Ambasada amerikane në Katar shfuqizon urdhrin për strehim në zona të sigurta
Ambasada amerikane në Katar e ka shfuqizuar urdhrin për strehim në zona të sigurta, që ishte vendosur më herët gjatë ditës së hënë.
Në një përditësim të të dhënave në faqen e saj, Ambasada ka thënë se do të rihapet nesër dhe do t’i vazhdojë shërbimet konsullore “pa ndërprerje”.
Hapësira ajrore e Katarit vazhdon të jetë e mbyllur, prandaj Ambasada ka kërkuar kujdes të shtuar ndaj atyre që janë duke udhëtuar.
Çfarë ndodhi në mbrëmjen e 23 qershorit?
Në mbyllje të këtij blogu, po ju rikujtojmë se çfarë ndodhi në orët e fundit:
- Irani e ka sulmuar bazën ajrore të Shteteve të Bashkuara në Katar, Al Udeid, si shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit amerikan të një dite më parë në tri objekte bërthamore iraniane – Fordo, Natanz dhe Isfahan.
- Katari ka thënë se raketat janë rrëzuar.
- Presidenti amerikan, Donald Trump e ka përshkruar sulmin si “shumë të dobët”, ka konfirmuar se nuk është plagosur askush në sulm dhe që dëmet janë krejt të vogla. Duke e falënderuar Teheranin për paralajmërimin paraprak, Trump ka thënë se shpreson që Irani do të drejtohet kah paqja dhe harmonia, dhe e ka uruar botën, duke u shprehur se “është koha për paqe”.
- Baza Al Udeid gjendet afër kryeqytetit të Katarit, Doha, dhe shërben si seli për operacionet ajrore të Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara për rajonin e Lindjes së Mesme. Në të janë të stacionuar 8.000 ushtarë amerikanë.
- Katari e ka dënuar ashpër sulmin, duke e konsideruar shkelje të hapësirës së tij ajrore, ka theksuar se e ruan të drejtën për t’u kundërpërgjigjur, por situatën e ka përshkruar stabile.
- Shtetet rajonale – Arabia Saudite, Egjipti, Jordania, Bahrejni – e kanë dënuar ashpër sulmin.
- Ekspertët e kanë përshkruar sulmin si tejet simbolik – të kalibruar për të dërguar mesazh vendosmërie, por edhe për të shmangur një konflikt më të gjerë dhe shkatërrues.
- Situata në Lindje të Mesme është e tensionuar prej sulmit të befasishëm të Izraelit në qendra bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor. Izraeli konsideron se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore sepse ia rrezikon ekzistencën, ndonëse Teherani pretendon se programin bërthamor e ka vetëm për qëllime paqësore.
- Irani është hakmarrë me sulme raketore në Izrael dhe në shkëmbim e sipër të raketave janë vrarë dhe plagosur banorë të të dyja shteteve.
Faleminderit që ishit me ne! Më shumë informacione për situatën në Lindje të Mesme mund të gjeni këtu.