Sulmet ajrore të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane kanë përmbysur ekuilibrin mes Teheranit, Uashingtonit dhe Izraelit, duke ngritur dilema mbi atë që mund të ndodhë më pas – dhe sa larg mund të shkojë Irani në hakmarrjen e tij.
Teheranit i bie barra e rëndë për të përgatitur një përgjigje që të mos duket i dobët, por që njëkohësisht të mos shkaktojë një përshkallëzim të madh të konfliktit.
Analistët paralajmërojnë se opsionet e Iranit janë të shumta, por të gjitha bartin rreziqe serioze për përshkallëzim.
“Irani mund të hakmerret në disa mënyra. E para dhe më e dukshmja është sulmi ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon, veçanërisht në Irak”, tha Colin Clarke, drejtor kërkimor në organizatën The Soufan Group.
Ai i tha Radios Evropa e Lirë se iranianët mund ta bëjnë këtë ose drejtpërdrejt, ose përmes milicisë shiite irakiane, Kataib Hezbollah.
Edhe pse kërcënimi për t'i goditur bazat amerikane është shpesh i artikuluar nga zyrtarët ushtarakë iranianë, rreziqet që vijnë nga një veprim i tillë nuk janë të panjohura për autoritetet në Teheran.
Kjo mund të shpjegojë pse agjencia e lajmeve Fars, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), më 22 qershor sugjeroi se sulmet e SHBA-së mund të kenë qenë një shpërqendrim për ta provokuar Iranin që të hakmerret kundër bazave amerikane dhe të largojë vëmendjen nga Izraeli.
Një tjetër opsion, sipas Clarke, është që Irani t'i nxisë rebelët Huthi në Jemen t'i godasin shtetet arabe të Gjirit Persik – siç ndodhi në qershor të vitit 2019, kur ata goditën infrastrukturën energjetike të Arabisë Saudite me dronë, duke bllokuar përkohësisht gjysmën e prodhimit të naftës në mbretëri.
Një “mundësi shqetësuese” është përdorimi i metodave asimetrike, si sulme të mundshme nga celula të fjetura në SHBA të lidhura me aleatë të tij.
Ngushtica e Hormuzit: Akt dëshpërimi apo përpjekje për ndalim?
Mes thirrjeve të shumta në Teheran për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit – një rrugë ujore kryesore për eksportet globale të naftës – zyrtarët amerikanë kanë dhënë paralajmërime të ashpra.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio kanë paralajmëruar Iranin të mos ndërmarrë një hap të tillë, duke e quajtur atë “vetëvrasës”, pasi mbyllja e ngushticës do të dëmtonte edhe ekonominë iraniane, që e përdor këtë rrugë për të eksportuar naftë – kryesisht drejt Kinës.
Disa ekspertë janë skeptikë se Irani mund ta mbyllë në mënyrë efektive këtë rrugë ujore, apo se një veprim i tillë mund të jetë i qëndrueshëm.
Danielle Pletka, studiuese në Institutin Amerikan të Ndërmarrjes, i tha Radios Evropa e Lirë se Irani “nuk e ka kapacitetin për ta mbyllur seriozisht Ngushticën e Hormuzit” dhe se, në fund të fundit, një veprim i tillë do të dëmtonte edhe vetë Iranin.
“Sikur të ndodhte, e gjithë bota do të bashkohej kundër Iranit. Dhe SHBA do të përfshihej menjëherë”, tha Pletka.
Ky hap mund të mos i sjellë Iranit shumë miq në botë, por sipas Clarke, ai mund të jetë një nga kartat e fundit që ka në dorë Teherani.
“Në njëfarë mënyre, mund të jetë një akt dëshpërimi – një përpjekje e fundit për t'i ndalur bombardimet izraelite”, tha ai.
Ndërsa zyrtarët e lartë amerikanë këmbëngulin se këto sulme nuk përbëjnë një shpallje zyrtare lufte, ata kanë theksuar se çdo hakmarrje iraniane do të sjellë një kundërpërgjigje të ashpër nga SHBA-ja.
Fred Fleitz, ish-shef kabineti në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, i cili foli për Radion Evropa e Lirë para sulmit amerikan, tha se vetë koncepti i “hakmarrjes” mund të jetë një përshkrim i pasaktë.
“Irani tashmë është në luftë me Shtetet e Bashkuara”, tha ai. “Bëhet fjalë për një shtet të pakontrolluar që ka qenë në luftë me SHBA-në, me Izraelin dhe me shumë kombe të tjera prej shumë kohësh”.
Lëvizja e radhës e Teheranit mund të ketë pasoja të mëdha, duke vënë në rrezik stabilitetin e të gjithë rajonit.
“Nëse SHBA goditet rëndë apo vazhdimisht, atëherë nuk ka më kufij – dhe bombardimet do të zgjerohet dhe përshkallëzohen”, paralajmëroi Clarke.
“Shtetet e Bashkuara do të bashkoheshin me Izraelin për të shkatërruar regjimin dhe gjithçka që lidhet me të”.