Dronët ukrainas që po godasin arkën e luftës së Rusisë

Shtëllunga tymi në rafinerinë e naftës Kuibishev, në rajonin e Samarës në Rusi, që u godit nga dronët ukrainas në muajin gusht.

Fushata e Ukrainës e sulmeve me dronë me rreze të gjatë veprimi thellë brenda territorit rus, duke shënjestruar ndërtesat për prodhimin e naftës dhe gazit, veçse i ka shkaktuar armikut 10 për qind të kapacitetit të tij të rafinerive, sipas ekspertëve të industrisë. Dhe, Kievi është i përkushtuar që ta intensifikojë fushatën.

“Dhjetë për qind, nuk është një shifër e madhe”, tha Tatiana Mitrova nga Qendra për Politika të Energjisë Globale në Universitetin Columbia.

“Por, është diçka që fillon të ndihet me krizën e brendshme të karburantit rus, me uljen e eksporteve të produkteve të rafinuara të naftës dhe me tensionin e përgjithshëm brenda sektorit rus të naftës”.

Ukraina ka investuar shumë në teknologjinë e re të të dronëve me rreze të gjatë veprimi, duke prodhuar armë si droni Lyutiy, që është i aftë të bartë eksplozivë deri 2.000 kilometra larg nga vendi sekret nga ku lëshohet.

Por, njësitet ukrainase të dronëve kanë bërë përvojë sa i përket sulmeve me dhjetëra dronë përnjëherë, duke përdorur fluturake të lira pa pilot, FPV.

SHIKONI EDHE: Dronët e rinj rrisin fuqinë e Rusisë në Ukrainë

Përparimet teknologjike po i lejojnë aktualisht Kievit të godasë burime kyç ruse të naftës dhe gazit pothuajse në baza ditore.

Ukraina është gjithashtu e përkushtuar të godasë të njëjtat rafineri vazhdimisht, që është një strategji thelbësore, tha Mitrova, pasi Rusia ngarendë t’ rindërtojë ato dhe të riparojë dëmet.

SHIKONI EDHE:

Rusia thotë se Ukraina ka sulmuar një kompleks për përpunimin e naftësUkraina sulmon rafineri të naftës në RusiUkraina i vazhdon sulmet kundër objekteve infrastrukturore në RusiDigjet rafineria ruse e naftës pas sulmit më të madh ukrainas sivjet

Kievi ka goditur gjithashtu të paktën gjysmën e 38 komplekseve kryesore të prodhimit të Rusisë dhe e ka detyruar Rusinë të ulë përpunimin e naftës nga 5.4 milionë fuçi në ditë në korrik, në vetëm 5 milionë dy muaj më vonë.

Megjithatë, Mitrova theksoi se Rusia operon sistemin e tretë më të madh të rafinimit në botë dhe ka kapacitete të konsiderueshme rezervë.

“Mund të duhen vite derisa rezultati të bëhet vërtet i dukshëm”, tha ajo, “pra nuk po flasim për një kolaps të rafinimit rus së shpejti, por për shterimin e potencialit të tij, që në fakt veçse ka nisur”.

Your browser doesn’t support HTML5

A do ta ngadalësojnë sanksionet e reja amerikane luftën e Rusisë në Ukrainë?

Konsumatorët rusë e kanë ndier dhimbjen e mungesave të benzinës, teksa eksportet e benzinës janë ndaluar. Për më tepër, tha Mitrova, Rusia tani po eksporton më shumë naftë të papërpunuar dhe më pak produkte të rafinuara, gjë që ul ndjeshëm të ardhurat e saj nga eksportet.

Rëndësia e lëndëve fosile për ekonominë e Rusisë vështirë se mund të mbivlerësohet, pasi ato sjellin rreth 100 miliardë dollarë në vit. Megjithatë, kjo shifër është rreth 20 për qind më e ulët se një vit më parë, thonë analistët e industrisë në organizata si Qendra për Kërkimin mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër.

Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës, që pothuajse është në vitin e katërt, financohet në masë të madhe nga shitjet e gazit dhe naftës ruse jashtë vendit, gjë që e ka bërë këtë sektor cak të një vale gjithnjë në rritje sanksionesh nga SHBA-ja dhe BE-ja.

SHIKONI EDHE: BE-ja përballet me sfida në hartimin e sanksioneve të reja ndaj Rusisë

Por, do të ishte naive të mendohej se shënjestrimi i naftës dhe gazit rus, si në aspektin ekonomik ashtu edhe ushtarak, do të shkaktojë efekte të dukshme në terren, tha Mitrova, e cila theksoi se Ushtria ruse zakonisht është e para në radhë kur burimet janë të kufizuara.

Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ai beson se sulmet ndaj rafinerive ruse janë “sanksionet më efektive – ato që funksionojnë më së shpejti”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku