Teherani refuzon negociatat - bota bën thirrje për ulje të tensioneve

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi.

Teherani hodhi poshtë thirrjet urgjente të Perëndimit për rikthim në negociata dhe theksoi të drejtën e tij për vetëmbrojtje, duke paralajmëruar për “pasoja të rrezikshme” pas përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit. Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se sulmet amerikane kishin për qëllim "shkatërrimin" e objekteve kryesore bërthamore të Iranit.

Izraeli dhe Irani shkëmbyen sulme të reja me raketa herët më 22 qershor, në orët pas sulmeve amerikane, ndërsa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se Teherani “i rezervon vetes të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin, interesat dhe popullin e vet”, pas asaj që e quajti një hap “të turpshëm” të Shteteve të Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi për “rrezik në rritje që ky konflikt mund të dalë shpejt jashtë kontrollit”, teksa frika për një luftë të gjerë u shtua pas bombardimeve që SHBA-ja kreu gjatë natës.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja sulmon objekte bërthamore të Iranit

Udhëheqës të shumtë botërorë bënë thirrje për rifillim të negociatave për programin bërthamor të Iranit, me disa në Perëndim që theksuan se Irani nuk duhet të lejohet të prodhojë armë bërthamore.

Por, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i hodhi poshtë thirrjet për bisedime, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara “kaluan një vijë të kuqe shumë të madhe duke sulmuar objektet bërthamore” dhe se administrata Trump “mban përgjegjësi të plotë dhe të vetme për pasojat e rrezikshme dhe implikimet e gjera të këtij akti agresioni”.

“Dera për diplomaci duhet të jetë gjithmonë e hapur”, tha Araqchi në një konferencë për shtyp në Stamboll, “por ky nuk është rasti për momentin”. Ai shtoi se Irani është nën sulm dhe do të ushtrojë të drejtën për vetëmbrojtje për aq kohë sa të jetë e nevojshme, por nuk zbuloi se çfarë masash do të marrë Irani në kundërpërgjigje ndaj sulmeve të SHBA-së.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja shpalos detaje lidhur me sulmin ndaj centraleve bërthamore të Iranit

Araqchi tha se do të udhëtojë drejt Moskës më vonë gjatë ditës dhe do të takohet më 23 qershor me presidentin rus, Vladimir Putin, oferta e fundit e të cilit për të ndërmjetësuar në negociatat me Teheranin ishte refuzuar në mënyrë efektive nga Trumpi.

“Rusia është partnere e jona dhe ne gjithmonë konsultohemi”, tha ai.

Trump deklaroi se sulmet ishin një “sukses spektakolar ushtarak”, duke thënë se bombarduesit amerikanë kishin goditur objektet bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan në një operacion të përbashkët me Izraelin për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, pasi diplomacia nuk e kishte bindur Teheranin të kthehej në tryezën e bisedimeve.

“Qëllimi ynë ishte shkatërrimi i kapaciteteve të pasurimit bërthamor të Iranit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që paraqet sponsori numër një shtetëror i terrorizmit në botë”, tha Trump në një fjalim drejtuar kombit nga Shtëpia e Bardhë.

Sulmet ndodhën në orët e para të 22 qershorit sipas kohës lokale të Iranit, por ishte ende 21 qershor në Uashington kur foli presidenti amerikan.

Your browser doesn’t support HTML5

Trump për sulmin e SHBA-së në Iran: Sukses ushtarak spektakolar

Nuk pati raportime të menjëhershme për ndonjë sulm iranian ndaj interesave amerikane në Lindjen e Mesme apo gjetkë, por Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit tha se kishte lëshuar 40 raketa drejt Izraelit mëngjesin e 22 qershorit, përfshirë një nga raketat më të mëdha balistike që ka Teherani, Khorramshahr-4.

Ministria izraelite e Shëndetësisë tha se mbi 80 persona u plagosën nga sulmet iraniane gjatë natës, mbi 70 prej tyre me lëndime të lehta.

