Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës

Dimal Basha, kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës të martën.

Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Basha i mori 73 vota për, 30 kundër, ndërsa tetë deputetë abstenuan.

Ai arriti t’i marrë votat e nevojshme falë votës së një pjesë të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe një pjese të pakicave.

🔴 Radio Evropa e Lirë po i mbulon drejtpërdrejt zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryeparlamentar:

Ndiqeni blogun tonë!

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lista Serbe votuan kundër.

PDK-ja ishte kritikuar që nuk e kishte votuar Bashën për kryetar të Kuvendit në seancën e kaluar, pasi ishte shprehur se do t'i votonte kandidatët e Vetëvendosjes që nuk ishin ministra në Qeverinë Kurti II.

Basha, tashmë nga posti i kryeparlamentarit, shpalli një pauzë njëorëshe, pas së cilës pritet të zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit. Me zgjedhjen e tyre, Kuvendi konsiderohet i konstituuar dhe i hapet rruga formimit të qeverisë.

Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit e votuan kryetarin e Kuvendit në përpjekjen e 58-të të tyre.

Kush është Dimal Basha?

Sipas biografisë së publikuar në uebfaqen e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.

Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në Nju Jork, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”

Basha, gjithashtu, ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri”, në Universitetin “The New School University”, po ashtu në Nju Jork.

Në politikë, ai ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate dhe tashmë është zgjedhur për herë të tretë.

Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.

Ekspertët e medias e konsiderojnë ndër sulmuesit më të mëdhenj të gazetarëve dhe aktivistëve në Kosovë.

Në fjalimin e tij të parë pasi u zgjodh në krye të organit ligjvënës, Basha foli për përgjegjësinë që ndien, rëndësinë e Kuvendit dhe u bëri thirrje deputetëve për bashkëpunim.

“Derisa ndiej nderin dhe mirënjohjen për votën tuaj, ndiej edhe përgjegjësinë e madhe që më është besuar. Kuvendi është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve”, tha Basha.

Ai theksoi se Kosova “është e ndërtuar mbi sakrifica dhe mbi besimin e përbashkët se liria dhe shteti jonë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica të panumërta: mbi gjakun, mundin dhe qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se vetë jeta e tyre”.

“Një përulje dhe falënderim nga zemra u takon grave, vajza, pra nënave dhe motrave tona, të cilat brez pas brezi sakrifikuan, rritën, punuan në heshtje dhe ofruan dashuri dhe përkushtim. Ato ishin dhe mbesin themeli i një shoqërie të shëndoshë që ne e gëzojmë”, nënvizoi Basha.

Ai shtoi se mbrojtja e Kosovës duhet të jetë detyrë e të gjithëve, pushtetit dhe opozitës, pavarësisht se ai pret dallime të mëdha mes partive, sepse “jetojmë në një demokraci”.

“Ju bëj thirrje për bashkëpunim. Është koha të dëshmojmë se pavarësisht dallimeve politike, ne e kemi guximin dhe mençurinë për të punuar së bashku për interesin më të lartë për vendin tonë”, theksoi ai.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Serbisë ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Basha u zgjodh pas disa dështimesh pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht, i cili i urdhëron deputetët ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati 30-ditor.

Në tri seancat e kaluara, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje – të cilës i takon të propozojë kandidat për kryeparlamentar – i kishte hedhur pesë kandidatë në votim, por asnjëri prej tyre nuk i kishte marrë të paktën 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

Asnjëri prej Albulena Haxhiut, Hekuran Muratit, Arbërie Nagavcit, Donika Gërvallës, Dimal Bashës, nuk ia kanë dalë t’i marrin më shumë se 57 vota.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, theksoi se partia e tij votoi për të zhbllokuar situatën e konstituimit të Kuvendit.

“Në një situatë normale, në një botë paralele, asnjëherë nuk do të votonim dikë si Dimali [Basha] në krye të Kuvendit. Por, sot kemi votuar për të zhbllokuar situatën”.

Ai tha se nuk beson që as deputetët e Vetëvendosjes janë të lumtur me zgjedhjen e Dimal Bashës për kryeparlamentar, por se kjo ishte zgjedhja e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

“Shpresoj shumë që sot do të zgjedhim edhe nënkryetarët, në mënyrë që ta konstituojmë Kuvendin dhe të hyjmë në afatet kushtetuese", tha Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar zgjedhjen e Dimal Bashës kryeparlamentar si “një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj”.

