Brenda Rubikonit, njësitit elitar rus të dronëve që po bën kërdi në Ukrainë

Ushtarë ukrainas duke operuar me një dron të llojit Vampire në rajonin e Zaporizhjës. 2 shkurt 2024.

Shkurtimisht

  • Njësiti rus i dronëve, Rubikon, po sfidon vijat e mbrojtjes ukrainase, duke përdorur taktika të reja dhe teknologji të avancuar.
  • Rubikon, i themeluar në vitin 2024, është një organizatë sekrete që udhëhiqet nga koloneli rus, Sergei Budnikov.
  • Njësiti ka shënjestruar operatorët ukrainas të dronëve dhe sistemet elektronike, duke shkaktuar humbje të mëdha dhe duke ngushtuar hendekun teknologjik mes dy palëve.

Disa muaj pas inkursionit të befasishëm në Kursk në gusht të vitit 2024, forcat ukrainase u gjetën në vështirësi që të mbanin vijat e tyre në rajonin kufitar rus, duke u përballur me presion të madh nga njësitë e rregullta ruse dhe trupat e Koresë së Veriut.

Më pas, një njësit elitar rus i dronëve, i sapoformuar dhe pak i njohur, e rriti shumë presionin.

Si pjesë e një organizate më të madhe dhe sekrete, të quajtur Rubikon, njësiti punoi në mënyrë metodike, duke goditur vijat që furnizonin pozicionet ukrainase në fshatin Sudzha, dhe duke ua bërë të pamundur ukrainasve që të mbanin vijat.

Në mars, Ukraina përfundimisht u tërhoq nga Kursku.

*Video nga arkivi: Përpjekjet e njësiteve të dronëve për ta mbrojtur Ukrainën

Your browser doesn’t support HTML5

“Ata na ndjekin neve, ne ata”: Përpjekjet e njësiteve të dronëve për ta mbrojtur Ukrainën

Pas pothuajse 44-muaj që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, Kievi është mbështetur në zgjuarsi dhe shpejtësi për të krijuar armë dhe taktika të reja për t’iu kundërvënë Rusisë, që ka ushtri më të madhe. Moska është përgjigjur në të njëjtën mënyrë, duke ndryshuar ngadalë taktikat e saj dhe duke përditësuar teknologjinë e saj.

Njësiti Rubikon po shkakton probleme të mëdha përgjatë vijës së frontit 1.100 kilometra të gjatë dhe Ukraina po has në vështirësi që t’i kundërvihet. Gjetjet e reja nga Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë hedhin më shumë dritë mbi njësitin dhe mund të jetë i strukturuar.

“Rusia kishte disa njësite të fuqishme sulmuese [me dronë] në Kurs, por Rubikoni ishte kryesori atje. Për këtë arsye, Ukraina nuk mund të furnizonte normalisht trupat e saj”, tha Rob Lee, ish-zyrtar i Marinës amerikane, i cili aktualisht është analist ushtarak në Institutin për Kërkime të Politikës së Jashtme.

“Ata ishin arsyeja kryesore pse Rusia ishte në gjendje ta rimarrë rajonin e Kurskut në shkurt dhe në mars”, tha ai për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë.

Rubikoni është bërë “njësiti më i mirë teknologjik i Rusisë”, tha Maria Berlinska, udhëheqëse e Qendrës për mbështetjen e vëzhgimit ajror të Ukrainës, organizatë joqeveritare që ndihmon ushtrinë.

“Rubikoni ka një menaxhim brilant, bën një punë sistematike, zgjedh personelin më të mirë, ofron trajnime dhe furnizon të gjitha burimet e nevojshme. Ata derdhin para aty”, tha Berlinska në një postim në Facebook më 21 gusht. “Të gjithë që e dinë se si funksionon Rubikoni bien dakord për një gjë: është shumë efektiv. Është një sistem, ndërsa shumica e vijës së frontit [të Ukrainës] është ende në gjendje kaosi”.

Kush e udhëheq Rubikonin?

I themeluar në verën e vitit 2024, ndoshta me urdhrat e ministrit të ri të Mbrojtjes, Andrei Belousov, njësiti sekret njihet zyrtarisht me emrin Qendra Rubikon e Sistemeve të Avancuara Pa Pilot. Megjithatë, ky njësit nuk gjendet në bazën e të dhënave të Rusisë dhe lidhja e tij me Ministrinë e Mbrojtjes është e paqartë.

Ministri rus i Mbrojtjes, Andrei Belousov. Fotografi nga arkivi.

Komandanti i njësitit, sipas gjetjeve të Shërbimit rus të REL-it, duket të jetë koloneli Sergei Budnikov, 37 vjeç, ish-oficer i artilerisë dhe marinës.

Budanikov shfaqet në një video të publikuar në fillim të shkurtit nga Vladimir Solovyov, gazetar i televizionit shtetëror rus që njihet për amplifikimin e propagandës së Kremlinit dhe të përhapjes të teorive konspirative.

Një fotografi e publikuar në llogarinë – tashmë të fshirë – në rrjetet sociale të gruas të Sergei Budnikovit, komandantit të Rubikonit.

Emri i Budnikovit shfaqet edhe në dy letra mirënjohjeje të publikuara në korrik të vitit 2025 në ueb-faqe e Brotherly Heart, një organizatë bamirëse që ndihmon veteranët rusë të luftës në Ukrainë. Bordi i kësaj organizate përbëhet nga ish-oficerë rusë të inteligjencës.

Fotografi të tjera të Budnikovit u shfaqën edhe në llogarinë e bashkëshortes së tij në VK – llogari që tani është fshirë.

Një rekrutues që ka bërë vlerësimin e kandidatëve për Rubikon, i tha Radios Evropa e Lirë se bonuset për nënshkrimin e kontratës me këtë njësit ishin në nivelin e bonuseve që jepen për njësi të tjera ushtarake në rajonin e Moskës: deri në 3 milionë rubla (36.000 dollarë).

Rubikon duket se është një organizatë hibride që jo vetëm blen dhe zhvillon teknologji të re për dronët, por po ashtu teston taktika të reja dhe trajnon operatorët e dronëve. Deri në pranverë të vitit 2025, kishte shtatë njësite të njohura të Rubikonit, secili nga ta kishte personel prej 130-150 personash, tha Lee, i cili rregullisht viziton vijat e frontit të Ukrainës.

Një prej bazave kryesore apo qendrave trajnuese të Rubikonit duket se gjendet në Qendrën Patriot të Ekspozitave dhe Kongresit, sipas një videoje të publikuar nga Solovyov dhe video të tjera të publikuara nga Ministria e Mbrojtjes, përfshirë një që e shfaq Belousovin duke e vizituar qendrën.

Objekti i madh, në periferi të Moskës, që në të kaluarën ka qenë mikpritës i ekspozitave të mëdha ushtarake, u godit nga një sulm me dronë i Ukrainës më 22 maj, por shkalla e dëmit të shkaktuar nga ky sulm mbetet i paqartë. Tri ditë më vonë, punëtorët duket se nisën ndërtimin e një kulle për sistemin e mbrojtjes ajrore, Pantsir.

Masa, kundërmasa, kundërmasa

Analistët ushtarakë kanë vëzhguar me kujdes zhvillimin e taktikave të luftës, teksa të dyja anët po ngarendin të zhvillojnë teknologji dhe sisteme të reja. Dominimi i dronëve ka shkaktuar ndryshim të madh të taktikave në fushëbetejë, në disa raste duke i larguar krejtësisht nga artileria tradicionale.

Të dyja palët po ashtu po ngarendin që të zhvillojnë kundërmasa.

Për shembull, një numër gjithnjë e në rritje rrugësh në territoret e kontrolluara nga Ukraina tani janë të mbushura me tunele, të dizajnuara për të penguar dronët që të ndjekin automjetet në lëvizje. Operatorët ukrainas të dronëve kanë eksperimentuar me dronët që hedhin rrjeta nga lartë, me synimin që të kapin dronët rusë.

