Ndërlidhjet

Kuvendi dështon të konstituohet për herë të 41-të, PDK-ja i drejtohet Gjykatës Kushtetuese


Fotografi nga seanca e Kuvendit të Kosovës e realizuar me 27 qershor 2025.
Fotografi nga seanca e Kuvendit të Kosovës e realizuar me 27 qershor 2025.

Pak orë pasi deputetët dështuan për të 41-tën herë me radhë në përpjekjet e tyre për ta bërë Kuvendin e ri të Kosovës të enjten, partia e dytë më e madhe në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i vlerësojë, siç tha, “shkeljet” në seancën konstituive.

Seanca zgjati sërish vetëm pak minuta dhe udhëheqësi i saj, Avni Dehari, i ftoi deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, të shtunën, më 5 korrik.

Seanca e thirrur për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të vazhduar me hapat e tjerë të konstituimit nuk pati sukses, për shkak të mungesës së pajtueshmërisë ndërmjet partive politike rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Prej kohësh, partitë më të mëdha kanë kundërshtuar propozimin e Vetëvendosjes që Haxhiu, aktualisht ministre në detyrë e Drejtësisë, të zgjidhet në krye të Kuvendit.

Ato e kanë cilësuar Haxhiun si figurë jounifikuese dhe i kanë kërkuar Vetëvendosjes, si fituese e zgjedhjeve, të propozojë një emër tjetër.

Pavarësisht kësaj, Vetëvendosje ka refuzuar të bëjë një ndryshim, duke thënë se propozimi i emrit të kryetarit është e drejtë ekskluzive e fituesit të zgjedhjeve.

Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të funksionojë pa institucione të reja, ndërsa afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i riinterpretuar nga Gjykata Kushtetuese, po shkon drejt përfundimit.

PDK-ja dorëzoi kërkesë në Kushtetuese, pritet ta bëjë edhe LDK-ja

Partia Demokratike e Kosovës tha të enjten pasdite se i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese ta vlerësojë kushtetutshmërinë veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik.

Në kërkesën e saj, PDK-ja konteston: kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë; hedhjen në votim të këtij komisioni; vetë votimin e komisionit; ndërprerjen e seancës pas mosmiratimit të komisionit.

PDK-ja beson se këto veprime janë ndërmarrë “në kundërshtim të hapur” me Kushtetutën e Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit.

Kjo parti kërkon nga Kushtetuesja ta shpallë “antikushtetues” vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë dhe ta shpallë “antikushtetues” vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive, si dhe ta urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, bëri të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Edhe aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese por edhe Kushtetuta janë duke u shkelur në seancat e fundit”, theksoi deputeti i LDK-së, Alban Zogaj.

Një grup pjesëtarësh të organizatave të shoqërisë civile protestuan para Kuvendit të Kosovës, në shenjë proteste për ngërçin politik.

Protestë e shoqërisë civile më 3 korrik para Kuvendit të Kosovës.
Protestë e shoqërisë civile më 3 korrik para Kuvendit të Kosovës.

Avokati Arianit Koci, që ka disa javë që proteston para Kuvendit, në shenjë proteste me vete kishte sjellë edhe gomarë, me të cilët tha se po simbolizon kokëfortësinë që, sipas tij, po e tregojnë deputetët.

Protesta e avokatit Arianit Koci.
Protesta e avokatit Arianit Koci.

Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar disa takime me liderët politikë për të gjetur një zgjidhje, por përpjekjet e saj ende nuk kanë prodhuar një marrëveshje për zhbllokimin e procesit.

Rezultat nuk dha as takimi i 28 qershorit mes liderëve politikë, i thirrur nga kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Njohësit e çështjeve juridike tërheqin vërejtjen se, nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda afatit të përcaktuar, mund të hapet rruga për një krizë edhe më të thellë kushtetuese dhe politike.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG