Çfarë po ndodh në Sudan, shtetin që e njohu Kosovën?

Takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministrit të Jashtëm, Ali Yousif Ahmed Al Sharif, më 12 prill 2025.

Si njohjet e tjera të pavarësisë së Kosovës, edhe ajo nga Sudani nxiti kundërshtime nga liderë të Serbisë. Por, këtë herë argumenti i Serbisë nuk përfshinte vetëm pretendim se po shkelej Rezoluta 1244. Atëherë, pse u kontestua vlefshmëria e kësaj njohjeje?

Më 12 prill, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se Sudani u bë shteti i 119-të që e njohu pavarësinë e Kosovës.

Vetëm rreth 24 orë më vonë, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e vuri në pikëpyetje legjitimitetin e “pushtetit aktual” në Sudan për të marrë vendime të tilla.

Çfarë po ndodh në Sudan?

Në dy vjetët e fundit, Sudani është përballur me atë që Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e quan krizën më të madhe të urisë në botë. Dhjetëra mijëra njerëz jane vrarë dhe mbi 13 milionë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

E gjitha kjo është shkaktuar nga lufta për pushtet mes shefit ushtarak, Abdel Fattah al-Burhan, dhe ish-zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Dagalo, që tani udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

Presidentja Osmani siguroi njohjen e pavarësisë gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ali Yousif Ahmed Al Sharif, i cili është pjesë e qeverisë së udhëhequr nga Al-Burhani.

SHIKONI EDHE: Beogradi reagon pas njohjes së Kosovës nga Sudani

Që prej atëherë, kundështarët e tyre, RSF-ja e udhëhequr nga Dagalo, ka njoftuar se është duke formuar një qeveri të sajën për Sudanin, me të cilën do të udhëheqë në rajonet që kontrollohen prej saj.

Dagalo - i cili është i sanksionuar nga SHBA-ja për akuza se forcat e tij kanë kryer gjenocid në Darfur të Sudanit - tha më 16 prill se ai dhe aleatët e tij po krijojnë “një këshill presidencial me 15 anëtarë” që përfaqëson të gjitha rajonet e Sudanit.

Ky vendim nuk është mirëpritur nga OKB-ja, që menjëherë doli me reagim se prioritet duhet të jetë ruajtja e unitetit dhe sovranitetit të Sudanit dhe se krijimi i një qeverie paralele nuk ndihmon drejt zgjidhjes së problemit.

Përpjekja e RSF-së për të krijuar qeveri paralele është kundërshtuar edhe nga shumë shtete, përfshirë SHBA-në.

SHIKONI EDHE: OKB-ja paralajmëron për rrezikun nga një katastrofë rajonale shkaku i luftës në Sudan

Serbia ka aluduar në këtë situatë politike në Sudan kur vuri në pikëpyetje legjitimitetin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë, edhe pas fillimit të luftës më 15 prill të vitit 2023 në Sudan, kabineti i liderit “de facto” të Sudanit, Al-Burhanit, ka vazhduar të luajë rolin e tij të zakonshëm.

Vetë ministri i Jashtëm, Al Sharif, i cili konfirmua njohjen e pavarësisë nga Sudani në takimin me Osmanin, gjatë këtij viti ka mbajtur takim edhe me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrovin.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, gjatë këtij takimi ishte diskutuar për “mënyra për forcimin e bashkëpunimit mes Rusisë dhe Sudanit në fusha të ndryshme”.

Si reagon zakonisht Serbia ndaj njohjeve të pavarësisë së Kosovës?

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, Serbia vazhdimisht ka kundërshtuar njohjet e pavarësisë së Kosovës nga vendet e treta duke u thirrur në respektimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Serbia argumenton se kjo Rezolutë parasheh që statusi i Kosovës të zgjidhet përmes bisedimeve me Serbinë dhe të ketë vetëqeverisje të përkohshme nën mbikëqyrje të Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK.

Por, më 2010, Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte konstatuar se pavarësia e Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare.

Këtyre reagimeve të Serbisë, Kosova i është përgjigjur me thirrje ndaj Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë për adresim të deklaratave të Serbisë, që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) i cilëson shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.

MPJD-ja bazohet në dy nene të Marrëveshjes së Brukselit, të cilat obligonin Kosovën dhe Serbinë të ““zhvillojnë marrëdhënie normale, fqinjësore të mira me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta” dhe që përcaktonte se Serbia “nuk do ta bllokojë dhe as nuk do t’i inkurajojë të tjerët të bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.

“Përpjekja e Serbisë për të diskredituar vendimin sovran të Sudanit është jo vetëm shkelje e angazhimeve të saj në kuadër të dialogut, por edhe një fyerje ndaj sovranitetit të Sudanit dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e MPJD-së, të publikuar më 15 prill.

Reagime dhe kundërreagime të ngjashme ishin shkaktuar edhe pas njohjes së pavarësisë nga Kenia në fund të muajit mars të këtij viti.

SHIKONI EDHE: Pse ka rëndësi njohja nga Kenia?

Serbia ishte thirrur në Rezolutën 1244, ndërsa Kosova i ishte përgjigjur se po shkel Marrëveshjen e Brukselit.

Eksperti Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, kishte thënë se shpreson që njohja nga Kenia të jetë “pikë kthese” në diplomacinë e Kosovës, pasi njohja paraprake kishte qenë ajo nga Izraeli më 2021.

“Njohja nga Kenia paraqet një mundësi të mirë për Qeverinë e Kosovës, por edhe për aktorët e tjerë të angazhuar, që të rikthejnë vrullin dhe të punojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe strategjike për të përmbyllur procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës”, kishte thënë Visoka për REL-in.