“Kosova, siç se kishim menduar asnjëherë”, shkroi ai në Facebook.

Abdixhiku tha se Basha “përfaqëson nivelin e tyre”.

“Kështu e projektojnë Republikën. Me këto vlera kanë zgjedhur të nderojnë dhe votuesit e popullin e Kosovës”, shtoi ai.

LDK-ja e Abdixhikut votoi kundër Bashës.

“Kosova duhet të aspirojë lartë. Aksidentet politike e triumfet e injorancës historike do të kapërcejnë. Dritë një ditë do të ketë”, përfundoi ai.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, tha pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryeparlamentar se partia e saj kishte vullnet të lirë për ta mbështetur atë, por jo të gjithë votuan njësoj.

“Do të shohim se si do të zhvillohet seanca në vazhdim”, tha ajo.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje se është vonuar në themelimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 4 shkurtit, duke thënë se ajo duhet të shpjegohet para qytetarëve.

Limaj, i cili votoi kundër Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit, tha pasi Basha u zgjodh: “Ishte votim pa marrëveshje politike, këtë kanë mundur ta bëjnë qysh në ditën e parë. Shpresoj se do ta kenë një shpjegim para qytetarëve të Kosovës”. Lista Serbe shkroi në Facebook se ka votuar kundër Bashës, “për shkak të qëndrimit të tij antiserb, të cilin e përsëriti edhe në seancën e sotme të Kuvendit në Prishtinë, duke përdorur kualifikimet më të rënda ndaj popullit dhe shtetit serb”.

Në fjalimin që mbajti pas zgjedhjes si kryetar i parlamentit, Basha – sipas Listës Serbe – "tregoi se nuk është dikush që mund të bashkojë deputetët, pasi më shumë se gjysmën e fjalimit të tij ia kushtoi ofendimeve në adresë të popullit serb".

Këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, tha se Dimal Basha është një ndër sulmuesit më të mëdhenj të gazetarëve dhe të aktivistëve në Kosovë.

“Uroj që marrja e pozitës së re do të ndikojë sadopak që Basha të përmbahet dhe të menaxhojë më mirë mosdurimin e tij dhe të partisë së tij ndaj pushtetit të katërt”, shkroi Kusari në Facebook.

Analisti Imer Mushkolaj tha se "për mirë a keq dhe me kosto politike, PDK e zhbllokoi situatën".

Ai kritikoi kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, për deklaratën e tij se "ka fituar injoranca".

"Pse Lumir nuk dhe kontribut me e pengu këtë situatë, pse e lejove "fitoren e injorancës"? Si parti "institucionaliste", LDK e ka pasë mundësinë me vepru, por nuk ka dashtë. Tash kryetari po vajton. Dobët, shumë dobët".

Si nisi ngërçi politik?

Seanca konstituive nisi më 15 prill. Por, ajo deri të martën e 26 gushtit nuk ishte përmbyllur për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike mes partive politike, pasi asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.

Pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, disa herë dështoi të zgjidhej në krye të organit ligjvënës në gjashtë votime të hapura, Dehari më 1 maj ndryshoi rendin e ditës.

Ai më pas kërkoi nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe që të propozonin nga një anëtar për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin.

Kjo u kundërshtua nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, të cilat refuzuan që të propozonin anëtar për këtë Komision.

Fillimisht, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu drejtua Kushtetueses për çështjen e ngërçit. Gjykata u përgjigj më 26 qershor, duke thënë se votimi duhej të bëhej sipas praktikave të deritanishme. Ajo u dha deputetëve 30 ditë afat ta përmbyllnin procesin e konstituimit, por ky afat u shpërfill.

SHIKONI EDHE: Konstituimi i Kuvendit – pse është urgjencë shtetërore për Kosovën?

Në ndërkohë, PDK-ja dhe LDK-ja, dorëzuan lëndë të ndara për çështjen e votimit të kryeparlamentarit.

Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme nga 27 qershori deri më 8 gusht, duke ua ndaluar deputetëve që të ndërmerrnin vendime dhe veprime për konstituimin e Kuvendit.

Më 8 gusht, Kushtetuesja njoftoi për vendimin për dy lëndët e paraqitura - aktgjykimin e plotë të të cilit e publikoi më 18 gusht - përmes së cilit tha se ndryshimi i rendit të ditës ishte shkelje, duke obliguar Kuvendit që t'i kthehet votimit të hapur.

Asnjëra nga subjektet nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të bërë vet shumicën dhe po ashtu nuk është arritur një marrëveshje politike.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.