Minierat e braktisura sovjetike të uraniumit në Bohemi

Thellë brenda një miniere të braktisur në Krusne hory (Malet e Xehes) në veriperëndim të Republikës Çeke, matësi i rrezatimit i Jakub Kristekut fishkëllen kur ai e ngre një shkëmb sa një grusht. “Xehe uraniumi”, thotë ai, duke treguar njollat e gjelbra të mineraleve që shkëlqejnë nën dritën e llambës së kokës, para se ta kthejë gurin në vendin e vet.

Shkëmbinj të mbushur me autunit radioaktiv brenda një miniere uraniumi të braktisur nga sovjetikët. Minerali shkëlqen nën dritën ultravjollcë, e cila përdoret për t’i identifikuar fundërresat radioaktive.

Kristek është një nga mineralogët e pakët amatorë, të cilët, gjatë kërkimeve për minerale të rralla kanë zbuluar një sërë minierash të fshehta që datojnë nga etja e pashuar e Bashkimit Sovjetik për uranium në fillim të garës bërthamore.

Jakub Kristek lëviz brenda një miniere uraniumi, pjesërisht të shembur, në jug të Republikës Çeke, e braktisur rreth viteve ‘60.

Pasi Shtetet e Bashkuara kryen sulm bërthamor në Hiroshimë në gusht të vitit 1945, udhëheqja sovjetike e shpalli uraniumin si “lëndën më të rëndësishme strategjike” të epokës së re. Në nëntor të atij viti, Bashkimi Sovjetik nënshkroi një marrëveshje të fshehtë me Çekosllovakinë për të zgjeruar tej mase minierat “për xehe dhe koncentrate që përmbanin radium dhe elemente të tjera radioaktive” brenda maleve të pasura me minerale të Bohemit.

Një karrocë dore shihet brenda një miniere uraniumi në Boheminë Jugore, e cila u braktis rreth fillimit të viteve ‘60.

Ndërmarrja sovjetike çekosllovake për nxjerrjen e uraniumit filloi me Kremlinin, i cili dërgoi këshilltarë dhe sasi të mëdha ushqimesh për t’i përkrahur minatorët çekosllovakë. Por, pasi mbështetësit e sovjetikëve morën pushtetin në Pragë në vitin 1948, Kremlini i Stalinit ishte i lirë të vepronte më ashpër. Minatorët çekosllovakë, që paguheshin mirë për të nxjerrë uranium, shpejt u tejkaluan në numër nga kriminelë dhe disidentë politikë që u detyruan të punonin në të njëjtat kushte.

Një shenjë në vendin e një kampi pune në Jaximov njofton: “Puna do t’jua sjellë lirinë”.

Tomas Bouska është themelues i organizatës Politicti vezni, e cila ruan kujtimet e të burgosurve politikë çekë. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se në mes të “etheve të uraniumit” në Bashkimin Sovjetik, qyteti historik minerar i Jaximovit u mbyll për këdo pa leje zyrtare për të hyrë, pastaj “një vit pasi komunistët morën pushtetin [më 1948], ata e shndërruan atë në një koloni të vërtetë gulagu”.

Kristek përdor një matës Geiger për të kërkuar minerale radioaktive në Malet e Xehes në rajonin e Bohemisë së Veriut.

Dhjetëra mijëra të burgosur u dërguan në minierat e Jaximovit, ku punonin mes reve të pluhurit radioaktiv. “Nuk kishte ventilim dhe nuk kishim respiratorë apo maska”, kujton një i mbijetuar, “kështu që çdo ditë dilnim të skuqur ose gri, në varësi të mineralit të uraniumit që përpunohej”.

Kristek zvarritet në hyrjen e një miniere të braktisur uraniumi në Boheminë Jugore.

Disa ish-të burgosur përshkruajnë “autobusët rusë”, që pasqyrojnë kushtet e kampit. Para një turni në minierë, qindra të burgosur mblidheshin në oborrin e burgut, pastaj, siç thotë një tjetër i mbijetuar: “Na shtynin afër njëri-tjetrit në mënyrë që t’i preknin trupat dhe ijët e njëri-tjetrit. Pastaj, rojet na rrethonin me një litar çeliku prej 5 milimetrash dhe e mbyllnin me dry”. Masa e njerëzve lëvizte pastaj si një trup i vetëm drejt hyrjes së minierës.

