Fjalët e perandorit Justinian zbulojnë vitin kur e ndërtoi bazilikën në qytetin e lashtë në Dardani

Gërmimet në Parkun Arkeologjik Ulpiana. 13 gusht 2025.

Gërmimet e sivjetme të arkeologëve në Parkun Arkeologjik Ulpiana, i cili gjendet në territorin e komunës së Graçanicës - rreth 12 kilometra nga Prishtina, kanë sjellë zbulime të reja në historinë e Dardanisë së lashtë.

Zbulimet e një mbishkrimi të ri në dyshemenë e bazilikës, saktësuan vitin kur u inaugurua bazilika dhe emrin e qytetit romak ku ajo u ndërtua – Justiniana Secunda.

Në komunën e Graçanicës ndodhen mbetjet arkeologjike të kësaj bazilike e cila është më e madhja e zbuluar deri më tani në Ballkan (78 x 23 metra), e ndërtuar nga perandori romak Justiniani i Madh, i cili kishte prejardhje dardane dhe që sundoi në vitet 527-565 pas erës sonë.

Hapësira ku po kryhen kërkime në dyshemenë e bazilikës në qytetin Justiniana Secunda.

Punimet po udhëhiqen nga profesori francez, Christophe Goddard nga Universiteti “Ecole Normale Superieure” në Paris dhe ekipi i tij, në bashkëpunim me profesorë nga Universiteti i Prishtinës dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës.

Christophe Goddard, profesori francez që po udhëheq kërkimet arkeologjike në Ulpianë.

Profesori Goddard thotë se mbishkrimi që zbuluan ishte një kushtim nga vetë perandori Justinian dhe saktëson se bazilika në këtë qytet të lashtë romak u ndërtua në vitin 545 pas erës sonë, apo 1480 vjet më parë.

Figura të kafshëve në mozaikun e zbuluar këtë vit.

“Ndërtesa nuk jetoi shumë – maksimumi 150 vjet – dhe kjo bëri që dyshemetë të ruheshin mrekullisht. Mbishkrimi i dytë jep edhe emrin e qytetit: 'Justiniana Secunda' dhe tregon se bazilika i ishte kushtuar Shën Mërisë”, thotë Goddard për Radion Evropa e Lirë.

Figura e kalit në mozaikun e dyshemesë së bazilikës.

Në vitin 2023, në mbishkrimin e parë që u zbulua në mozaikun e dyshemesë së bazilikës u tregua se perandori Justiniani i Madh së bashku me bashkëshorten e tij Teodora themeluan qytetin romak Justiniana Secunda në Dardaninë e lashtë.

Ekipet e arkeologëve duke gërmuar.

Ky projekt arkeologjik u financua nga Bashkimi Evropian në vlerë të 1 milion eurove, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës dhe shteti i Francës.

Ekipet synojnë që këtë vit të përfundojnë kërkimet në hapësirën e kishës, për të vazhduar me kërkime të tjera vitin e ardhshëm bazuar në një pajisje teknologjike që detekton çfarë ka nëntokë ende pa gërmuar.

Një anëtare e ekipit duke drejtuar radarin e gjeofizikës për kërkime të radhës nëntokë.

“Vitin tjetër planifikojmë të gërmojmë në pjesën veriore të qytetit për një pallat 40 x 40 metra dhe dhomën e pagëzimit, që sipas geofizikës duket se është e ruajtur dhe ndoshta ka mozaik”, thotë Goddard.

Përgjatë kërkimeve arkeologët gjetën edhe monedha të ndryshme dhe suvenire të kohëve të lashta.

Një monedhë e gjetur gjatë gërmimeve, ende e paqartë se cilës periudhë i përket

Pas gërmimeve do të fillojë restaurimi i mozaikëve dhe mureve, me synim që ta përfundojnë deri verën tjetër.

“Për të mbrojtur zbulimet, të gjitha sipërfaqet do të mbulohen me material pambuku dhe rërë – dhe vendi do të duket si plazh, por poshtë do të jetë ruajtur plotësisht”, thekson Goddard.

Një copë e një suveniri për turistët në kohët e lashta.

Pas zbulimeve, parkun e Ulpianës e vizitoi ditë më parë edhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili shkroi në Facebook se po punohet me intensitet në lokalitete arkeologjike, për plane të konservimit e menaxhimit, ngritje të kapaciteteve profesionale përmes partneriteve ndërkombëtare, studime e publikime.

Ulpiana, përndryshe, ishte një nga qytetet më të rëndësishme romanke në Ballkan - pjesë e provincës romake të Dardanisë.

Rëndësia historike e këtij qyteti buron nga roli i tij si qendër e administrimit, tregtisë dhe kulturës romake në rajon.

Ai përmban mbetje të ndërtesave të ndryshme romake dhe bizantine, përfshirë tempuj, bazilika, banja dhe mure të qytetit, të njohur edhe si “Justiniana Secunda”.

Kërkimet e para në këtë hapësirë filluan në vitet 1950.