Dëgjimi i kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek, para Prokurorisë Speciale në Prishtinë, që ishte caktuar për 18 qershor, është shtyrë, pasi avokati i tij është sëmurë.
Ndaj Ellekut dhe disa zyrtarëve të tjerë të kësaj partie po zhvillohen hetime, pasi dyshohet se kanë minuar rendin kushtetues të Kosovës dhe kanë marrë pjesë në protestat dhe ngritjen e barrikadave në veri të vendit, në vitin 2022.
Në fillim të muajit qershor, zyrtari i lartë i Listës Serbe, Igor Simiq, deklaroi se ai vetë, së bashku me Ellekun dhe Sllavko Simiqin - të tre deputetë aktualë në Kuvendin e Kosovës - janë nën hetime për përfshirje në sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe për vepra të tjera penale që lidhen me protestat e dhjetorit 2022.
Simiq tha se, përveç tyre, edhe rreth 40 anëtarë të komunitetit serb kanë marrë thirrje të njëjta ose të ngjashme, të cilat lidhen me “protestat paqësore në veri të Kosovës, në dhjetor të vitit 2022”.
SHIKONI EDHE: Aktakuzë ndaj një deputeti të Listës Serbe për sulmet ndaj gazetarëve në veriMë 10 dhjetor të vitit 2022, në veri të Kosovës u ngritën barrikada për shkak të arrestimit të Dejan Pantiqit, një ish-zyrtar i policisë, të cilin autoritetet e Kosovës e akuzuan për pjesëmarrje në sulmin ndaj ambienteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.
Ato barrikada u hoqën më 29 dhjetor, pas thirrjes së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe pasi Pantiq u dërgua në arrest shtëpiak.
Përndryshe, barrikadat pasuan një sërë incidentesh dhe tensionesh të shtuara, pasi serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri në fillim të nëntorit, 2022, me iniciativën e Listës Serbe.
Kjo e fundit kundërshtoi atëkohë vendimin e Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave serbe të makinave me targa të Republikës së Kosovës.
Çka ndodhi në barrikada në vitin 2022 dhe kush i mbështeti ato?
Zyrtarët e Listës Serbe i mbështetën publikisht barrikadat në veri të Kosovës në dhjetor të vitit 2022 dhe ishin të pranishëm fizikisht në vendet ku rrugët ishin të bllokuara me makineri të rëndë, duke u dhënë mesazhe inkurajuese qytetarëve të mbledhur.
Kryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se këto barrikada ishin “një reagim, jo një veprim”.
Në ato barrikada, ashtu si edhe në ato të ngritura në korrik të vitit 2022 apo në shtator të 2021-shit, ishin të pranishëm kryesisht punonjës të institucioneve të Serbisë që funksiononin në Kosovë.
Këto institucione, përveç atyre arsimore dhe shëndetësore, u mbyllën ndërkohë nga autoritetet e Kosovës, të cilat i konsideronin si të paligjshme dhe paralele.
Gjatë kohës së barrikadave, shumica e lokaleve në veri të Kosovës ishin të mbyllura, ose ofronin ushqime vetëm për t’u marrë me vete.
Punëtorët i thanë asokohe Radios Evropa e Lirë se “nuk lejohet të ulesh brenda”, por nuk tregonin se kush e kishte ndaluar këtë.
SHIKONI EDHE: Shmangia e barrikadave në veri të KosovësNë atë kohë, nënkryetar i Listës Serbe ishte Millan Radoiçiq, i cili dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2023, pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë.
Në këtë sulm, serbë të armatosur vranë një polic të Kosovës, ndërsa në përleshjen me armë që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Edhe pse autoritetet e Kosovës kishin lëshuar urdhër për arrestimin e Radoiçiqit për përfshirje në korrupsion, frikësim në procese gjyqësore dhe në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, Lista Serbe konfirmoi në vitin 2022 se nënkryetari i saj ishte i pranishëm në barrikada, duke theksuar se ai “gëzon mbështetje në mesin e serbëve në Kosovë” dhe se është “autoritet” për ta.
SHIKONI EDHE: Lista Serbe: Duam ta rrëzojmë Qeverinë KurtiA janë marrë më herët në pyetje anëtarët e Listës Serbe?
Në janar të vitit 2022, Agjencia kundër Korrupsionit e Kosovës nisi hetime kundër zyrtarëve të Listës Serbe për mosdeklarim të të gjitha pozicioneve, pasurive ose të ardhurave që kishin marrë.