Ushtria izraelite deklaroi se kishte kryer “një seri sulmesh ndaj objektivave ushtarake në Iranin perëndimor” dhe se kishte bombarduar dy avionë F-5 në aeroportin Dezful.

Irani nuk ka pranuar se ndonjë avion i është rrëzuar që nga nisja e sulmeve izraelite ndaj Republikës Islamike më 13 qershor.

Demokratët reagojnë pas sulmeve në Iran

Zyrtarë të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara kanë reaguar pasi presidenti republikan, Donald Trump, mori vendim për sulme ndaj Iranit.

Anëtarja e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, senatorja demokrate, Jeane Shaheen, tha ende po pret që të kuptojë shkallën e veprimit ushtarak amerikan ndaj centraleve bërthamore të Iranit.

“SHBA-ja nuk duhet të ngutet që të futet në luftë me Iranin. Fatkeqësisht, presidenti Trump nuk e ka vazhduar traditën dypartiake që rregullisht të informojë Kongresin për ngjarje të mëdha të sigurisë kombëtare që prekin amerikanët në mbarë botën. Shërbyesit publikë amerikanë - vetëm në Lindjen e Mesme, SHBA-ja ka 40.000 trupa – dhe diplomatët tanë, familjet e tyre dhe qytetarët tanë padyshim që janë më të rrezikuar pas veprimeve të sotme. Trump duhet të ulë tensionet me Iranin dhe menjëherë të informojë Kongresin”, tha ajo.

Senatori Chris Murphy, tha se javën e kaluar është informuar nga inteligjenca për zhvillimet.

“Irani nuk paraqet kërcënim të menjëhershëm për sulm ndaj SHBA-së. Irani nuk ishte afër krijimit të një arme bërthamore. Bisedimet bërthamore, që Izraeli i ndërpreu me sulmet e tij, kishin gjasa të prodhonin sukses”, shkroi ai në X.

Kongresisti Hakeem Jeffries e akuzoi presidentin Trump se e mashtroi vendin sa i përket qëllimeve të tij, “dështoi të kërkonte autorizim nga Kongresi për përdorimin e forcës ushtarake dhe rrezikon përfshirjen e Amerikës në një luftë të rrezikshme në Lindjen e Mesme”.

Si reagoi bota?

Pas goditjeve të SHBA-së, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se ishte “thellësisht i alarmuar” nga përshkallëzimi.

“Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit - me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën”, tha Guterres.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), Rafael Grossi, tha se do të thërrasë një mbledhje urgjente të Bordit të Guvernatorëve më 23 qershor, “për shkak të situatës urgjente në Iran”.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, i cili së bashku me BE-në, Francën dhe Gjermaninë kishte bërë përpjekje javën e kaluar për një zgjidhje diplomatike me Iranin, i bëri thirrje Teheranit të rikthehet në negociata.

“Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të zhvillojë një armë bërthamore dhe SHBA-ja ka ndërhyrë për të zvogëluar atë kërcënim”, tha Starmer.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi gjithashtu se “Irani nuk duhet të ketë kurrë bombë” bërthamore.

“Tani është momenti që Irani të angazhohet në një zgjidhje të besueshme diplomatike”, tha ajo. “Tryeza e negociatave është i vetmi vend ku mund të zgjidhet kjo krizë”.

SHIKONI EDHE: Ish-këshilltari i Trumpit: SHBA-ja nuk synon ndryshimin e regjimit në Iran

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përgëzoi Trumpin për sulmet e “guximshme”, duke i quajtur ato një moment historik që mund të çojë Lindjen e Mesme drejt paqes.

“Të lumtë president Trump. Vendimi juaj i guximshëm për të goditur objektet bërthamore të Iranit me forcën e drejtë dhe të fuqishme të Shteteve të Bashkuara do të ndryshojë historinë”, tha Netanyahu në një video-adresim.

“Presidenti Trump dhe unë shpesh themi: paqe përmes forcës. Së pari vjen forca, pastaj paqja”, shtoi ai.

Ministria e Jashtme ruse tha se Moska “e dënon fuqishëm” bombardimin nga SHBA, të cilin e quajti “të papërgjegjshëm” dhe “shkelje të rëndë të të drejtës ndërkombëtare”.

“Është e qartë se një përshkallëzim i rrezikshëm ka nisur, i cili mund të minojë më tej sigurinë rajonale dhe globale”, tha ministria në një deklaratë.

Shtetet arabe të Lindjes së Mesme kërkuan shmangien e përshkallëzimit, disa duke dënuar sulmet e SHBA-së dhe të tjerë duke mos u shprehur qartë.

SHBA-ja ka baza ushtarake në Katar, Kuvajt, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Bahrejni është selia e Flotës së 5-të të Marinës së SHBA-së.

Turqia paralajmëroi se këto sulme mund të përshkallëzojë konfliktin Iran-Izrael në një nivel global, që siç tha, mund të ketë pasoja “katastrofike”.

“Këto zhvillime mund të nxisin që konflikti rajonal të përshkallëzohet në nivel global. Ne nuk duam që një skenar i tillë katastrofik të ndodhë”, tha Ministria e Jashtme turke, duke shprehur “shqetësim të thellë për pasojat e mundshme”.

SHIKONI EDHE: A mund të jetë ndërhyrja ushtarake në Iran rrugë e suksesshme për ndryshimin e regjimit?

Në një postim në X, kryeministri indian Narendra Modi tha se në një telefonatë me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian, kishte shprehur “shqetësim të thellë për përshkallëzimin e fundit”.

“Ripërsërita thirrjen tonë për uljen e menjëhershme të tensioneve, dialog dhe diplomaci si rrugëdalje dhe për rivendosjen e hershme të paqes dhe stabilitetit në rajon”, shtoi ai.

Në SHBA, senatori republikan nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham, mirëpriti sulmet amrikane.

“Kjo ishte zgjedhja e duhur. Regjimi e meritonte. Shumë mirë, president Trump”, shkroi Graham në X.

Ndërkaq, zyrtarë të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar vendimin e Trumpit.

Anëtarja e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, senatorja demokrate, Jeane Shaheen, tha ende po pret që të kuptojë shkallën e veprimit ushtarak amerikan ndaj centraleve bërthamore të Iranit.

“SHBA-ja nuk duhet të ngutet që të futet në luftë me Iranin. Fatkeqësisht, presidenti Trump nuk e ka vazhduar traditën dypartiake që rregullisht të informojë Kongresin për ngjarje të mëdha të sigurisë kombëtare që prekin amerikanët në mbarë botën. Shërbyesit publikë amerikanë - vetëm në Lindjen e Mesme, SHBA-ja ka 40.000 trupa – dhe diplomatët tanë, familjet e tyre dhe qytetarët tanë padyshim që janë më të rrezikuar pas veprimeve të sotme. Trump duhet të ulë tensionet me Iranin dhe menjëherë të informojë Kongresin”, tha ajo.

Senatori Chris Murphy, tha se javën e kaluar është informuar nga inteligjenca për zhvillimet.

“Irani nuk paraqet kërcënim të menjëhershëm për sulm ndaj SHBA-së. Irani nuk ishte afër krijimit të një arme bërthamore. Bisedimet bërthamore, që Izraeli i ndërpreu me sulmet e tij, kishin gjasa të prodhonin sukses”, shkroi ai në X.

Kongresisti Hakeem Jeffries e akuzoi presidentin Trump se e mashtroi vendin sa i përket qëllimeve të tij, “dështoi të kërkonte autorizim nga Kongresi për përdorimin e forcës ushtarake dhe rrezikon përfshirjen e Amerikës në një luftë të rrezikshme në Lindjen e Mesme”.

Vendimi për të goditur Iranin mund të jetë politikisht i rrezikshëm për Trumpin, i cili fitoi presidencën vitin e kaluar me premtimin për të mbajtur SHBA-në larg konflikteve të huaja.

Disa anëtarë të koalicionit “Make America Great Again” e kishin këshilluar Trumpin të mos përfshinte drejtpërdrejt ushtrinë amerikane në sulme ndaj Iranit.