*Video: Ukraina lëshon rrjeta për të rrëzuar dronët rusë

Your browser doesn’t support HTML5

Si po lëshon Ukraina rrjeta për t’i rrëzuar dronët rusë nga qielli

Budnikov nuk iu përgjigj pyetjeve që REL-i i dërgoi përmes emailit.

Ukraina dhe Rusia me shpejtësi po tentojnë të ndërtojnë flota të dronëve me fibra optike që lëshojnë fije me kilometra teksa fluturojnë, duke u mundësuar operatorëve të dronëve të sulmojnë dhe të vëzhgojnë pozicionet armike pa u penguar nga pajisjet elektronike.

“Ukraina kishte dhe ende ka një përparësi në zhvillimin dhe përdorimin e teknologjisë pa pilot, por kryesisht falë Rubikonit, ky hendek po ngushtohet”, tha Lee.

“Ajo çfarë më befason është se si rusët përmirësuan kapacitetet e tyre, se si po i përdornin dronët”, tha për REL-in, Konrad Muzyka, analist ushtarak me bazë në Poloni, pas udhëtimit që zhvilloi në pozicionet e avancuara ukrainase në korrik. “Rubikoni po shkatërron vijat e dyta ukrainase dhe vijat e treta [të mbrojtjes] dhe po e bënë këtë në një mënyrë shumë sistematike, shumë metodike”.

*Video nga arkivi: Dronët me fibra optike ndryshojnë luftën në Ukrainë

Your browser doesn’t support HTML5

Dronët me fibra optike ndryshojnë luftën në qiejt e Ukrainës

Brenda Rubikonit, çdo njësit është i specializuar në një aspekt të luftës ukrainase me dronë: disa shënjestrojnë dronët, të tjerë ndjekin dronët vëzhgues, ndërkaq disa të tjerë fokusohen te dronët që bartin sasi të mëdha të eksplozivit apo ndjekin dronë të vegjël.

Rubikon po ashtu është i specializuar në luftën elektronike dhe të zbulimit të sinjaleve të radios, gjë që ndihmon në lokalizimin e dronëve ukrainas dhe operatorëve të tyre.

Që nga shkurti, njësitet e Rubikonit në mënyrë sistematike kanë shënjestruar operatorët ukrainas të dronëve të cilët i fluturojnë dronët nga pozicione shumë larg vijave të frontit. Në një lokacion, një brigadë ukrainase raportoi se kishte humbur deri në 70 për qind të operatorëve të dronëve brenda një jave për shkak të sulmeve të njësisë Rubikon, tha Lee.

Deri në shtator, sipas statistikave të nxjerra nga LostArmour, një ueb-faqe pro Kremlinit që grumbullon të dhëna, mbi 25 për qind e të gjitha sulmeve të Rubikonit shënjestruan dronët, ndërkaq një 15 përqindësh tjetër kishte shënjestruar sisteme të ndryshme radari, komunikimi dhe të pajisjeve elektronike.

SHIKONI EDHE: Pse Rusia e do me ngulm Pokrovskun e Ukrainës?

Koloneli Kyrylo Veres, që komandon një regjiment ukrainas të dronëve, tha se operacionet e Rubikonit ishin “të klasit të parë”.

“Vendet ku ata operojnë, ku punojnë; nuk ua kam zili njësiteve [ukrainase]”, tha Veres në korrik për Ukrayinska Pravda. “Ata janë më të mirët. Të shkëlqyer. Le të shpresojmë që të mos avancojnë më shumë”.

Denys Mishchenko, një ushtar i Brigadës së 12-të të Forcave Speciale Azov, tha se njësitet e Rubikonit “duhet të studiohen, të analizohen dhe duhet të gjenden kundërmasa”.

“Ky është një armik shumë i fuqishëm, të cilit duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje”, shkroi ai në X. “Nëse i keni takuar, e dini se për çfarë po flas”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku