Maqedonia e Veriut të dielën nuk ka regjistruar asnjë rast me koronavirus, që shënon edhe ditën e parë pa të infektuar me Covid-19. Shtatë personat që janë testuar për koronavirusin e ri kanë rezultuar negativ nga analizat e bëra nga laboratori i Virusologjisë dhe diagnostikës molekulare. Bëhej fjalë për shtetas nga disa qytete të cilët para disa ditësh ishin kthyer nga Zvicra, Austria dhe Gjermania. Në mesin e personave që janë testuar gjendeshin edhe dy gra shtatzëna nga Dibra.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të 18 pacientëve që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se gjendja e tyre është e qëndrueshme.
“Vetëm pacientja e parë nga Dibra është në aparat për frymëmarrje. Të gjithë pacientët tjerë janë me pasqyrë të lehtë klinike, përshirë edhe pacientin 15-vjeçar. Të gjithë janë të vendosur në repartin për izolim”, ka deklaruar Filipçe.
Shkupi në ditët e koronavirusit
Ndërkohë, Prokuroria Publike ka paralajmëruar ngritje të padive penale për secilin që nuk zbaton masat qeveritare kundër përhapjes së koronavirusit. Në udhëzimin e obliguar në faqen e internetit të Prokurorisë theksohen më shumë padi penale në lidhje me rregulloret shëndetësore gjatë një epidemie në të cilën do të fokusohen prokurorët.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare më 12 prill, megjithëse kryetari, Oliver Derkoski ka thënë se partitë do të ishte mirë të shqyrtojnë vendimin për mbajtjen e zgjedhje, apo varësisht situatës edhe të shtyhen.
“Vendimet duhet të sillen me kokë të ftohtë dhe me logjikë. Besoj se institucionet janë duke e ndjekur situatën çdo ditë. Shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha. Për çdo gjë tjetër ka kohë”, deklaroi kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski.
SHIKONI EDHE: Kriza me koronavirusin mund t'i shtyjë zgjedhjet në Maqedoninë e VeriutVendimin për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve duhet ta marrin partitë politike dhe kuvendi, i cili është organi i vetëm i cili e miraton një akt të tillë. Sipas ligjeve, pavarësisht se është shpërndarë, institucioni ligjvënës mund të mblidhet në situata të jashtëzakonshme dhe të sjellë vendime përkatëse.
Të hënën është paraparë mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të cilin udhëheq presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.
Armata e Maqedonisë së Veriut aktualisht njësitet e saj i ka vendosur në Dibër dhe Zhupë për të ndihmuar institucionet në përballje me gjendjen, meqë numri i më i madh i të infektuarve është nga këto dy zona.
Nga sot kanë hyrë në fuqi edhe ndalesat për punën e kafeneve, bareve dhe qendrave të mbyllura tregtare, përveç barnatoreve dhe dyqaneve ushqimore.