Lëvizja Vetëvendosje e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës foli për rrëzimin e diktatit.
Këto ishin reagimet e para ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila të premten vendosi që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta zgjedhin kryetarin e ri përmes votimit të hapur, ndërsa i njëjti kandidat mund të votohet vetëm deri në tri herë. Sipas Kushtetueses, konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh.
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), deri më tani ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit, teksa edhe pas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, kishte argumentuar se ajo mund të zgjidhej përmes votimit të fshehtë.
SHIKONI EDHE: Kushtetuesja: Kryekuvendari zgjidhet me votim të hapur, kandidati mund të votohet deri në 3 herëSipas Vetëvendosjes, njoftimi i Kushtetueses “përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues” dhe se është “në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve”.
“Rregullat e reja të paralajmëruara nga Gjykata Kushtetuese, nëse nuk janë në Kushtetutë dhe as në Rregulloren e Kuvendit, nuk mund të jenë në asnjë aktgjykim”, thuhet në një njoftim të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Gjykata nuk e ka të drejtën që të krijojë norma të reja juridike apo të imponojë rregulla që nuk kanë bazë në Kushtetutë”, tha ajo.
Sipas LVV-së, aktgjykimi që pritet të dalë do ta cenojë rëndë ndarjen e pushteteve. “Rast i paprecedentë dhe ndërhyrje flagrante në kompetencat e Kuvendit”.
“Ky është një paralajmërim serioz për rrezikun e një pushteti juridik të pakontrolluar, që në vend të kontrollit të pushteteve të tjera, vetë bëhet burim i kapjes institucionale”.
LVV nuk tregoi nëse do ta respektojë apo jo vendimin.
SHIKONI EDHE: Kurti: Nuk e di cila do të jetë zgjidhja, por do ta respektojmë vendimin e KushtetuesesKreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se me këtë vendim të Kushtetueses, u vërtetuan qëndrimet e partisë së tij, që LVV-ja “e ka mbajtur peng Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e bllokuar qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e tij për interesa të ngushta pushteti, me veprime tërësisht jashtë Kushtetutës”.
Sipas tij, ky vendim është fitore për rendin kushtetues.
“Ky është konfirmim i plotë se bllokada, shkeljet dhe veprimet arbitrare të Lëvizjes Vetëvendosje ishin jo vetëm antikushtetuese, por edhe thellësisht të dëmshme për demokracinë dhe shtetin tonë”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e cilësuar si “fitore të madhe për demokracinë”.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se me këtë vendim u vërtetua se LVV-ja shkeli Kushtetutën, për shkak se ndryshoi rendin e ditës dhe insistoi në votim të fshehtë për kryeparlamentarin.
“Fatkeqësisht, Kosova humbi kohë. Sot bëhen plot 180 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve. Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë - gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saja si mburrje”, shkroi ai.
Ardian Gjini nga AAK-ja tha se me vendimin e Kushtetueses, “fitoi demokracia, u rrëzua diktati”.
Përmes një postimi në Facebook, Gjini tha se nuk mund të abuzohet në pafundësi me propozimin e vetëm një kandidati.
“Shteti nuk i nënshtrohet një individi”, shkroi ai.
SHIKONI EDHE: Kuvendi dështon të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata KushtetueseNga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.
Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.
Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.
Gjatë seancave para 1 majit - kur votimi ishte i hapur - e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime nuk kishte arritur që të merrte 61 votat e nevojshme.
Haxhiu është cilësuar nga PDK-ja dhe AAK-ja si "figurë përçarëse", ndërkaq LDK-ja ka deklaruar se nuk voton për asnjë kandidat të LVV-së për postin e kryetarit të Kuvendit.