Ndërlidhjet

Kushtetuesja vendos masë të përkohshme që ndalon çdo veprim për formimin e Qeverisë

E përditësuar

Ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese e Kosovës.
Ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës njëzëri ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Masa do të jetë në fuqi nga 5 shtatori deri më 30 shtator.

Kjo masë u vendos nga Gjykata në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Kushtetuesja tha se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme, sepse ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi për koment Qeverinë në detyrë të Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha në Facebook se e mori vendimin e Kushtetueses, por nuk komentoi më shumë.

Dokument: Masa e përkohshme e vendosur nga Kushtetuesja

Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata theksoi se - pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit - "është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit".

Ajo shtoi se masën e vendosi “në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”.

Bugaqku: Procedurë për parandalimin e pasojave juridike

Njohësi i çështjeve ligjore dhe kushtetuese, Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, e konsideron vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme si një veprim të drejtë dhe të domosdoshëm.

Sipas tij, kjo është një masë procedurale që synon të parandalojë çdo pasojë juridike të mundshme, si dhe dëmet që mund të shkaktohen nga veprimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës apo nga presidentja Vjosa Osmani.

“...për të mos lejuar që të ketë veprime të mëtutjeshme procedurale nga akterët përkatës - rrjedhimisht nga deputetët e Kuvendit dhe nga presidentja e shtetit. Është përfolur mjaft këto ditë dhe ka pasur mjaft diskutime që e njëjta [presidentja Osmani] mund të caktojë mandatarin për formimin e Qeverisë, sipas kërkesës së partisë fituese të zgjedhjeve [Lëvizjes Vetëvendosje]”, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se ky veprim duhet të ndodhë vetëm pasi Kuvendi të konstituohet plotësisht.

Periudha e masës së përkohshme - nga 5 deri më 30 shtator - është e mjaftueshme, sipas Bugaqkut, që Gjykata Kushtetuese ta sqarojë dhe “ta pastrojë” çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Sipas tij, masa e përkohshme nuk jep sinjal për drejtimin e aktgjykimit final të Gjykatës.

Ai, gjithashtu, kujton se ka raste kur Gjykata ka vendosur masa të përkohshme, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është konstatuar shkelje e Kushtetutës gjatë shqyrtimit të kërkesave të paraqitura nga palët.

Në 3 minuta

Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.

Ankesa e Listës Serbe - që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar - erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.

Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit. Por, procesi ngeci kur erdhi puna te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte Sllavko Simiqin. Megjithatë, ai nuk arriti të siguronte 61 votat e nevojshme as pas tri rundeve të votimit.

Pasi Lista Serbe nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar,Basha vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.

Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit.

As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme.

Pasi të gjithë deputetët serbë u hodhën në votim nga tri herë dhe dështuan të zgjedheshin në postin e nënkryetarit, Basha në mënyrë të njëanshme mbylli seancën konstituive dhe deklaroi se Kuvendi është konstituuar.

Vendimi i Kushtetueses u publikua dy ditë para se Lëvizja Vetëvendosje – partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit – të mbajë Këshillin e Përgjithshëm, ku pritet ta rikonfirmojë Albin Kurtin si mandatar për kryeministër.

LVV-ja ka këmbëngulur që Kuvendi është konstituuar, vlerësim që është kundërshtuar nga partitë e tjera parlamentare.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje se po e “bllokon një shtet të tërë, për një pozitë të parëndësishme partiake” në Kuvendin e Kosovës.

Ai shkroi në Facebook se Kosova “do t’i humbë edhe 30 ditë të tjera” pas vendimit më të fundit të gjykatës më të lartë të vendit.

“Tridhjetë ditë të tjera pa institucione funksionale, pa ligje që bëhen, pa projekte që ecin. Si po humbka Serbia kështu? Ne të bllokuar për një nënkryetar të parëndësishëm, e ata humbës disi?!” shkroi Abdixhiku.

Seanca konstituive për legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit nisi më 15 prill.

Pas muajsh bllokadë dy aktgjykime të publikuara nga Kushtetuesja dhe një mase të përkohshme, Dimal Basha nga LVV-ja u zgjodh kryetar Kuvendi më 26 gusht.

Më pas, përmes votimit të përbashkët u zgjodhën edhe nënkryetarët nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiu nga LVV-ja, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ngërçi politik erdhi pasi asnjë nga partitë nuk fitoi vota të mjaftueshme për të formuar vetë institucionet dhe në mungesë të një marrëveshjeje politike.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit.

PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.


Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG