Garancitë për sigurinë mbeten të paqarta pas takimit Trump-Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Uashington, 18 gusht 2025.

Herën e fundit kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ishte në Zyrën Ovale, ai u kritikua se ishte mosmirënjohës, konfliktuoz dhe i veshur në mënyrë të papërshtatshme.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e pezulloi atëkohë ndihmën ushtarake të SHBA-së, duke i dobësuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës përballë pushtimit rus.

Është ende herët të thuhet nëse takimi i 18 gushtit në Shtëpinë e Bardhë hapi rrugë për përfundimin e luftës 42-muajshe të Rusisë.

Por, së paku, solli disa shkëndija optimizmi: se lufta do të përfundojë pa e lënë Ukrainën pas dore.

Kësaj iu frikësua shumëkush pas pritjes së ngrohtë që Trump i bëri presidentit rus, Vladimir Putin, tri ditë më parë në Alaskë.

“Në këtë pikë po bëhemi seriozë për atë se si do të dukej zgjidhja që do t’i jepte fund luftës”, thotë George Beebe, ish-analist i CIA-s, tani drejtor i strategjive në Institutin Quincy për Shtetësi të Përgjegjshme, me seli në Uashington.

“Mund të ishte edhe më keq”, thotë Oxana Shevel, eksperte politike në Universitetin Tufts, pranë Bostonit, dhe eksperte e historisë së Ukrainës dhe Rusisë.

“Por, nuk mendoj se ka pasur ndonjë lloj përparimi thelbësor, sepse detajet e çdo përparimi që mund të jetë bërë - garancitë për sigurinë sidomos - nuk janë aty”, sipas saj.

SHIKONI EDHE: Çfarë ndodhi në Shtëpinë e Bardhë?

“Qysh nga fillimi e kam parë këtë si një mënyrë për të kufizuar dëmin, dhe mendoj se qëllimi, deri diku, është arritur”, thotë Ian Bond, ish-diplomat britanik dhe tani zëvendësdrejtor i Qendrës për Reformë Evropiane në Londër.

“Patjetër, ishte shumë më mirë se takimi i shkurtit”, thekson ai.

Qilimi i kuq në Alaskë

Javën e kaluar, Trump e priti Putinin në tokën amerikane, duke i dhënë një përqafim miqësor diplomatik, duke i ofruar një skenë botërore dhe duke i dhënë vëmendje personale.

Samiti në Alaskë nuk ishte sukses për Trumpin, sepse ai nuk arriti të ndërmjetësonte një armëpushim që do t’i frenonte sulmet e Rusisë në Ukrainë.

Putin, nga ana tjetër, u prit me nderime të mëdha nga Shtetet e Bashkuara - vendi që ai e konsideron si partner të barabartë me Rusinë.

Ai, po ashtu, i kërkoi Trumpit me kujdes që të mos insistonte për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë, por të punonte drejt një marrëveshjeje paqeje më të gjerë.

SHIKONI EDHE: Trump: Takimi me Putinin ishte produktiv, por nuk arritëm marrëveshje

Kjo do të thotë se negocimi i një marrëveshjeje të gjerë, do t’i jepte Putinit mundësinë të diskutonte “shkaqet rrënjësore” të luftës në Ukrainë.

E, ato përfshijnë një mori ankesash historike, disa prej të cilave datojnë që nga Rusia Kieviane e shekullit të 10-të, e disa që nga fundi i viteve 1990, kur NATO-ja filloi të zgjerohej në lindje.

Putin i përmendi përsëri “shkaqet rrënjësore” në një takim në Kremlin, ditën që u kthye në Moskë.

Kjo, gjithashtu, i jep kohë atij, i cili vazhdon t’i godasë forcat e armatosura të Ukrainës, të cilat janë më të pakta në numër dhe në armatim.

Një ditë pas udhëtimit të Zelenskyt, Rusia qëlloi me dhjetëra dronë dhe raketa drejt objektivave civile ukrainase.

SHIKONI EDHE: Rusia përgjigjet ndaj bisedimeve në SHBA me sulme masive në Ukrainë

“Rusia po e fiton luftën, ngadalë dhe me dhimbje, por po e fiton. Kjo do të thotë se Putin është shumë më pak i gatshëm të bëjë lëshime, aktualisht”, thotë David Silbey, profesor i Historisë Ushtarake në Universitetin Cornell në Nju Jork.

“Garancitë e sigurisë” për Ukrainën kanë qenë prej kohësh prioritet për Zelenskyn, dhe gatishmëria e Trumpit për t’i mbështetur ato, ishte një fitore e vogël.

Kjo është më mirë se ideja e “ndërrimit të territoreve,” të cilën Trump e kishte konsideruar gjithashtu para samitit në Alaskë.

Mbështetja e shprehur nga tetë udhëheqës evropianë ishte një shenjë se Putin nuk kishte arritur të krijonte ndasi midis Brukselit dhe Uashingtonit - diçka që Kievit i shkaktonte frikë.

Trump tha se do ta shtynte Putinin të takohej me Zelenskyn.

“Mendoj se Zelensky përfitoi shumë nga fakti që Shtetet e Bashkuara dhe liderët kryesorë evropianë ishin pranë tij dhe e mbështetën”, thotë Beebe.

“Ai mund ta përdorë këtë si argument kur të nënshkruajë një marrëveshje përfundimtare paqeje me Rusinë, duke thënë: ‘Perëndimi është me ne. Nuk jemi vetëm. Nuk do të mbetemi vetëm’”, shton ai.

Your browser doesn’t support HTML5

Teksa SHBA-ja dhe Evropa i ofrojnë garanci sigurie, Zelensky "përfiton politikisht"

Por, sinjalet që kanë ardhur tashmë nga Ministria e Jashtme e Rusisë janë të ftohta.

Putin e konsideron Zelenskyn si udhëheqës të paligjshëm dhe takimi ballë për ballë me të do të ishte një koncesion i konsiderueshëm.

Gjithashtu, “më duket shumë e qartë se rusët, në asnjë mënyrë, nuk janë të gatshëm të nënshkruajnë marrëveshje që parashikon vendosjen e forcave perëndimore [për ruajtjen e paqes] në Ukrainë”, thotë Bond.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i trazoi ujërat kur deklaroi se çështja e “njerëzve që flasin rusisht në Ukrainë” është po ashtu prioritet.

Ky është një justifikim i vjetër i Rusisë, që çoi në pushtimin e Krimesë në vitin 2014 dhe akuzat ndaj Kievit se po e shtypte gjuhën ruse.

“Kjo është një luftë ekzistenciale për Ukrainën dhe për Zelenskyn. Ai nuk dëshiron t’i japë fund asaj [me kushtet e Rusisë]. Trump nuk ka durim ta trajtojë. Putin po fiton, kështu që nuk ka arsye të negociojë. Ndaj, nuk pres që të përfundojë para fundit të vitit”, thotë Silbey.

Përgatiti: Valona Tela