Me "langarecët" në gjuhë, Basha në karrigen e kryekuvendarit

Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

“Langarec” është shprehja që kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka përdorur shpesh kundrejt atyre që i konsideron kundërshtarë.

Platformat e langarecave”, “loja e langarecave”, “langarecat e çuditur me Albulenën”, “AGK-ja me langareca”, “Langareca dhe oligarkë”...

Në të paktën pesë postime gjatë gushtit, kjo frazë është përdorur për të kritikuar opozitën, sistemin e drejtësisë, por edhe mediat.

Çfarë nënkupton saktësisht me këtë fjalë, nuk është krejt e qartë.

Në një postim më 10 shkurt, Basha ka shkruar se “langarecë” nënkupton ‘njerëz pa karakter’.

Sipas shpjegimeve online, “langarec” është një term ofendues që u referohet personave të pandershëm, që shfrytëzojnë të tjerët dhe nuk kanë integritet.

“Shumica e mediave sot kanë dy lloje pronarësh, langareca dhe oligarkë - shpeshherë të kombinuar, por gjithmonë të koordinuar për të njëjtin qëllim. Langarecave u duhen qeveritë që i ushqejnë me ‘reklama’, kurse oligarkët kërkojnë qeveri që i ushqejnë me tenderë”, ka shkruar Basha në një postim në Facebook më 5 gusht.

Kush është Dimal Basha?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës më 26 gusht.

Sipas biografisë së publikuar në ueb-faqen e kësaj partie, ai ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.

Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në Nju Jork, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare”.

Basha, gjithashtu, ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri”, në Universitetin “The New School University”, po ashtu në Nju Jork.

Në politikë, ai ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate dhe tashmë është zgjedhur për herë të tretë.

E, gjuhë të ashpër ndaj mediave, Basha ka përdorur edhe më herët, duke nxitur reagime nga organizatat që monitorojnë lirinë e shtypit.

Më 3 maj të vitit të kaluar, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar “intimidimin publik” të tij ndaj një gazetareje të RTK-së, pasi është pyetur “për kushtin e Asociacionit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Me këtë rast, sipas AGK-së, Basha e ka krahasuar Transmetuesin Publik, RTK, me televizionin shtetëror serb, RTS.

AGK-ja e ka konsideruar si “sulm të papranueshëm ndaj lirisë së mediave dhe pluralizimit medial në Kosovë” edhe deklaratën e Bashës më 27 qershor, 2024.

“Kjo qeveri është e vetmja qeveri që ua ka ndaluar komplet tagjinë dhe asnjë cent nuk iu shkon më mediave”, ka thënë Basha, duke përmendur edhe juristen e mediave, Flutura Kusari.

“Në emër të lirisë së mediave nuk mund ta mbrojë lirinë e oligarkëve, por as ta zhvatë këtë Republikë”, ka thënë ai, duke iu referuar Kusarit.

Partnerët e Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) e kanë dënuar ashpër “fjalimin e tij abuziv” kundër Kusarit.

“Ne qëndrojmë fuqishëm në solidaritet me kolegen tonë, si dhe me të gjithë aktivistët dhe gazetarët që përpiqen të mbrojnë lirinë e medias në Kosovë”, është thënë në reagimin e MFRR-së më 1 korrik, 2024.

Your browser doesn’t support HTML5

Kuvendi zgjedh kryetarin, por bllokohet te nënkryetari serb

Më pak se dy muaj më vonë, Basha, në një postim tjetër në Facebook, ka thënë se mediat në gjuhën shqipe “po i ndihmojnë Serbisë e Rusisë për të keqinformuar”.

Ai ka përdorur gjetjet e një raporti hulumtues nga Hibrid.info, në lidhje me çrregullimin informativ në Kosovë, porse ueb-faqja në fjalë e ka demantuar, duke thënë se fjalia e tij është koment personal i deputetit dhe nuk është pjesë e raportit.

Në një postim në dhjetor të 2024-ës, Basha ka ftuar miqtë e tij t’i shpërndajnë lajmet për arritjet e Qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosja, në lidhje me situatën energjetike në vend, duke thënë se “portalet argate nuk i shpërndajnë lajmet tona, aq më pak arritjet”.

Pas zgjedhjes së tij në krye të Kuvendit, Flutura Kusari, njëherësh këshilltare ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, tha se Basha është një ndër sulmuesit më të mëdhenj të gazetarëve dhe të aktivistëve në Kosovë.

“Uroj që marrja e pozitës së re do të ndikojë sadopak që Basha të përmbahet dhe të menaxhojë më mirë mosdurimin e tij dhe të partisë së tij ndaj pushtetit të katërt”, shkroi Kusari në Facebook.

Në postimet e tij gati të përditshme në Facebook, Basha ka vazhdimisht në shënjestër edhe partitë kundërshtare.

“Mjerë LDK-ja ku është katandisur - prej akademikëve ka rënë në Big Brother! Tash, veç edhe fituesi i Përputhen në PDK edhe kompletohet opozita - gati për zgjedhje”, ka shkruar ai më 24 tetor, 2024, duke bërë krahasimin e partive me disa programe argëtuese.

Në një tjetër postim, më 16 shtator të vitit të kaluar, ai ka sugjeruar se opozita ka qenë “më shumë e koordinuar me krimin e organizuar se me ndërkombëtarët”.

Duke përdorur emrin dhe fotografinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, Basha ka treguar një barcoletë në një postim më 20 mars, me fjalor denigrues.

Ai ka mbështetur edhe fjalorin fyes të udhëheqësit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, kundrejt partive opozitare.

Për sistemin e drejtësisë, sikurse edhe për mediat, ka thënë se “mundohet ta zbehë integritetin dhe punën e Qeverisë Kurti”.

Në një postim më 16 korrik ka kritikuar shoqërinë civile dhe opozitën që thonë: “mos ua përmendni emrat gjyqtarëve”.

“Po doni t’i mbani sa më fshehtë që edhe kur të marrin vendime kriminale, mos të keni presion prej askujt a?”, ka shkruar Basha, duke përmendur emrat e tre gjykatësve të Gjykatës Supreme.

Basha kujtohet edhe për postimin e 9 shkurtit - në ditën e zgjedhjeve parlamentare, që i fitoi partia e tij.

Në vend të fjalës së menduar, ai ka përdorur simbole ***** - me gjasë për t’iu drejtuar partive opozitare, ndërsa ka postuar edhe një fotografi të Kurtit, duke e përshkruar si “të palëkundur dhe të pathyeshëm”.

SHIKONI EDHE: Kosova me kryetar të ri Kuvendi

Kuvendi është institucioni ligjvënës i Republikës së Kosovës, përgjegjës për miratimin e Kushtetutës, ligjeve, rezolutave, deklaratave dhe akteve të tjera të përgjithshme.

Në krye të 120 deputetëve dhe me “langarecët” në gjuhë deri më tash, mbetet të shihet se si Basha do t’i përshtatet njërit prej institucioneve më të larta të vendit.

Në fjalimin e parë si kryekuvendar, ai tha se “Kuvendi është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve”.

Basha tashmë ka pranuar urime nga figura të ndryshme - nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e deri tek Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

Përndryshe, deri te konstituimi i plotë i Kuvendit ka mbetur edhe një hap: zgjedhja e nënkryetarit serb.