Grenlanda, dëshira e kamotshme e Amerikës

Grenlandezët do t'u drejtohen kutive të votimit më 11 mars, në mes të një stuhie gjeopolitike karshi thirrjeve të presidentit amerikan, Donald Trump, që territori danez të bëhet ishull amerikan.

"Në një mënyrë apo tjetër, ne do ta arrijmë atë", u zotua Trump në Kongres më 4 mars, ndërsa pohoi se Uashingtoni kishte nevojë për Grenlandën për hir të sigurisë kombëtare të Amerikës.

"Anijet e Kinës janë kudo. Anijet ruse janë gjithandej. Ne nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë", u tha Trump gazetarëve në janar.

Fokusi aktual mbi Grenlandën është vetëm ringjallja e fundit e ambicies më shumë se 150-vjeçare të Uashingtonit për të marrë nën kontroll territorin.

Inuitë (pjesëtarë indigjenë) të Grenlandës të fotografuar në 1924.

Grenlandës së mbuluar nga akulli iu dha emri nga eksploruesi nordik i shekullit X, Eriku i Kuq. Kolonizuesi i hershëm e zgjodhi emrin sepse, siç tha ai, "njerëzit do të tërhiqeshin të shkonin atje nëse do të kishte një emër të favorshëm".

Një vendbanim në Grenlandë i fotografuar në vitin 1924.

Nordikëve të ardhur në Grenlandë nuk u zgjati. Studiuesit besojnë se të ardhurit ranë viktimë e një ndryshimi të klimës dhe trazirave ekonomike të shkaktuara nga murtaja midis vështirësive të tjera. Në vitin 1721, kur misionarët danezë mbërritën për herë të parë në ishull, mbeti vetëm popullsia indigjene Inuit.

Gratë inuite grenlandeze të fotografuara jashtë shtëpive të tyre në fund të viteve 1800.

Një misionar i përshkroi njerëzit inuitë të Grenlandës si lakmitarë të kalorive saqë do të hanin morra të shkëputur nga rrobat e tyre. Për të shmangur humbjen e mineraleve, ai pretendoi se ata "do ta fshinin djersën nga fytyrat e tyre me një thikë dhe do ta lëpinin".

Eksploruesit evropianë ndajnë kafenë me banorët vendas të Grenlandës në fillim të viteve 1900.

Danimarka shpalli sovranitetin mbi Grenlandën më 1921 dhe zbatoi një monopol tregtar me ishullin. Ndalimi i tregtarëve të jashtëm i mundësoi Kopenhagës të blinte dhjamin e balenave dhe fokave - një burim i çmuar karburanti për fenerët - në mënyrë rigoroze sipas kushteve të veta.

Roja Bregdetare e Marinës Amerikane kryen një shpërthim mbi akull pranë brigjeve të Grenlandës ndërsa kërkonte stacionet gjermane të motit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Danimarka u pushtua nga Gjermania naziste, duke e lënë territorin danez të Grenlandës të hapur ndaj një pushtimi gjerman.

George L. West, një oficer i shërbimit të jashtëm amerikan, kujtoi se presidenti amerikan, Roosevelt, "vendosi menjëherë se duhej të bënim diçka për Grenlandën". Forcat amerikane pushtuan territorin, duke siguruar minierën e saj të vlefshme të kriolitit.

Një grup të burgosurish gjermanë të kapur nga një anije e rojes bregdetare amerikane në Luftën e Dytë Botërore.

Me parashikimin e motit, një faktor kritik në luftë, operativët nazistë bënë përpjekje të përsëritura për të ngritur stacione sekrete meteorologjike në pjesë të izoluara të Grenlandës.

"Duket se një pjesë e madhe e motit tuaj për Evropën Perëndimore e ka origjinën në atë kapak akulli. Është e paçmueshme, nga pikëpamja ushtarake, të marrësh raporte meteorologjike prej andej", shpjegoi West, duke shtuar se pjesë e misionit amerikan në Grenlandë ishte "gjetja e këtyre [stacioneve të motit të paligjshëm nazist] dhe shkatërrimi i tyre.

Burrat në Grenlandë në vitet 1950.

Shtetet e Bashkuara e kthyen Grenlandën nën kontrollin danez pas luftës, por nuk e tërhoqën ushtrinë e saj. Në vitin 1951, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje që lejonte Uashingtonin dhe aleancën e sapoformuar ushtarake të NATO-s të "përmirësonin dhe përgjithësisht të përshtatnin zonën për përdorim ushtarak".

Një foto nga Camp Century, vendi i projektit top-sekret të Krimbit të Akullit në Grenlandë në vitin 1960.

Një nga objektet amerikane në Grenlandë, i quajtur Camp Century, u shpall një objekt për çështje kërkimesh. Në realitet ishte një front për Projektin Iceworm, një rrjet i planifikuar i vendeve të lëshimit të raketave bërthamore nën shtresën e akullit të Grenlandës që synonte Bashkimin Sovjetik.

Selia e Camp Century, e ndërtuar nën akullin e Grenlandës.

Stacioni i fshehtë i armëve bërthamore amerikane ishte i destinuar të dështojë që në fillim. Inxhinierët u përballën me akull që lëvizte vazhdimisht që përdredhte dhe përkulej rreth kapanoneve të krijuara për të mbajtur koka bërthamore delikate. Në vitin 1966 Camp Century u braktis, së bashku me mbetjet radioaktive që mbeten të varrosura nën akull sot.

Rojet bregdetare të SHBA-së në Grenlandë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Propozimet që Shtetet e Bashkuara të blejnë Grenlandën datojnë që nga viti 1867, kur ideja u konsiderua për herë të parë seriozisht nga Uashingtoni.

Në vitin 1946, një ofertë konkrete - ekuivalenti modern prej rreth 1 miliard dollarësh - iu bë Kopenhagës për Grenlandën, të cilën një senator e përshkroi si "një domosdoshmëri ushtarake" për Shtetet e Bashkuara.

Peshkatarët duke shkarkuar karkalecat e kapur në Gjirin Disko, Grenlandë në shtator 1975.

Grenlanda, tha Uashingtoni, do të lejojë "zona nga të cilat do të nisë operacionet ushtarake mbi Arktik kundër kundërshtarëve të Amerikës", mes përdorimeve të tjera.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës e refuzoi ofertën e vitit 1946, duke u përgjigjur se, "ndërsa ne i detyrohemi shumë Amerikës, nuk mendoj se ia kemi borxh gjithë ishullin e Grenlandës".

Baza Hapësinore e Amerikës Pituffik në Grenlandë, fotografuar në tetor 2023. Baza njihej më parë si Baza Ajrore Thule.

Trump, gjatë mandatit të tij të parë më 2019, sugjeroi vazhdimisht që Shtetet e Bashkuara të merrnin territorin - deklarata që u hodhën poshtë gjerësisht si joserioze. Megjithatë, pasi e bëri territorin prioritet në mandatin e tij të dytë, Danimarka me sa duket u përgjigj duke rritur rëndësinë e Ariut Polar -- që përfaqëson Grenlandën -- në stemën e mbretit danez dhe duke përsëritur se territori nuk është për shitje.

Njerëzit duke kaluar pranë dyqaneve në Nuuk, Grenlandë, në shkurt 2025.

Sot, Grenlanda drejton shumë nga institucionet e saj, duke përfshirë parlamentin e saj, por mbetet shumë e varur nga Danimarka.

Territori merr gati 600 milionë dollarë ndihmë çdo vit nga Kopenhaga, një fond që përfaqëson më shumë se gjysmën e të gjithë buxhetit të Qeverisë së Grenlandës dhe të barabartë me më shumë se 10.000 dollarë për secilin nga 57.000 banorët e territorit.

Një aeroplan që i përket presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ulet në Nuuk, Grenlandë më 7 janar 2025.

Nëse një lëvizje në rritje për pavarësi në Grenlandë është në gjendje të shkëpusë me sukses territorin nga sundimi danez pas zgjedhjeve të 11 marsit, Uashingtoni mund të anashkalojë Kopenhagën në përpjekjen e tij për të marrë pronësinë e territorit.

Por, ndërsa një shumicë e grenlandezëve favorizojnë pavarësinë nga Danimarka, rreth 85 për qind e grenlandezëve kundërshtojnë të bëhen pjesë e një territori amerikan, sipas një sondazhi të fundit.

Një turist duke shikuar akujt e detit të Gjirit Disko, Grenlandë, maj 2007.

Kompleksiteti i stuhisë gjeopolitike që shpërtheu mbi Grenlandë u përmblodh së fundmi nga kryeministri i territorit, Mute Egede, i cili u tha gazetarëve në janar: "Ne nuk duam të jemi danezë, nuk duam të jemi amerikanë, duam të jemi grenlandezë".

Përgatiti: Syzanë Paçarizi