundësuar që të mos ketë jetë të humbura dhe që askush të mos lëndohet. Ndoshta Irani mund të drejtohet kah paqja dhe harmonia në rajon dhe unë me entuziazëm do të inkurajojë Izraelin të veprojë njëjtë", ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Truth Social.
Në një tjetër postim ndaras, Trump ka thënë: URIME BOTË, ËSHTË KOHA PËR PAQE!