Si do të mund ta ndihmonin Ukrainën raketat amerikane Tomahawk
Një version i hershëm i raketës Tomahawk, duke u testuar mbi Nju-Meksiko, më 1976.
Tomahawk u krijua në vitet '70, mes tensioneve të Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik. Raketa lundruese është e menduar për të fluturuar në largësi të mëdha, mjaftueshëm ulët për të shmangur shumicën e radarëve, me shpejtësi të një avioni pasagjerësh.
Fotografi e kombinuar që shfaq një Tomahawk duke shpërthyer mbi një aeroplan, gjatë testimeve më 1986.
Raketa me gjatësi prej 5.5-metrash është e pajisur me një predhë me peshë prej gjysmë toni, dhe mund të fluturojë rreth 1.600 kilometra.
Kombinimi i rrezes së veprimit, shpejtësisë dhe fuqisë shkatërruese e bën atë të jetë armë që s'e ka shokun në fushëbetejë në Ukrainë.
Secila raketë është e pajisur me sisteme komplekse të brendshme të navigacionit, dhe kushton rreth 2 milionë dollarë.
Një Tomahawk duke fluturuar pranë një avioni luftarak F-14 të marinës së SHBA-së, mbi Kaliforninë jugore, më 2002.
Kievi ka bërë vazhdimisht thirrje për furnizim me raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi. Më 2024, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, la të kuptohet se Kievi kishte kërkuar Tomahawk. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë asokohe u raportua ta kishte quajtur kërkesën "tërësisht të parealizueshme".
Personeli i marinës britanike duke ngarkuar një Tomahawk në një bazë detare në Oqeanin Indian, në nëntorin e vitit 2001.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur zemërim gjithnjë e më të madh me Moskën për shkak të ngecjes së negociatave për paqe. Furnizimi i mundshëm i Ukrainës me Tomahawk u raportua të jetë kthyer në agjendë së voni, teksa Shtëpia e Bardhë po synon ta detyrojë Kremlinin "t'i përjetojë dhimbjet" e luftës që ka nisur.
Një Tomahawk e lëshuar nga një nëndetëse duke goditur një objektiv në Ishullin San Klementi, një qendër stërvitore e marinës amerikane pranë bregut të Kalifornisë jugore, gjatë një prove të kryer në nëntorin e vitit 1998.
Në një bisedë telefonike në fillim të muajit korrik, presidenti Trump raportohet ta ketë pyetur homologun Zelensky: "Volodymyr, a mund ta godisni ju Moskën? [...] A mund ta godisni edhe Shën Petersburgun?". Presidenti ukrainas thuhet të jetë përgjigjur: "Sigurisht se po. Mundemi, nëse na i jepni armët".
Më 15 korrik, Trump mohoi se po synon ta armatosë Kievin me raketat me rreze të gjatë veprimi.
Një anije e marinës amerikane duke lëshuar një raketë Tomahawk në Detin Mesdhe, në marsin e vitit 2011.
Nuk dihet se si do ta përdorte Ukraina armën, e cila lëshohet zakonisht nga anijet apo nëndetëset luftarake.
Raketat Tomahawk mund të lëshohen edhe nga disa aeroplanë luftarkë, por një zyrtar ukrainas ka pranuar se ato "nuk janë të lehta për t'u përdorur" pa avionë bombardues strategjikë, të cilët Kievi nuk i ka.
Sistemet amerikane Typhoon, të cilat mund të lëshojnë raketa lundruese Tomahawk.
Raketalëshues të rinj tokësorë për Tomahawk ekzistojnë, por teknologjinë aktualisht e zotëron vetëm SHBA-ja.
Sistemet e lëshimit nga toka për raketat lundruese nisën të ndërtohen pas dështimit të Traktatit për Forcat Bërthamore me Rreze Mesatare Veprimi, më 2019. Marrëveshja SHBA-Rusi ndalonte raketat tokësore me rreze prej ndërmjet 500 dhe 5.500-kilometrash.