Çfarë po ndodh në frontin e luftës në Ukrainë?

Brigada e 15-të Kara-Dag e Gardës Kombëtare të Ukrainës duke sulmuar drejt pozicioneve ruse në Kupjansk, në maj të vitit 2025.

Shkurtimisht

  • Forcat ukrainase rimorën Kupjanskun në vitin 2022, por tani qyteti është në prag të rimarrjes nga Rusia.
  • Rusia ka pësuar mbi 1 milion viktima, ndërsa Ukraina rreth 400 mijë.
  • Situata në vijat e frontit mbetet kritike, me infiltrime ruse dhe taktika të këmbësorisë që po sfidojnë mbrojtjet ukrainase.

Forcat ukrainase thyen mbrojtjet e rusëve të papërgatitur në shtator të vitit 2022, duke përparuar në veri, lindje dhe jug të rajonit të Harkivit, arritën deri te lumi Oskil dhe rimorën qytetin kyç të Kupjanskut.

Ky ishte një moment kulmor për Ukrainën, por edhe shpërfaqi guximin ukrainas dhe ishte simptomë e kaosit në mesin e rusëve.

Tre vjet më vonë, Kupjansku është në prag të rimarrjes nga Rusia. Këtë herë, situata pasqyron vështirësitë me të cilat po përballen ukrainasit, po është dëshmi edhe e vendosmërisë ruse – dhe gatishmërisë së Kremlinit për të shpërfillur humbjet e mëdha në njerëz.

Ndërsa vitit të katërt të luftës së Rusisë kundër Ukrainës po i afrohet fundi, situata përgjatë vijës së frontit të gjatë 1.100 kilometra ngjan me gjendjen që ishte në fillim.

Rusia ka pësuar më shumë se 1 milion viktima deri më tani, me të paktën një të katërtën e këtij numri që vlerësohet se janë vrarë, sipas shefit të spiunazhit të Britanisë. Humbjet e Ukrainës janë më të pakta, por duke pasur parasysh madhësinë e popullsisë së saj, Kievi ka pësuar humbje më të mëdha: rreth 400 mijë viktima dhe të paktën 100 mijë prej tyre që janë vrarë.

“Ne jemi në një luftë rraskapitëse”, tha Thibault Fouillet, ekspert ushtarak dhe zëvendësdrejtor i Institutit francez për Studime Strategjike dhe të Mbrojtjes. “Faktori vendimtar është vetëm aftësia për të duruar, për të mposhtur me durim potencialin e armikut, gjithçka do të jetë kumulative, e jo një goditje vendimtare”.

Në mungesë të një kthese të madhe, rënia e Kupjanskut mund të përkojë me fillimin e shirave të vjeshtës dhe motit të ftohtë. Për forcat ukrainase ky do të jetë një epilog demoralizues 44 muaj pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Your browser doesn’t support HTML5

Civilët ukrainas evakuohen nga Kupjansku nën sulmet e dronëve rusë

Në këtë tekst mund të mësoni se si qëndron situata në frontin e luftës në Ukrainë:

Kupjansk

Të pozicionuar kryesisht në brigjet lindore të lumit Oskil, trupat ruse kanë përparuar ngadalë drejt veriut për muaj me radhë, pasi komandantët kanë vendosur të prioritizojnë lokacione të tjera përgjatë frontit.

Qyteti i Kupjanskut ka një linjë të rëndësishme të hekurudhës që u mundëson forcave ukrainase të furnizojnë pozicionet e tyre nga Harkivi – qyteti i dytë më i madh në Ukrainë.

Në fillim të shtatorit, forcat ruse përdorën pjesë të rrjetit nëntokësor të tubacioneve të gazit, duke u zhvendosur disa kilometra nën tokë, nën lumin Oskil, për të anashkaluar pozicionet ukrainase në periferitë veriore të Kupjanskut.

Kjo ishte të paktën hera e tretë që trupat ruse realizonin një pritë përmes tuneleve.

SHIKONI EDHE: Si po rekruton Rusia agjentë në rrjete sociale për sabotime në SHBA dhe Evropë

Më vonë, forcat ukrainase thanë se shkatërruan tubacionin dhe vranë ose kapën dhjetëra trupa ruse. Por, ata po ashtu pranuan se një numër i panjohur i ushtarëve rusë kishin arritur të depërtonin dhe të fshiheshin nëpër zonën përreth.

