Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Besnik Bislimi, zhvilloi ditë më parë takim me homologun serb, Petar Petkoviq, me ndërmjetësimin e emisarit evropian, Peter Sorensen. Por, legjitimiteti i përfaqësimit të Kosovës në këtë proces po kontestohet nga parti politike dhe njohës të çështjeve ligjore. Pse?
Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.
Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!
🎧 Dëgjo këtë newsletter:
Your browser doesn’t support HTML5
A ka Qeveria në detyrë e Kosovës legjitimitet për dialog me Serbinë?
Pas rundit të fundit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, më 10 qershor, në nivel të kryenegociatorëve, emisari evropian, Peter Sorensen, paralajmëroi përgatitjet për organizimin e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të procesit për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
Por, vazhdimi i dialogut me palën serbe nga Qeveria në detyrë e Albin Kurtit po kundërshtohet në Kosovë, ku Kuvendi ende nuk e ka përmbyllur procesin e konstituimit, që do t’i hapte rrugë formimit të ekzekutivit të ri.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kontestoi legjitimitetin e kryenegociatorit aktual, Besnik Bislimi, për t’u angazhuar në bisedime me Serbinë, pas takimit që ai zhvilloi të martën me homologun serb, Petar Petkoviq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).
Edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) konsiderojnë se Qeveria në detyrë nuk ka mandat legal dhe as legjitim për të vazhduar dialogun me Serbinë.
“Mandati kushtetues [4-vjeçar] i kësaj Qeverie ka përfunduar më 22 mars dhe, prej asaj kohe, ajo ushtron vetëm funksione kujdestare, të kufizuara në menaxhimin e përditshëm të punëve publike”, thotë Naim Jakaj nga kjo organizatë, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë (REL).
Sipas tij, Qeveria në detyrë nuk ka as mbështetjen politike të Kuvendit, e as mandatin për të ndërmarrë veprime që krijojnë pasoja të qëndrueshme për shtetin, përfshirë këtu edhe marrëveshje ndërkombëtare të natyrës politike apo juridike.
“Dialogu me Serbinë është një proces që kërkon vendimmarrje politike të nivelit të lartë dhe përgjegjësi të plotë institucionale – gjë që një qeveri në detyrë nuk mund ta përmbushë, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Qeverinë”, thekson Jakaj.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një takimi.
LDK dhe PDK kundërshtojnë, BE hesht
LDK-ja, përmes një komunikate, tha se çdo marrëveshje apo angazhim eventual i ndërmarrë në këtë fazë në dialogun me Serbinë “nuk do të prodhojë obligime për Kosovën”.
Deputeti dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë për REL-in se, në kontekstin e dialogut me Serbinë, as Bislimi dhe as kryeministri në detyrë i Kosovës, Kurti, “nuk kanë mandat të vendosin për asgjë, deri në votimin e qeverisë së re”.
Për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), shkuarja e Bislimit në takimin trepalësh me Sorensenin dhe Petkoviqin ishte “udhëtim i kotë”.
“Ai takim ka qenë ndoshta njëfarë arsyetimi për të tri palët që kanë marrë pjesë aty, se kinse po bëjmë diçka. Por, prej atyre takimeve, nuk besoj që do të ketë çfarëdo rezultati të fundit”, u shpreh kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, para gazetarëve.
Megjithatë, asnjëra nga partitë nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se si dhe ku do ta kontestonin ligjërisht çfarëdo pajtimi eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çfarëdo qoftë, në fazën e tanishme.
Zyra e zëvendëskryeministrit në detyrë, Bislimi, nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it që të komentojë pretendimet e PDK-së dhe LDK-së para dërgimit të këtij newsletter-i në adresat e abonuesve, të enjten, por vetë Bislimi, më vonë, përmes një postimi në Facebook, i është përgjigjur akuzave të LDK-së.
"Nuk ka marrëveshje apo obligime të reja që rrjedhin nga Brukseli. Ato veçse janë ekzistuese dhe duhet të zbatohen. Në këtë fazë nuk po negociohet në Bruksel një marrëveshje e re. E kemi Marrëveshjen Bazike që më shumë se dy vite, por ajo duhet zbatuar", ka shkruar ai.
"Mandati si zëvendëskryeministër në detyrë është mandat legjitim, demokratik, kushtetues dhe ligjor, për të udhëhequr sipas kompetencave shtyllat e integrimit evropian, zhvillimit dhe dialogut", ka thënë Bislimi.
Ndërkaq, BE-ja nuk i është përgjigjur interesimit të REL-it se a përbën situata aktuale politike në Kosovë, më konkretisht fakti që qeveria është në detyrë, një sfidë për vazhdimin e procesit të dialogut.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke pritur një zyrtar të lartë evropian, para ndërtesës së Qeverisë, në Prishtinë.
Kufizimet e Qeverisë në detyrë
Por, Jakaj nga IKD-ja thekson se BE-ja, si lehtësuese e dialogut, ndjek një qasje pragmatike për të ruajtur vazhdimësinë e procesit dhe për të shmangur mungesën diplomatike.
“Edhe pse është e vetëdijshme për statusin e kufizuar të Qeverisë së Kosovës, BE-ja ndoshta synon që me takime të nivelit të ulët ose teknik të ruajë një formë të dialogut, pa marrë vendime apo arritur marrëveshje përfundimtare”, thotë Jakaj.
Emisari evropian për dialogun, Sorensen, ka kërkuar edhe një takim me kryenegociatorët në korrik, ndërsa ka paralajmëruar takim të nivelit të lartë – pa saktësuar se kur mund të ndodhë ai.
Jakaj konsideron se në kushtet aktuale, “nuk është as e arsyeshme dhe as e përgjegjshme të planifikohet një takim i nivelit të lartë politik që do të çonte në marrëveshje të reja”.
“Një proces i tillë do të ishte i paqëndrueshëm dhe do të mund të provokonte krizë kushtetuese apo delegjitimim të brendshëm të dialogut”, thotë Jakaj.
Ligji për Qeverinë saktëson se një qeveri në detyrë nuk mund të tejkalojë autorizimet e saj të kufizuara dhe ndalon qartë ndërmarrjen e vendimeve madhore.
Në këtë kontekst, Jakaj thekson se as kryenegociatori Bislimi, dhe as Qeveria në detyrë, ligjërisht nuk mund të pajtohen apo të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje në këtë fazë, në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë.
Çdo marrëveshje e nënshkruar nga një qeveri në detyrë, thotë ai, mund të trajtohet si juridikisht e pavlefshme, “pasi është arritur pa bazë të plotë kushtetuese dhe jashtë mandatit politik”.
Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).
Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:
- "Për disa, lufta s'ka përfunduar" - Rrëfimet e grave që lufta i ndëshkoi e shoqëria i heshti
- Energjia në treg të lirë: Ndikimi në çmimet e shërbimeve publike
- Pse po kërkohet rikthimi i Ministrisë së Mirëqenies Sociale?
Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.