Radio Evropa e Lirë raportoi më herët për “rrogat e dyfishta” që marrin zyrtarët e Listës Serbe, pasi shumica prej tyre mbajnë së paku një vend pune si në sistemin e Kosovës, ashtu edhe në atë të Serbisë.
SHIKONI EDHE: Të ardhurat e deklaruara dhe të padeklaruara të zyrtarëve të Listës SerbeMë pas, në qershor të vitit 2022, Lista Serbe konfirmoi se zyrtarëve të saj të lartë u ishin dërguar ftesa për t’u paraqitur para Prokurorisë Speciale të Kosovës, për shkak të shkeljes së rendit kushtetues të Kosovës, por se ata nuk kanë pranuar t’i marrin ato ftesa.
SHIKONI EDHE: Zyrtarët e Listës Serbe refuzojnë ftesat e ProkurorisëNë prill të të njëjtit vit, kryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se ata kishin informacione se Prokuroria Speciale e Kosovës kishte filluar procedura kundër “qytetarëve serbë, biznesmenëve, kryetarëve të komunave, deputetëve dhe përfaqësuesve politikë për sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës” në vitin 2021.
Në tetor të vitit 2021, Lista Serbe mbështeti protestat dhe barrikadat, pas një aksioni për të luftuar kontrabandën e mallrave, të kryer nga Policia e Kosovës në rajonet e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.
Dhjetë oficerë të Policisë së Kosovës dhe dhjetë qytetarë u plagosën atëkohë.
SHIKONI EDHE: Aksioni në veri: Të lënduar, të arrestuar dhe barrikadaGjithashtu, serbët lokalë në veri të Kosovës bllokuan dy pikat kufitare, Jarinje dhe Bërnjak, për dy javë në shtator të vitit 2021, pasi Qeveria e Kosovës vendosi masa reciproke kundër Serbisë në lidhje me targat e makinave.
Gjatë gjithë kohës, përfaqësuesit e Listës Serbe ishin me qytetarët në ato vendkalime.
Edhe në dhjetor të vitit 2024, Lista Serbe tha se Policia e Kosovës i kishte thirrur ata për t’i marrë në pyetje për veprën e “falsifikimit të dokumenteve në lidhje me pesë institucione paralele serbe, të mbyllura në veri të Kosovës më 30 gusht”.
Në atë kohë u mbyllën Qarku i Mitrovicës i Kosovës, Organet e Përkohshme Komunale të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Këto institucione, të cilat vepronin sipas sistemit serb, drejtoheshin nga zyrtarë të Listës Serbe.
Për të gjitha këto hetime apo marrje në pyetje nuk ka rezultate zyrtare.
Aktakuza ose vendime gjyqësore
Në tetor të vitit 2022, zyrtari i Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, u dënua me një vit burg në një rigjykim për “përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës”, në lidhje me një deklaratë për Reçakun.
Ai tha se “arsyeja e agresionit kundër vendit tonë ishte e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe Metohi - Reçaku i trilluar”.
Ai e bëri këtë deklaratë në mars të vitit 2019, derisa ishte ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës.
SHIKONI EDHE: Lista Serbe dhe Beogradi reagojnë pas dënimit të TodosijeviqitNë qershor të këtij viti (2025), prokuroria e qytetit të Mitrovicas ngriti aktakuzë kundër anëtarit të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq, për një sulm ndaj gazetarëve në qershor të vitit 2023, në Leposaviq.
Ai akuzohet për “pjesëmarrje në një turmë që kreu vepra penale dhe huliganizëm”, si dhe për urdhërimin e turmës për të sulmuar mediat, pas një proteste për vizitën e ministrit kosovar, Elbert Krasniqi, në komunën e Leposaviqit.
Lista Serbe i hodhi poshtë këto akuza, duke thënë se bëhet fjalë për “një tjetër veprim të motivuar politikisht, të drejtuar kundër popullit serb në Kosovë dhe Metohi”.
Beogradi zyrtar reagon ngjashëm kur bëhet fjalë për akuzat kundër Listës Serbe, duke i përshkruar ato si “persekutim politik” ose “politikë antiserbe”.
Lidhur me seancën dëgjimore të Ellekut më 18 qershor, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i tha Listës Serbe se “Serbia dhe i gjithë populli serb është me të” dhe se ky është një “proces politik” dhe “zbatim i një politike të hapur antiserbe”.
Edhe ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Serbisë, Zllatibor Llonçar, reagoi, marrë parasysh se Ellek është edhe drejtor i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut, e cila vepron në sistemin serb.
Llonçar tha se po bëhet “persekutim politik” i Listës Serbe dhe se ai “do t’i informojë të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare shëndetësore rreth persekutimit të dr. Ellekut”.