Proteza e paruke për gratë e prekura nga kanceri në gji

Dhjetëra gra të prekura nga kanceri i gjirit, prej të gjitha vendeve të Kosovës, ishin mbledhur më 15 tetor në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ato po prisnin që të merrnin nga një protezë gjiri.

Pritja në Klinikën e Onkologjisë për të marrë shërbime.

Kanceri i gjirit është lloji më i shpeshtë i kancerit te gratë.

“Kam ardhur në mëngjes nga Prizreni që ta marr një protezë”, thotë Violeta Thaçi.

Violeta shihet duke mbajtur në duar protezën e gjirit të cilën e mori në klinikë.

Për Violetën, kjo është hera e parë që merr një protezë të tillë, pas operacionit që kishte pasur një vit më parë për ta larguar gjirin, meqë ishte prekur nga kanceri.

Ajo thotë se me protezën e siguruar do të ndihet me mirë.

“Është hera e parë dhe sigurisht që më bën të ndihem mirë me trupin tim”.

Proteza dhe një çokollatë me mbishkrimin "Shpresa është më e fortë sesa frika".

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e Muajit Ndërkombëtar të Luftimit të Kancerit të Gjirit, ishte e pranishme në Klinikën e Onkologjisë në QKUK.

Zyra e saj, në bashkëpunim me Shoqatën “Jeta Vita”, dhe drejtoreshën e saj Nafije Latifi, i kanë shpërndarë mbi 600 proteza dhe paruke për gratë e prekura nga ky lloj kanceri.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani (djathtas) me drejtoreshën e organizatës joqeveritare, "Jeta Vita", Nafije Latifi.

“Diku 640 pako onkologjike janë si një donacion nga Presidenca, dhe këto donacione jemi duke i ofruar për pacientet që kanë vuajtur nga kanceri i gjirit”, tha Osmani.

Paruke që u janë dhënë grave që vuajnë nga kanceri.

Edhe Drita, paciente, po priste që të merrte një protezë të dytë.

“Jam informuar se nga sot do të nisë shpërndarja e protezave. Unë e kam një, por e kam larguar edhe gjirin tjetër, më duhet edhe një. Po shpresoj se do të mund ta siguroj. T’ju them të drejtën kam shumë nevojë, sepse po mundohem që t’i bëj disa improvizime, por nuk po dukem normale edhe nuk po ndihem rehat”, tha Drita, grua në të 50-tat, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Protezë gjiri.

Përgjatë nëntë muajve të këtij viti, në Kosovë janë regjistruar 330 raste të reja me kancer të gjirit.

Prej tyre janë tre meshkuj.

Drejtuesit e Klinikës së Onkologjisë thanë se numri i të prekurve nga kanceri i gjirit në Kosovë, në dy-tre vjetët e fundit, është afërsisht i njëjtë.

Ky, sipas tyre, është lajm i mirë: nuk ka trend të rritjes së sëmundjeve malinje, në krahasim me vitin 2022.