Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e thirrur për të hënën nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk u mbajt, për shkak të mungesës së kuorumit.
Të pranishëm, përveç Bashës, ishin dy nënkryetare: Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Emilja Rexhepi nga partitë joserbe, por munguan ata të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Me rregulloren e punës së Kuvendit, mbledhja zhvillohet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të Kryesisë.
Nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk është zgjedhur.
Mbledhja e Kryesisë u thirr nga Basha - i cili e shpalli të përfunduar seancën konstituive pa nënkryetarin serb - për t'u konsultuar rreth vazhdimit të punës së institucionit.
"Për mua nuk ka logjikë që të bllokohet Kuvendi i Republikës për moszgjedhjen e një nënkryetari", përsëriti Basha të hënën.
SHIKONI EDHE: Kuvendi dështon ta zgjedhë nënkryetarin serb, Basha e shpall të "mbyllur" seancën konstituiveNë tri vazhdime të seancës konstituive, kandidatët serbë për nënkryetar dështuan të sigurojnë votat e nevojshme.
Basha e shpalli të mbyllur seancën, me arsyetimin se janë shteruar të gjitha mundësitë.
Partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e mbështeti, ndërsa ish-opozita kundërshtoi.
SHIKONI EDHE: Lista Serbe ankohet në Kushtetuese lidhur me votimin për nënkryetarin serb të Kuvendit të KosovësDuke folur pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Basha tha se është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, por nuk dha shumë detaje.
Kuvendi i Republikës së Kosovës publikoi më herët një njoftim, ku thuhej se Basha e ka informuar presidenten për përfundimin e seancës konstituive dhe se të dy kanë diskutuar mbi hapat e mëtejshëm institucionalë, por e tërhoqi pak minuta më vonë.
Basha tha se stafi ka bërë gabim dhe ka shkruar një komunikatë pa miratimin e tij.
"Presidentja nuk ka dhënë mendim. Ajo vetëm se ka dëgjuar arsyetimin tim [për seancën konstituive]", tha Basha për gazetarët.
Në një komunikatë dërguar mediave pas takimit, Osmani tha se e ka informuar Bashën se "ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës".
SHIKONI EDHE: A është legjitim shorti për nënkryetarin serb të Kuvendit?Që nga 15 prilli janë bërë dhjetëra përpjekje për konstituimin e plotë të Kuvendit, por pa sukses, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
Çështja ka përfunduar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy aktgjykime me afate dhe udhëzime për mënyrën e zhvillimit të procesit.
Afati i parë nuk u respektua, ndërsa i dyti përfundon më 18 shtator.