Ndërlidhjet

Kushtetuesja: Kryekuvendari zgjidhet me votim të hapur, kandidati mund të votohet deri në 3 herë

E përditësuar

Ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur. Konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh. Emri i një kandidati, sipas vendimit, mund të hidhet në votim vetëm deri në tri herë.

Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se “kjo nuk është drejtësi”, por “arbitraritet klientelist”.

Vetëvendosje deri më tani ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit, teksa edhe pas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, kishte argumentuar se ajo mund të zgjidhej përmes votimit të fshehtë.

Përmes një njoftimi, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të "ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në tri herë për kandidatin/en e njëjtë".

Po ashtu ka urdhëruar që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të gjithë deputetët e zgjedhur të pranishëm dhe të votojnë.

Në njoftim për vendimin lidhur me dy lëndë të ngritura nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Kushtetuesja tha se masa e përkohshme mbetet në fuqi derisa palët të pranojnë aktgjykimin dhe i njëjti të publikohet në Gazetën Zyrtare.

Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Kushtetueses, i cili u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin organin ligjvënës. Pas kësaj, gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e lëndëve të dërguara nga PDK-ja dhe LDK-ja, të cilat i bashkoi në një lëndë të vetme.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) më 3 korrik i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese ta vlerësojë kushtetutshmërinë veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të mbajtur më 29 qershor, dhe vazhdimeve të saj, më 1 dhe 3 korrik.

Në kërkesën e saj, PDK-ja konteston: kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë; hedhjen në votim të këtij komisioni; vetë votimin e komisionit; dhe, ndërprerjen e seancës pas mosmiratimit të komisionit.

PDK-ja beson se këto veprime janë ndërmarrë “në kundërshtim të hapur” me Kushtetutën e Kosovës, dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit.

Kjo parti kërkon nga Kushtetuesja ta shpallë “antikushtetues” vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, dhe ta shpallë “antikushtetues” vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive, si dhe ta urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) më 4 korrik i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i sqarojë normat kushtetuese dhe të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, në lidhje me vazhdimin e seancës konstituive nga 29 qershori, pas aktgjykimit nga gjykata më e lartë e vendit.

LDK-ja beson se vazhdimet e fundit të seancës konstituive janë bërë “në kundërshtim të plotë” me Kushtetutën e Kosovës dhe me konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 qershori.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.

Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Gjatë seancave para 1 majit - kur votimi ishte i hapur - e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime nuk kishte arritur që të merrte 61 votat e nevojshme.

Haxhiu është cilësuar nga PDK-ja dhe AAK-ja si "figurë përçarëse", ndërkaq LDK-ja ka deklaruar se nuk voton për asnjë kandidat të LVV-së për postin e kryetarit të Kuvendit.

LVV: Vendimi i Kushtetueses nuk është drejtësi, por arbitraritet

Hekuran Murati, deputet i LVV-së, njëherësh ministër në detyrë i Financave, e cilësoi si të padrejtë vendimin e Kushtetueses.

Ai tha se në aktgjykimin e vitit 2014, Kushtetuesja “për ta mbajtur PDK-në me çdo kusht në pushtet”, vendosi se Qeveria nuk mund të formohej pa fituesin e zgjedhjeve dhe kryekuvendari i takonte vetëm partisë së parë. Ndërkaq, kësaj radhe Kushtetuesja “thotë se vetëm votimi i hapur është i vlefshëm, dhe madje vendos edhe kufizim në vetëm 3 tentime, sepse fituesja është Lëvizja Vetëvendosje”.

“Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje. Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë”, shkroi ai në Facebook.

PDK: Vendimi i Kushtetueses, fitore për rendin kushtetues

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se me këtë vendim të Kushtetueses, u vërtetuan qëndrimet e partisë së tij, që LVV-ja “e ka mbajtur peng Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e bllokuar qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e tij për interesa të ngushta pushteti, me veprime tërësisht jashtë Kushtetutës”.

Sipas tij, ky vendim është fitore për rendin kushtetues.

“Ky është konfirmim i plotë se bllokada, shkeljet dhe veprimet arbitrare të Lëvizjes Vetëvendosje ishin jo vetëm antikushtetuese, por edhe thellësisht të dëmshme për demokracinë dhe shtetin tonë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

LDK: U vërtetua se LVV-ja e shkeli Kushtetutën

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e cilësuar si “fitore të madhe për demokracinë”.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se me këtë vendim u vërtetua se LVV-ja shkeli Kushtetutën, për shkak se ndryshoi rendin e ditës dhe insistoi në votim të fshehtë për kryeparlamentarin.

“Fatkeqësisht, Kosova humbi kohë. Sot bëhen plot 180 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve. Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë - gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saja si mburrje”, shkroi ai.

AAK: U rrëzua diktati

Ardian Gjini nga AAK-ja tha se me vendimin e Kushtetueses, “fitoi demokracia, u rrëzua diktati”.

Përmes një postimi në Facebook, Gjini tha se nuk mund të abuzohet në pafundësi me propozimin e vetëm një kandidati.

“Shteti nuk i nënshtrohet një individi”, shkroi ai.

Kush sa vota i ka?

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, asnjëra parti nuk mori vota të mjaftueshme për të krijuar e vetme një shumicë parlamentare .

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 48 ulëse në Kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20, Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Vetëm Nisma Socialdemokrate i ka tre deputetë në Kuvend.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG