Ish-këshilltari i Trumpit: SHBA-ja nuk synon ndryshimin e regjimit në Iran

Fred Fleitz, nënkryetar i Institutit “America First Policy”, gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë.

Teherani nuk është në pozitë të kërkojë armëpushim si parakusht për negociata, thotë Fred Fleitz, nënkryetar i Institutit “America First Policy” dhe ish-zëvendësasistent i presidentit amerikan, Donald Trump, në vitin 2018.

Në një intervistë të dhënë më 20 qershor — përpara se Shtetet e Bashkuara të ndërmerrnin sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane — Fleitz i tha Radios Evropa e Lirë se veprimet ushtarake mund t’i shkaktojnë dëme serioze programit bërthamor të Iranit, i cili, sipas tij, është tashmë afër përftimit të armës bërthamore.

Your browser doesn’t support HTML5

Fleitz: Irani s'është në pozitë të vendosë kushte

Fleitz, i cili sherbeu edhe si shef i stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së në 2018, akuzoi agjencitë amerikane të inteligjencës se po e minimizojnë rrezikun për arsye politike dhe argumentoi se Irani ndodhet në një gjendje lufte faktike me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Megjithëse theksoi se ish-presidenti Donald Trump nuk e mbështet ndryshimin e regjimit si politikë zyrtare, Fleitz tha se rënia e udhëheqjes iraniane — nëse ndodh si pasojë e konfliktit — mund të mirëpritet nga populli iranian dhe komuniteti ndërkombëtar. Por, ai shprehu shqetësim për atë që mund të pasojë.

Radio Evropa e Lirë: Ministri i Jashtëm i Iranit insiston se nuk mund të ketë negociata për sa kohë që sulmet izraelite vazhdojnë. A është i domosdoshëm një armëpushim që palët të rikthehen në tryezën e bisedimeve?

Fleitz gjatë intervistës dhënë për Radion Evropa e Lirë.

Fred Fleitz: Irani nuk është në pozitë të bëjë kërkesa të tilla. Nëse Irani dëshiron t’i japë fund luftës, nëse dëshiron një marrëveshje që është në dobi të popullit të tij, duhet të fillojë të flasë tani dhe jo të vendosë kushte kundër Izraelit.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta ndalojë bombardimi me të vërtetë programin bërthamor të Iranit, apo thjesht rrezikon ta shtyjë përkohësisht pasurimin e uraniumit dhe të nxisë një konflikt më të gjerë?

Fred Fleitz: Do të jetë një goditje shumë e rëndë për programin. Makinat centrifugale kushtojnë miliarda dollarë. Është dashur vite që të ndërtohen. Teknologjia dhe njohuritë për t’i mbajtur në funksion janë humbur. Nëse Irani dëshiron të varfërojë edhe më tej popullin e vet duke e rindërtuar këtë program, kjo do të ishte një tragjedi. Shpresa ime është që ata do të zgjedhin një drejtim tjetër. Ndoshta kjo do ta vonojë ndërtimin e një bombe bërthamore nga Irani, por informacionet e fundit tregojnë se Irani tashmë ishte duke planifikuar të prodhonte armë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndodh nëse Irani hakmerret?

Fred Fleitz: Kjo është një pyetje që shumë njerëz në SHBA e bëjnë, por unë do të argumentoja se Irani është tashmë në luftë me Shtetet e Bashkuara. Irani ka tentuar të vrasë presidentin [amerikan, Donald] Trump. Unë besoj se ka qenë mbështetës i fuqishëm i sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Ka lëshuar raketa drejt Izraelit dy herë gjatë vitit 2024. Ky është një shtet rebel që është në luftë me SHBA-në, me Izraelin dhe me shumë shtete të tjera prej shumë kohësh.

Your browser doesn’t support HTML5

Trump për sulmin e SHBA-së në Iran: Sukses ushtarak spektakolar

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, ishte Izraeli që inicioi sulmet, në një kohë kur kishte negociata mes SHBA-së dhe Iranit.

Fred Fleitz: Izraeli vendosi që nuk mund të priste më gjatë, për shkak të përparimit të madh që kishte bërë programi bërthamor i Iranit.

Radio Evropa e Lirë: Nuk ka një qëndrim të unifikuar për qëllimin përfundimtar të Iranit. Inteligjenca amerikane ka thënë se Teherani ende nuk ka marrë vendim për të ndërtuar një bombë. Si e justifikoni këtë me ndërhyrje ushtarake?

Fred Fleitz: Inteligjenca amerikane për programin bërthamor të Iranit është politizuar prej kohësh. Faktet janë, dhe këtë e bëri të qartë dje drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, se Irani ka mbledhur të gjitha pjesët dhe teknologjinë që i duhen për të nisur menjëherë ndërtimin e një bombe. Ajo që po ndodh në thelb është se megjithëse Irani ndoshta tashmë ka një armë funksionale, nuk e ka pajisur ende me material bërthamor. Komuniteti i inteligjencës dëshiron të thotë se kjo nënkupton se Irani nuk ka një program armësh bërthamore dhe nuk ka vendosur të ndërtojë bombë. Mendoj se kjo është një analizë e pakuptimtë dhe është një mënyrë e të menduarit që agjencitë tona të inteligjencës duhet ta ndryshojnë.

Radio Evropa e Lirë: Por cilat janë provat konkrete që sipas jush tregojnë se Irani është pranë ndërtimit të një bombe bërthamore?

Fred Fleitz: Irani ka mbledhur 900 paund uranium të pasuruar U-235 në nivelin 60%. Kjo është e mjaftueshme për të pajisur me material bërthamor nëntë deri në dhjetë bomba. Një sasi e tillë uraniumi nuk ka qëllime paqësore. Ne e dimë që Irani ka të paktën tre plane për ndërtimin e bombës. Ne e dimë që Irani është i përfshirë në testime për të ndërtuar një armë bërthamore. Ne e dimë që Irani ka mashtruar në mënyrë të vazhdueshme në kuadër të marrëveshjes bërthamore [të arritur me fuqitë perëndimore më 2015] për të siguruar teknologji për ndërtimin e armës. E dimë gjithashtu që Irani i ka ndërtuar pothuajse të gjitha objektet e tij bërthamore në fshehtësi, përfshirë objektet në Natanz dhe në Fordo.

Objekti i Fordos, që është një qendër pasurimi thellë nën tokë, u zbulua nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore shumë kohë pasi kishte filluar të funksiononte. Kjo është një shkelje e detyrimeve që Irani ka sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Nëse programi bërthamor i Iranit është paqësor, pse po ndërton kaq shumë objekte të mëdha në fshehtësi, pa i deklaruar në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore?

Your browser doesn’t support HTML5

Pse centrali bërthamor iranian Fordo është aq i vështirë të shkatërrohet?

Radio Evropa e Lirë: Atëherë pse komuniteti i inteligjencës në SHBA heziton ta pranojë këtë, nëse është kështu?

Fred Fleitz: Sepse inteligjenca është politizuar. Është interesante që drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, aktualisht po shkarkon dhe transferon oficerë të lartë të inteligjencës që kanë përpiluar vlerësime të tilla, sepse ata kanë politizuar analizat e tyre për shumë vite.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Fleitz, për të kaluar në një çështje tjetër, a po konsiderohet ndërrimi i regjimit në Iran si një objektiv strategjik në Uashington dhe Jerusalem?

Fred Fleitz: Presidenti Trump nuk është i interesuar të ndjekë një politikë për ndërrim regjimi. Ai mendon se kjo është punë e popullit iranian. Kjo nuk ka shkuar mirë për SHBA-në në të kaluarën. Por, duke thënë këtë, nëse këto bombardime ndaj Iranit rrëzojnë këtë regjim, që ka varfëruar popullin dhe ka sjellë gjithë këtë shkatërrim mbi vendin e vet për një program bërthamor të pakuptimtë, mendoj se populli iranian dhe popujt e botës do të jenë mirënjohës.

SHIKONI EDHE: Trump: SHBA-ja nuk do ta vrasë Khamenein tani për tani

Radio Evropa e Lirë: Disa ekspertë paralajmërojnë se vdekja eventuale e liderit suprem iranian, ajatollah Ali Khameneit, nuk do të sjellë liberalizim, por mund të çojë drejt një regjimi më të ashpër ose të militarizuar. A e ndani këtë shqetësim?

Fred Fleitz: Po, jam i shqetësuar për këtë. Nuk e di se kush do ta udhëheqë Iranin nëse bie udhëheqësi suprem. Mendoj se kjo është një nga arsyet pse SHBA-ja duhet të qëndrojë jashtë politikave për ndërrim regjimi në këtë rast.

Konfliktet në Lindjen e Mesme

këtë rubrikë mund të gjeni lajme, intervista, analiza, infografika, video dhe përmbajtje tjetër lidhur me konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, luftës në Gazë dhe tensioneve të tjera rajonale.