Presidenti rus, Vladimir Putin e ka arritur objektivin e tij në samitin e mbajtur me presidentin amerikan, Donald Trump në Alaskë, pasi është paraqitur si lider botëror dhe e ka larguar vëmendjen nga agresioni ndaj Ukrainës.
Kështu ka thënë Mikhail Alexseev, profesor i shkencave politike në Universitetin San Diego, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, teksa ka treguar se si e ka parë samitin mes dy liderëve.
Sipas tij, Trump është dukur i matur dhe pa entuziazëm, në mungesë të një marrëveshjeje konkrete. Analisti Alexseev vlerëson se takimi i ka shërbyer më shumë Putinit për të promovuar idenë e një bote me dy fuqi të mëdha.
SHIKONI EDHE: Trump: Takimi me Putinin ishte produktiv, por nuk arritëm marrëveshjeRadio Evropa e Lirë: Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai rus, Vladimir Putin, e përfunduan samitin e tyre. Si e keni parë, kush u ngrit më lart në takim?
Mikhail Alexseev: Qartazi Putini e ka fituar atë që ka dashur nga takimi. E fitoi mirëpritjen, tepihun e kuq, shtrëngimin e duarve. Ai edhe u duartrokit nga Trumpi kur doli nga aeroplani. Në parim, kjo e normalizon pozicionin e tij si lider botëror. E lë anash luftën, e largon vëmendjen nga agresioni rus kundër Ukrainës. Por, përderisa shkrepeshin fotografitë, forcat ruse vazhdonin operacionin ushtarak. Vazhdojnë t’i bombardojnë qytetet ukrainase. Takimi i shërben Putinit në objektivin e shpërfaqjes – shiheni, ne jemi këto dy fuqitë e mëdha. Për të, lufta në Ukrainë është një lloj çështjeje lokale dhe prandaj beson që më mirë të bëjnë biznes dhe përparim së bashku dy palët, ndërsa Ukraina t’i mbetet në dorë Moskës. Kjo është ajo që ai e ka përdorur si taktikë, sipas mënyrës së tij të njohur manipuluese edhe në konferencë për media.
Ishte një fjalim i menduar mirë. Ai e ka nisur me historinë e bashkëpunimit në Luftën e Dytë Botërore. Dhe nëse e mendoni këtë, ai i portretizon liderët ukrainas si neonazistë. Pra, ai ka dashur të thotë, shikoni, tani, sikurse në Luftën e Dytë Botërore, mund t’i bashkojmë forcat kundër atij armiku. Kështu, ai synon të afrohet me Shtetet e Bashkuara dhe ta anashkalojë Ukrainën, si dhe ta portretizojë atë si armike.
SHIKONI EDHE: Trump pret Zelenskyn të hënën në Uashington pas samitit SHBA-RusiAi duket edhe sikur i është drejtuar një pjese të mirë të publikut amerikan, duke thënë se ekzistojnë marrëveshje të mira këtu. Ka marrëveshje të suksesshme ekonomike, dhe nëse vazhdoni të na sanksiononi, ju po ia ktheni armën vetes. Ky ishte një tjetër mesazh. Dhe në fund, ai e ka fajësuar ish-presidentin amerikan, Joe Biden për luftën dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ai sikur ka thënë, kjo është lufta e Zelenskyt dhe Bidenit, prandaj pse të mos e hapim ne një kapitull të ri?
E kam vëzhguar presidentin Trump derisa ai po dëgjonte. Nuk më është dukur i kënaqur. Nuk më është dukur entuziast. Ai ishte shumë i përmbajtur. Ishte shumë diplomatik, deklaratat e tij shumë të shkurtra dhe e theksoi mundësinë për bashkëpunim ekonomik, por asgjë më shumë. Ai e tha shumë qartë që nuk përfundon asgjë pa e arritur një marrëveshje. Besoj që kjo tregon për zemërimin e tij për shkak se nuk është arritur minimumi që e ka pritur, siç ka thënë për televizionin amerikan Fox News, sa ka qenë duke udhëtuar për në Alaskë. Pra që të arrihet armëpushim, apo të ketë lëvizje në atë drejtim.
SHIKONI EDHE: Pesë gjëra që duhet t’i dini për samitin Trump - PutinPra, Putini e ka arritur atë që ka dashur. Donald Trump ka rrugë të gjatë për të bërë për ta kapur ritmin. Kjo nuk do të thotë se ka humbur në këtë takim, mirëpo duket se është më mbrapa, dhe natyrisht se kjo është diçka shqetësuese për ukrainasit, mirëpo në të njëjtën kohë, nuk është bërë asnjë deklaratë publike që i bën thirrje Ukrainës për të bërë koncesione.
Radio Evropa e Lirë: Kjo do të thotë se takimi ishte neutral apo pozitiv për Ukrainën?
Mikhail Alexseev: Do të thosha vetëm neutral. Trump e ka përmendur në konferencë se do të bisedojë me zyrtarë të Ukrainës se për çka është diskutuar. Ne nuk e dimë saktësisht atë çfarë është folur. Pra, dihet se çfarë ka fituar Putini nga takimi, por jo edhe amerikanët.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë besoni se do të ndodhë tash? Pasi nuk është arritur armëpushim, a do të mund të vendosen sanksione, apo ky është hap që Trumpi nuk duhet se ka gatishmëri ta bëjë, me shpresën që negociatat do të vazhdojnë.
Mikhail Alexseev: Duket se Trump dëshiron të hapet me Rusinë për më shumë biznes dhe tani mbetet të shihet nëse mund ta fitojë ndonjë koncesion nga Ukraina, para se të vendosë për hapat tjerë. Unë besoj se nëse nuk do të shohim më shumë presion, sidomos përmes mbështetjes ushtarake, dhe nëse nuk do të ketë sanksione dytësore ndaj shteteve që blejnë energjinë ruse, do të jetë shumë e vështirë të ketë përparim. Besoj që do të merren hapa në këtë drejtim, sepse nuk e shoh Rusinë duke e ndryshuar qëndrimin.
SHIKONI EDHE: Kronologjia e bisedimeve për paqe në UkrainëRadio Evropa e Lirë: Si duhet t’i interpretojmë veprimet ruse në ditët në vazhdim? Nëse shohim bombardime, çfarë do të thotë kjo? Nëse ndalet vala e tyre, si ta komentojmë?
Mikhail Alexseev: Do të duhet ta vëzhgojmë për një kohë, sepse shkalla e bombardimeve në fushëbetejë është rezultat i shumë faktorëve. Rusia shpesh mbledh numër të madh raketash dhe nis sulme të mëdha, sepse e ngarkon më shumë mbrojtjen ajrore ukrainase, dhe më pas pret që të mbledhë më shumë raketa për sulmin e radhës. Duhet të shohim se në cilën pikë të ciklit jemi tani. Ushtria ukrainase ka pasur sukses në goditjen e disa qendrave ushtarake ruse, rafinerive të naftës, dhe ky është një tjetër faktor se si do të përgjigjet Rusia. Pra, janë disa faktorë. Është e vështirë që të kuptohet se si ndikon samiti, përveç nëse Rusia nuk kryen bombardime apo heq dorë nga disa aktivitete, apo për kohë të gjatë, por nuk e besoj që kjo do të ndodhë tani.
SHIKONI EDHE: Ukraina urdhëron më shumë evakuime teksa Rusia shton presionin në fushëbetejëRadio Evropa e Lirë: Ka raportime se Rusia mund ta konsiderojë armëpushimin ajror. A do të ishte kjo diçka pozitive për Ukrainën, duke marrë parasysh se ky është avantazhi i Ukrainës, pasi përmes sulmeve ajrore kryen sulme në tokën ruse?
Mikhail Alexseev: Në këtë pikë të luftës nuk më duket reale, dhe nga diçka e tillë Ukraina do të përfitonte në shumë drejtime, sepse Rusia e ka superioritetin në luftën ajrore. Ajo i ka rreth 700 aeroplanë luftarakë të ndryshëm dhe nëse sulmet ajrore ndalen, Rusia do ta humbte një përparësi që e ka, sepse ajo kryen sulme ajrore në frontin e luftës dhe kështu më pas ushtria arrin të ketë përparim. Por, edhe kjo mund të jetë lëvizje diplomatike. Njëri prej mesazheve që Putin dëshiroi t’ia dërgojë Trumpit është se ai është i interesuar për paqe. Është e mundshme që Rusia do të bëjë propozime që duken joshëse, por ato në thelb nuk do të jenë praktike. E shoh më shumë si manovër diplomatike, si taktikë manipulimi, sepse Putini dëshiron të luajë me kohën. Ai beson se koha është në anën e tij, dhe sa më gjatë të vazhdojnë këto negociata, aq më shumë Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët do të hezitojnë t’i ofrojnë Ukrainës ndihmë ushtarake.
SHIKONI EDHE: Përparimi i papritur rus pranë Pokrovskut ndez alarmin në UkrainëRadio Evropa e Lirë: Kjo edhe mund të jetë arsyeja pse e ka ftuar Trumpin në Moskë.
Mikhail Alexseev: Ajo ishte deklaratë shumë e rëndësishme në konferencën për media, sepse nëse kthehemi mbrapa dhe kujtojmë çfarë ka thënë Trumpi në aeroplan, dhe më përpara, është që ai synonte që samiti ta shtronte rrugën për një tjetër samit në të cilin do të merrnin pjesë Zelensky, Putini dhe SHBA-ja. Mirëpo, Zelensky nuk është përmendur fare në propozime. Pra, mesazhi që Putini ka dëshiruar ta çojë përpara është që t’iu thotë amerikanëve, kjo është marrëdhënia jonë, na e lini Ukrainën neve në duar, por le t’i normalizojmë marrëdhëniet, të hapemi për biznes dhe t’i shfrytëzojmë përparësitë tona. Kjo, natyrisht do të jetë jashtëzakonisht e dëmshme për Ukrainën, dhe nuk do ta sjellë paqen më afër.