Bizneset protestojnë, bllokohen hyrjet për në Prishtinë

Mëngjesin e së enjtes, ata filluan t’i bllokojnë hyrjet në Prishtinë në Veternik, te rrethi i flamurit, te qendra Dukagjini në rrugën drejt Fushë-Kosovës, në rrugën drejt Mitrovicës, si dhe në rrugën nga Podujeva, te Sharbani (Vranjevci).

Bllokimi do të zgjasë nga ora 10:00 deri në orën 12:00.

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë do të hyjë në fuqi më 1 qershor. Vendimi nënkupton se të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji përmes tarifave të rregulluara, por duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë.

Ky vendim përfshin kompanitë me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro.

Përfaqësuesit e bizneseve thonë se janë kundër liberalizimit të tregut të energjisë, pasi nuk janë bërë përgatitjet e nevojshme për këtë ndryshim. Ata kërkojnë që ky vendim të shtyhet për një vit.

Në Kosovë janë të regjistruara mbi 1.000 kompani të tilla që konsumojnë rreth 37% të energjisë së përgjithshme të shpenzuar.

Bllokada te qendra Dukagjini në rrugën drejt Fushë-Kosovës.

Zyra e Rregullatorit për Energji tha për REL më 28 maj se nuk do të ketë shtyrje të afatit për liberalizimin e tregut të energjisë.

Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.

Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në vendet e Bashkimit Evropian ka filluar në fund të viteve ‘90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.