Katari e ka pezulluar përkohësisht trafikun ajror në gjithë vendin dhe disa ambasada perëndimore i kanë këshilluar shtetasit e tyre që të strehohen në vende të sigurta, pasi Irani ka kërcënuar për hakmarrje pas sulmeve amerikane në qendrat e tij bërthamore - Fordo, Natanz dhe Isfahan.
Në Katar – vend i pasur me naftë – i cili gjendet 190 kilometra në jug të Iranit, gjendet baza më e madhe ushtarake amerikane në rajon, Al Udeid.
“Autoritetet kompetente kanë bërë të ditur për pezullim të përkohshëm të trafikut ajror në hapësirën ajrore shtetërore, në kuadër të masave paraprake të ndërmarra, duke pasur parasysh zhvillimet në rajon”, ka thënë Ministria e Jashtme.
Ajo ka bërë të ditur se autoritetet janë duke vëzhguar situatën “në koordinim me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë”.
SHIKONI EDHE: Opsionet e Iranit pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj objekteve bërthamoreMë herët gjatë ditës, Ambasada amerikane në Katar i ka këshilluar amerikanët që të mos dalin nëpër ambiente publike, dhe ngjashëm kanë këshilluar edhe ambasada tjera perëndimore, përfshirë ato të Britanisë dhe Kanadasë.
Forcat e armatosura iraniane kanë kërcënuar të hënën me “pasoja serioze dhe të paparashikuara” kundër Shteteve të Bashkuara, pasi këto të fundit kanë kryer sulme në tri qendra bërthamore iraniane.
Autoritetet amerikane kanë thënë se objektet bërthamore janë dëmtuar rëndë, ndonëse Irani ka mohuar diçka të tillë.
Para dhe pas: Qendrat bërthamore të Iranit që u sulmuan nga SHBA-ja
Sulmet e SHBA-së në Iran pasuan sulmin e befasishëm të Izraelit ndaj qendrave bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka përsëritur disa herë se Teherani nuk mund të ketë armë bërthamore sepse ia rrezikon ekzistencën Izraelit, ndonëse Irani pretendon se programin bërthamor e ka vetëm për qëllime të mbrojtjes.
Irani është hakmarrë me sulme raketore në Izrael për një javë rresht, dhe ka nisur raketa edhe të dielën pas sulmeve amerikane, duke lënë dhjetëra persona të plagosur.