Pentagoni konfirmon sulmin në Al Udeid
Pentagoni ka konfirmuar se baza amerikane Al Udeid në Katar është sulmuar nga raketa balistike me rreze të shkurtër dhe mesme, të nisura nga Irani.
Një zyrtar i mbrojtjes i ka thënë Radios Evropa e Lirë se deri më tani nuk ka raportime për viktima amerikane.
Ky zyrtar ka thënë se autoritetet janë duke vëzhguar situatën dhe do të ofrojnë më shumë informacione “kur të jenë të qasshme”.
Arabia Saudite dënon sulmin
Arabia Saudite ka thënë se e dënon në nivelin më të lartë agresionin e nisur nga Irani në shtetin e Katarit.
“Është i papranueshëm dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë”, është thënë në reagim.
Rëndësia e bazës amerikane Al Udeid në Katar
Al Udeid gjendet afër kryeqytetit të Katarit, Doha, dhe shërben si seli për operacionet ajrore të Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara për rajonin e Lindjes së Mesme.
Në të janë të stacionuar 8.000 ushtarë amerikanë.
Edhe forcat britanike shërbejnë aty me rotacion.
Ky objekt shërben si seli dhe bazë logjistike për operacionet amerikane në Irak, dhe e ka pistën me të gjatë të uljes ajrore në rajonin e Gjirit.
Katari i ka dhënë qasje SHBA-së në bazën Al Udeid në vitin 2000.
Pasi amerikanët e kanë marrë bazën nën menaxhim më 2001, Doha dhe Uashingtoni kanë nënshkruar marrëveshje në dhjetor të vitit 2002 për të njohur edhe zyrtarisht prezencën e ushtrisë amerikane në bazën Al Udeid.
Më 2024, rrjeti televiziv amerikan CNN ka raportuar se SHBA-ja ka arritur marrëveshje për të zgjatur prezencën ushtarake në Katar edhe për 10 vjet.
Zyrtarët më të lartë ushtarakë në Dhomën e Situatave
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar pak më parë se gjenerali amerikan Dan Caine dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, janë aktualisht në Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë.
Dhoma e Situatave e ka emrin një kompleks inteligjence në katin përdhesë të Shtëpisë së Bardhë.
Caine dhe Hegseth janë dy zyrtarët me pozitat më të larta në Departamentin amerikan të Mbrojtjes, dhe i raportojnë presidentit amerikan, Donald Trump si komandant i përgjithshëm i ushtrisë.
Ende nuk dihet nëse ka nisur një takim i paralajmëruar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Uashington.