Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.
Pavarësisht se të gjithë ishin në pritje të fjalës së Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë fund krizës institucionale në Kosovë, situata duket se është bërë vetëm më kaotike. Kjo për faktin që secila parti po e interpreton ndryshe-ndryshe aktgjykimin – përderisa po ec afati për konstituimin e Kuvendit. Çfarë do të mund të bënin ato për ta zhbllokuar situatën?
Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.
Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!
🎧 Dëgjo këtë newsletter:
Your browser doesn’t support HTML5
Në kushte ideale, si do të duhej të zgjidhej kriza institucionale?
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e krizës institucionale në Kosovë ishte gjithçka përveç asaj që e pritën të gjithë.
Ishte sikur ato rastet kur realizohet një ëndërr pas një kohe, por që nuk i ngjan atij përjetimit fillestar. Për dikë mund të ketë qenë edhe zhgjëndërr.
Aktgjykimi parasheh 26 korrikun si afatin e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por jo edhe pasojat e mundshme, nëse nuk finalizohet procesi deri atëherë.
Tentime për konstituimin e Kuvendit ka pasur prej 15 prillit, por seancave prej 2-3 minutash nuk po u shihet fundi.
Në këtë situatë, kur secila palë insiston se ka të drejtë dhe se faji është te tabori tjetër, nuk ka mbetur shumë përveçse të zbërthejmë se si do të dukej një zgjidhje ideale për të ecur përpara.
E theksojmë: ideale, pasi në politikë një plus një duket se asnjëherë nuk bëjnë dy.
Natyrisht që secili e ka bindjen dhe vizionin e vet se çfarë do t’i jepte fund krizës, por për Vullnet Bugaqkun, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), çelësi është te kompromisi mes partive politike.
Ai vlerëson se detyrimet më të mëdha në këtë drejtim i ka Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si ftuesja e më së shumti votave në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Ideale do të ishte që LVV-ja të hiqte dorë nga propozimi i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, dhe të gjente një kandidaturë më unifikuese, që do të ishte lehtë e pranueshme për pjesën tjetër. Zgjidhja më e lehtë dhe më e thjeshtë do të ishte kjo”, shprehet Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu.
Për LVV-në, ky opsion është i papranueshëm, pasi anëtarë të saj besojnë se pikërisht pozita e të parit ua ofron komoditetin e vendimmarrjes.
Pas një takimi me përfaqësues të partive politike, më 28 qershor, kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i LVV-së, Albin Kurti, tha se i ka shtruar në tavolinë dy kompromise: i pari, kandidatura e Haxhiut të tërhiqet nëse ajo nuk i merr votat e nevojshme përmes një votimi të fshehtë, dhe i dyti, partitë t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në një komision për votim të fshehtë, në mënyrë që ai të rrëzohet, më pas, me votë.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka nënvizuar qartë që seanca konstituive e ka rendin e ditës të paracaktuar, dhe në njëfarë forme Gjykata e sqaroi që kryesuesi i seancës nuk mundet të propozojë pika të reja në rend dite, qoftë të formimit të ndonjë komisioni, qoftë të zhvillimit të ndonjë mënyre tjetër të votimit”, vlerëson Bugaqku.
Për partitë e mëdha shqiptare, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kurti vazhdon të jetë i betonuar në idetë e tij fillestare. Ndryshimin e mënyrës së votimit, ato e konsiderojnë jokushtetues, ndërsa Haxhiun e përshkruajnë si figurë përçarëse.
"Gjykata Kushtetuese të dalë me një interpretim më të qartë"
Opsioni i dytë për Bugaqkun është që Gjykata Kushtetuese të dalë me një interpretim më të qartë, dhe që presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ose partitë tjera, të kërkojnë sqarime nëse nuk do të respektohet afati kohor.
Ai kujton se deri më tani ekzistojnë së paku dy raste kur Gjykata ka nxjerrë vendime në formë të sqarimit të aktgjykimeve të veta: njëri për vendimin e vitit 2010, lidhur me logon e Komunës së Prizrenit, dhe tjetri më 2011, kur Jakup Krasniqi – atëbotë kryekuvendar – kërkoi nga Gjykata ta interpretonte zgjedhjen e Behgjet Pacollit president shteti.
Selia e Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë.
Dritëro Arifi, politolog nga Prishtina, beson se presidentja Osmani po vonohet duke mos dërguar në Kushtetuese kërkesë për sqarimin e afateve kohore dhe të aspekteve procedurale, në mënyrë që procesi të ecë përpara.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është duke shkuar drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, dhe se çështja është vetëm kur do të bien dakord partitë për datën e tyre - para apo pas zgjedhjeve lokale të tetorit.
Osmani i takoi më 2 korrik krerët e partive më të mëdha politike, me qëllim të gjetjes së ndonjë zgjidhjeje, por rezultat të dukshëm nuk pati.
PDK-ja, më 3 korrik, dhe LDK-ja, më 4 korrik, dërguan kërkesa në Gjykatën Kushtetuese për sqarime shtesë lidhur me atë që ato e konsiderojnë moszbatim të aktgjykimit të saj.
Më 30 qershor, 52 organizata të shoqërisë civile u bënë thirrje partive parlamentare, në veçanti partisë fituese të zgjedhjeve, ta konstituojnë Kuvendin e ri të Kosovës, duke thënë se bllokada po e cenon rendin demokratik.
Deri në gjetjen e "formulës magjike” do të vazhdojmë t’i shohim deputetët duke fajësuar njëri-tjetrin çdo 48 orë...
Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).
Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:
- “Grurin tonë s’e duan”: Fermerët kosovarë thonë se Serbia mbush tregun me grurë të vjetër
- Riparimet në termocentrale: A do të ketë furnizim të qëndrueshëm me rrymë në dimër?
- Kush janë të akuzuarit për sulmin në Banjskë që u panë pranë Presidencës së Serbisë?
Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.