Kuvendi i Serbisë do të përshpejtojë ndërtimin e pronës së Jared Kushnerit

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, njoftoi vitin e kaluar se planifikon të ndërtojë një objekt hotelier në Beograd, me vlerë 500 milionë dollarë.

Shkurtimisht

  • Kuvendi i Serbisë pritet të miratojë një ligj të posaçëm për të përshpejtuar projektin 500 milionë dollarësh të Jared Kushnerit në ish-godinën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë.
  • Kushner planifikon të zhvillojë një resort luksoz edhe në Ishullin e Sazanit në Shqipëri.
  • Të dyja projektet kanë ngjallur shqetësime për transparencën dhe ndikimet mjedisore, dhe ende nuk ka informacione të plota publike për lejet, kontratat dhe planet përkatëse të ndërtimit.

Kuvendi i Serbisë pritet të miratojë një ligj të posaçëm për të përshpejtuar projektin e ndërtimit që Jared Kushner - dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump - planifikon në Beograd, pavarësisht kundërshtimeve lokale.

Ligji, i cili do të shqyrtohet më 4 nëntor, mbështetet nga partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili e ka përshkruar projektin si “një hotel madhështor”.

Kushner, bashkëshorti i Ivanka Trumpit dhe këshilltar në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të Trumpit, vitin e kaluar bëri publik planin për një kompleks hotelier prej 500 milionë dollarësh në qendër të Beogradit.

Projekti përqendrohet në ish-godinën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, në zemër të kryeqytetit, e cila u bombardua nga NATO-ja në pranverën e vitit 1999, gjatë fushatës për të ndaluar sulmet serbe në Kosovë.

Me gjithë dëmtimet, ndërtesa mbeti nën mbrojtje, për shkak të vlerës arkitekturore, sipas aktivistëve lokalë.

Ligji i ri i propozuar e anashkalon këtë mbrojtje, duke e shpallur projektin “prioritet kombëtar”.

Ai parashikon që “të gjitha procedurat për zbatimin e projektit të rindërtimit të Shtabit të Përgjithshëm të trajtohen si urgjente” dhe që “të gjitha institucionet shtetërore të marrin vendime brenda kompetencave të tyre pa vonesa”.

SHIKONI EDHE: Pse po hetohen investimet e Kushnerit në Shqipëri e Serbi?

Si erdhi deri këtu?

Ky ligj pason një sërë përplasjesh rreth projektit.

Në nëntor të vitit 2024, Qeveria serbe hoqi statusin e mbrojtur të ndërtesave, duke hapur rrugën që kompania e Kushnerit të vazhdonte me projektin.

Një gjë e tillë ngjalli zemërim te mbrojtësit e trashëgimisë kulturore.

Në maj, Prokuroria njoftoi se zyrtari përgjegjës për mbrojtjen e këtij objekti kulturor, kishte falsifikuar një nënshkrim në një dokument kyç dhe ishte arrestuar.

Goran Vasiq, drejtor në detyrë i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, pranoi se kishte sajuar një opinion ekspertësh, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

SHIKONI EDHE: A është vënë në pikëpyetje projekti i dhëndrit të Trumpit në Beograd pas pranimit të falsifikimit?

Kompania e Kushnerit, Affinity Partners, e mohoi çdo përfshirje në falsifikimin e dokumenteve dhe premtoi se do të ndërtojë një kompleks përkujtimor brenda objektit, kushtuar viktimave të bombardimeve të NATO-s.

Objekti u përfshi në listën e këtij viti të vendeve të trashëgimisë më të rrezikuara në Evropë nga Europa Nostra - organizata më e madhe e mbrojtjes së trashëgimisë në kontinent.

Kur një delegacion nga ky grup vizitoi objektin në muajin korrik, tha se ai është “simbol i përgjegjësisë kolektive për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të shekullit 20”.

Brenda Serbisë, projekti ngjalli kritika të mëdha.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Zdravko Ponosh, akuzoi presidentin Vuçiq se “po investon në të ardhmen e tij politike”, duke e krahasuar dhënien e kontrollit mbi këtë vend me “dorëzimin e një stolie familjare”.

Politikanë nga të gjitha anët e spektrit politik kërkuan që ndërtesa të ruhet si monument historik.

SHIKONI EDHE: Vuçiq pretendon se nuk ka vonesa e as falsifikim për projektin e Kushnerit në Beograd

“Një destinacion që nuk duhet humbur”

Por, Vuçiq deklaroi se projekti “do të ndihmojë që kryeqyteti ynë të bëhet qendra e këtij rajoni të botës” dhe do ta pozicionojë Beogradin si “një destinacion që nuk duhet humbur”.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Përparimtare Serbe, Millenko Jovanov, refuzoi të komentonte propozim-ligjin për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, duke thënë vetëm se “shpjegimi është në faqen e internetit të Kuvendit”, ndërsa “pjesën tjetër do ta dëgjoni gjatë debatit”.

Në shpjegimin e ligjit, të postuar në faqen e internetit të Kuvendit serb, thuhet se ndërtesat u dëmtuan ndjeshëm gjatë bombardimeve të NATO-s dhe se përdorimi i tyre është bërë i pamundur.

Aty, po ashtu, thuhet se projekti i rivitalizimit të kompleksit përfaqëson “një interes publik me rëndësi për zhvillimin ekonomik të Serbisë”.

Radio Evropa e Lirë kërkoi komente nga kompania Affinity Partners për projektligjin, por nuk mori përgjigje.

Projekti në Shqipëri

Your browser doesn’t support HTML5

Brenda ishullit Sazan ku Jared Kushner planifikon një kompleks luksoz

Kushner ka plane për një projekt edhe në bregdetin Adriatik të Shqipërisë.

Projekti parashikon shndërrimin e Ishullit të Sazanit - të mbushur me bunkerë dhe tunele të braktisura nga epoka komuniste - në një vendpushim luksoz.

Projekti prej 45 hektarësh, i miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike më 30 dhjetor 2024, vlen 1.4 miliard euro dhe pritet të krijojë rreth 1.000 vende pune në Shqipëri.

Komiteti tha se projekti përmbush kriteret ligjore të Shqipërisë për investime strategjike, që u japin zhvilluesve përfitime, si procedura të përshpejtuara dhe stimuj të tjerë.

Kushner ndau për herë të parë projektimet paraprake për resortin në mars të vitit 2024.

Shteti shqiptar krijoi më 26 qershor të këtij viti një kompani të re, Albanian State Development & Real Estate, me kapital 50 milionë lekë, apo rreth 600.000 dollarë.

Kompania do të përfaqësojë shtetin në partneritetin publik-privat për Ishullin e Sazanit.

Detyra e saj është të menaxhojë dhe zhvillojë pronat, të sigurojë ndërtim ekologjik dhe të mbikëqyrë kontratat dhe bashkëpunimet për projektin.

Qëllimi i deklaruar është që resorti të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe në interes të publikut.

Pavarësisht miratimeve zyrtare, shumë detaje të projektit mbeten të paqarta.

Nuk ka informacione publike nëse kontratat janë nënshkruar, nëse lejet mjedisore janë lëshuar, nëse studimet e fizibilitetit kanë përfunduar apo planet e ndërtimit janë miratuar.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi për këtë temë Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, kompaninë Albanian State Development & Real Estate dhe Bashkinë e Vlorës - autoritetin lokal për Ishullin e Sazanit - por nuk mori përgjigje.

Organizatat joqeveritare dhe autoritetet lokale e kanë kritikuar procesin për mungesë transparence dhe kanë shprehur shqetësime për mjedisin.

Resorti, që do të mbulojë rreth 8% të Ishullit të Sazanit, pritet të përfshijë një marinë, rezidenca luksoze, zona gastronomike dhe objekte akomodimi.