Katari dënon ashpër sulmin
Shteti i Katarit e ka dënuar ashpër sulmin e Gardës Revolucionare të Iranit kundër bazës ajrore amerikane Al-Udeid, ndonëse autoritetet e këtij shteti kanë thënë se raketat janë rrëzuar dhe nuk ka raportime për viktima.
“Ne e konsiderojmë këtë shkelje flagrante të sovranitetit të shtetit të Katarit, hapësirës së tij ajrore, ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ne theksojmë se Katari rezervon të drejtën për t’u përgjigjur drejtpërdrejt dhe në mënyrë të barabartë me natyrën dhe shkallën e këtij agresioni”, ka thënë Majed al-Ansari, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit, përmes një postimi në X.
Sipas tij, hapësira ajrore e Katarit tani është e sigurt.
Përmes këtij blogu do t'i përcjellim në kohë reale të gjitha zhvillimet në Lindje të Mesme. Qëndroni me ne!
Katari dhe Emiratet mbyllin hapësirat ajrore
Pak minuta më parë, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë të ditur se kanë mbyllur hapësirat ajrore, pas shqetësimeve për hakmarrje iraniane, si pasojë e sulmeve amerikane të një dite me parë.
Zyrtarët më të lartë ushtarakë në Dhomën e Situatave
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar pak më parë se gjenerali amerikan Dan Caine dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, janë aktualisht në Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë.
Dhoma e Situatave e ka emrin një kompleks inteligjence në katin përdhesë të Shtëpisë së Bardhë.
Caine dhe Hegseth janë dy zyrtarët me pozitat më të larta në Departamentin amerikan të Mbrojtjes, dhe i raportojnë presidentit amerikan, Donald Trump si komandant i përgjithshëm i ushtrisë.
Ende nuk dihet nëse ka nisur një takim i paralajmëruar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Uashington.
Rëndësia e bazës amerikane Al Udeid në Katar
Al Udeid gjendet afër kryeqytetit të Katarit, Doha, dhe shërben si seli për operacionet ajrore të Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara për rajonin e Lindjes së Mesme.
Në të janë të stacionuar 8.000 ushtarë amerikanë.
Edhe forcat britanike shërbejnë aty me rotacion.
Ky objekt shërben si seli dhe bazë logjistike për operacionet amerikane në Irak, dhe e ka pistën me të gjatë të uljes ajrore në rajonin e Gjirit.
Katari i ka dhënë qasje SHBA-së në bazën Al Udeid në vitin 2000.
Pasi amerikanët e kanë marrë bazën nën menaxhim më 2001, Doha dhe Uashingtoni kanë nënshkruar marrëveshje në dhjetor të vitit 2002 për të njohur edhe zyrtarisht prezencën e ushtrisë amerikane në bazën Al Udeid.
Më 2024, rrjeti televiziv amerikan CNN ka raportuar se SHBA-ja ka arritur marrëveshje për të zgjatur prezencën ushtarake në Katar edhe për 10 vjet.