Dhoma e motorëve, pjesërisht e përmbytur, e një galerie minerare e ndërtuar krejtësisht nën tokë.

Të burgosurit përdornin mjete dore dhe eksplozivë për të nxjerrë mineralin radioaktiv. Në minierën e Maleve të Xehes, Kristek tregon një kasafortë betoni ku mbaheshin detonatorët “që të burgosurit të mos mund t’i merrnin”. Dhuna ishte e zakonshme dhe disa të burgosur plaçkitnin minatorët e paguar për të arritur kuotat e përditshme.

Kristek thotë se kjo kasafortë shërbente për ruajtjen e detonatorëve.

Për Kristek, eksplorimi i minierave të epokës së Luftës së Ftohtë ka të bëjë më shumë me kushtet unike brenda tyre sesa me zbulimin e infrastrukturës sovjetike. Shpellat radioaktive mund të krijojnë minerale të reja brenda disa dekadave.

Një seksion i një miniere të braktisur ku kristalet e autunit shkëlqejnë nën dritën ultravjollcë.

Kristek, i cili ka botuar katër artikuj shkencorë mbi zbulimet e tij dhe pret konfirmime të tjera nga laboratorët, e di nga përvoja rrezikun e minierave të braktisura. Njëra gati e vrau kur ishte adoleshent.

Instruksione për përdorimin e makinerive të minierës në murin e një miniere të braktisur në Malet e Xehes.

“Isha vetëm duke gërmuar për të hyrë në një minierë të vjetër, dhe hyrja u shemb mbi mua”, kujton ai. “Koka dhe njëra dorë më mbetën jashtë, kështu që ia dola të çlirohesha, por ishte shumë e frikshme”.

Sot, si baba i një fëmije, ai rrezikon rrallëherë shkuarjen në ekspedita i vetëm. “Hapësirë dhe heshtje m’u duken të frikshme. Nganjëherë këndoj me zë të lartë kur jam poshtë”, tha ai.

Një respirator lëshon doza të larta rrezatimi pasi u përdor për dy orë brenda një miniere të kontaminuar me gaz radoni.

Skena e mineralogëve në Republikën Çeke është e vogël, por Kristek thotë se ka edhe grupe kriminale që punojnë nën tokë. “Njerëzit po punojnë në disa miniera të braktisura dhe janë armiqësorë ndaj të tjerëve”.

Një tabelë tregon daljen nga një minierë e braktisur.

Nuk dihet nëse uraniumi po nxirret jashtëligjshëm, por Kristek thotë se për shkak të nevojës së përpunimit masiv të materialit radioaktiv, është shumë pak e mundshme.

Kristalet radioaktive të autunit shkëlqejnë nën dritë ultravjollcë në një minierë të braktisur.

Gjetja e hyrjeve, që në disa raste duken si strofka kafshësh, bëhet përmes hartave, fotografive historike ajrore dhe informacionit të trashëguar nga minatorët e vjetër.

Një kanaçe e mbushur me substancë të panjohur brenda një miniere në Malet e Xehes.

Brenda minierave të braktisura që nga vitet ‘60, shtyllat prej druri janë kalbur prej kohësh. Shembje të çative mund të shihen kudo, duke e bërë eksplorimin shumë të rrezikshëm edhe për eksplorues me përvojë.

“Shembja është gjëja më e keqe sepse s’ke çfarë bën”, thotë Kristek, duke përmendur një eksplorues çekosllovak që u varros nga shkëmbinjtë dhe trupi i tij nuk u gjet kurrë.

Kristek ec përgjatë një shtegu të përdorur dikur nga minatorët e uraniumit në Malet e Xehes.

Ai thotë se është i lumtur që ka mundur të eksplorojë kaq shumë nga këto hapësira të mbushura me histori, derisa janë ende të qasshme. “Sa më shumë kalon koha, aq më shumë miniera do të shemben dhe do të humbin përgjithmonë”.

Përgatiti: Ekrem Idrizi