Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës nuk duhet të bllokohet nga mungesa e një nënkryetari, si dhe e kritikoi Listën Serbe se po “synon” ta bllokojë formimin e institucioneve të vendit.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Osmani tregoi se sapo i ka dërguar komentet e saj në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me ankesën e partisë më të madhe të serbëve për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit.
“Në rrethana kur bllokohet puna e Kuvendit, përkundër faktit që kryesia ka kuorum, pamundësohet ushtrimi i sovranitetit. Bllokimi i Kuvendit për mos përzgjedhjen e një nënkryetari, përderisa kryesia ka kuorum, do t'i cenonte në mënyrë serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar republika jonë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se “po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti në tërësi. Një shtet pa institucione është shtet i dështuar”.
“Përderisa kemi kryetar, ka kuorum dhe kryesi, Kuvendi nuk duhet të bllokohet. Pozita që i takon komunitetit serb mbetet për komunitetin serb. Askush nuk do ta zërë atë vend, ai do të plotësohet në një seancë të radhës”, theksoi ajo.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.
SHIKONI EDHE: Kushtetuesja vendos masë të përkohshme që ndalon çdo veprim për formimin e QeverisëGjykata e vendosi këtë masë - që do të jetë në fuqi deri më 30 shtator - në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.
Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.
Gjykata theksoi se - pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit - "është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit".
Ankesa e Listës Serbe - që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar - erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.
Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte vetëm Sllavko Simiqin edhe pasi ai dështoi t’i merrte 61 votat e nevojshme pas tri rundeve të lejuara të votimit.
Kur ajo nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, Basha vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.
Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit. As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme.
Bashka e shpalli njëanshëm të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pavarësisht moszgjidhjes së nënkryetarit të pestë.
Osmani tha se në komentet e saj, i ka kërkuar Kushtetueses të mos lejojë që kushdo të ketë të drejtën e vetos mbi proceset e rëndësishme të vendit.
“Nuk është hera e parë që Lista Serbe është larguar nga institucionet, por kjo nuk e ka bllokuar shtetin, sepse shteti duhet të ecë përpara. Duke ia dhënë një veto të tillë një partie që përfaqëson një komunitet, Republika do të zhvleftësohej në një copë letre në vend se të ishte në veprim të mbrojtjes së interesit të qytetarëve. Është në duart e kësaj Gjykate ta mbrojë shtetin”, ka thënë ajo.
Lista Serbe i kishte braktisur në vitin 2022 institucionet e Kosovës në veri të vendit, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me ato të Kosovës.
Megjithatë, ajo iu rikthye proceseve zgjedhore dhe do të garojë edhe në zgjedhjet lokale në tetor.
Osmani shpreson në themelimin e institucioneve të reja pas 30 shtatorit
Presidentja tha se shpreson se Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim për ta shpallur të konstituuar Kuvendin e Kosovës dhe që vendi t’i themelojë shpejt institucionet e reja, pothuajse shtatë muaj pas zgjedhjeve të shkurtit.
Osmani tha se do ta caktojë mandatarin për kryeministër të vendit menjëherë, nëse vendimi i Kushtetueses është pozitiv – që në këtë rast i bie nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.
“Menjëherë pas 30 shtatorit... me shpresën që do të ketë vendim në frymën pozitive të konstituimit, po atë ditë do ta thërras partinë e parë dhe menjëherë do të procedojë edhe me caktimin e mandatarit. E pastaj punët e tjera janë në duar të partive, kush e krijon shumicën, si e krijojnë shumicën, si votohet qeveria, ato pastaj janë jashtë këtij institucioni”, tha Osmani.
SHIKONI EDHE: Kurti kritikon Kushtetuesen teksa LVV-ja e propozon sërish për kryeministërVetëvendosje, e cila e ka të drejtën e mandatarit e para, e propozoi sërish Albin Kurtin për kryeministër në një takim të partisë në fundjavë.
Megjithatë, Vetëvendosje me 48 ulëse në Kuvend nuk e ka shumicën dhe do t’i duhej të arrijë marrëveshje për koalicion qeverisës për ta formuar Qeverinë në rast se gjykata e jep dritën jeshile pas 30 shtatorit.