“Armiku nuk po kryen operacione sulmuese. Ata po infiltrojnë personelin e tyre. Ata nuk po tentojnë që t’ua mësyjnë pozicioneve tona. Ata thjesht po i anashkalojnë ato dhe po përpiqen të fusin veten në qytet”, tha javën e kaluar për Current Time, Vitaliy Shum, shef i grupit stërvitor të Batalionit 151 të Zbulimit dhe Sulmit të Korpusit të 10-të të Ushtrisë. “Kjo zonë është malore, me shumë pemë. Dhe, kur ka një hendek mes pozicioneve tona, ata përpiqen të shtyjnë personelin e tyre përmes tij”.

Sipas Deep State, një grup që monitoron fushëbetejën dhe që ka lidhje me ushtrinë ukrainase, forcat ruse kanë hyrë në disa qarqe në veri të Kupjanskut. Dhe, zyrtarët rusë pretendojnë se komandantët ukrainas tashmë kanë ridislokuar trupa për të mos lejuar që qyteti të bjerë.

“Situata është kritike, armiku është ende në qytet. Ka grupe sabotuese dhe të zbulimit në qytet dhe forcat tona speciale po kryejnë operacione kundër sabotimit”, tha, Andriy Besedin, kreu i administratës ushtarake rajonale në televizionin shtetëror ukrainas, më 28 shtator

Pokrovsku dhe Dobropillja

Rreth katër orë me makinë më në jug në rajonin e Donjeckut, Pokrovsku – një qytet më i madh ku kalojnë rrugë të rëndësishme dhe hekurudha – ka qenë nën kërcënimin e rrethimit nga forcat ruse në pjesën më të madhe të vitit.

Rruga që përdoret për furnizim kalon përgjatë një autostrade që shtrihet drejt zonës metropolitane të Dnipros, 180 kilometra larg. Kjo rrugë u bë e rrezikshme për kalim më herët gjatë këtij viti pasi forcat ruse përparuan në fshatin Kotline, në jugperëndim.

“Forcat ruse janë nën presionin e kohës për shkak të përkeqësimit të motit si dhe për shkak të imperativëve politikë të Kremlinit”, shkroi në një analizë të publikuar së voni, Lawrence Freedman, profesor emeritus i studimeve të luftës në Kolegjin e Mbretit të Londrës. Rusia “e ka pasur në cak për më shumë se një vit. Edhe nëse nuk mund të përmbushin afatet ambicioze të [presidentit rus, Vladimir] Putinit, marrja e Pokrovskut do t’u jepte diçka që të mburreshin për përpjekjet e këtij viti”.

Moti gjatë ditëve të fundit – veçanërisht erërat e forta – e kanë bërë më të vështirë për njësitë e dronëve, si të ukrainasve ashtu edhe të rusëve, që të operojnë në zonën e Pokrovskut, sipas Maksym Bakulin, zyrtar për media i Brigadës së 14-të Operacionale të Gardës Kombëtare.

SHIKONI EDHE: Pse Rusia e do me ngulm Pokrovskun e Ukrainës?

Situata në verilindje të Pokrovskut është më problematike për ukrainasit.

Në fillim të gushtit, një numër i panjohur i njësish të vogla ruse depërtuan nëpër mbrojtjet e dobëta ukrainase në lindje të qytezës Dobropillja.

Kjo nxori në pah se sa të shpërndara dhe sa mungesë stafi kanë mbrojtjet ukrainase, por po ashtu edhe taktikat mbi të cilat komandantët rusë janë mbështetur gjatë vitit 2025: dërgojnë njësite të vogla, ndonjëherë me një ose dy ushtarë, duke përdorur motoçikleta ose mjete për terrene të vështira, për të kaluar shpejt ose për të shmangur llogoret ukrainase dhe më pas vendosen aty derisa Rusia të mund të dërgojë forca të tjera ose të përdorë dronë artilerie për të sulmuar mbrojtjet aty pranë.

SHIKONI EDHE:

Zmbrapsja e Rusisë: Ushtarët e kapur nga Ukraina flasin për humbje të mëdhaKundërsulmet ukrainase frenojnë rusët, por civilët vazhdojnë të pësojnë

Kjo, gjithashtu, detyroi komandantët të ridislokojnë trupa nga disa nga njësitë ukrainase që kanë qenë më të përfshirë në luftime përfshirë Brigadën e 3-të të Sulmeve të Ndara.

“Metoda kryesore e veprimit të forcave ruse janë grupet e vogla të këmbësorisë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Denys Popovych, vëzhgues ushtarak ukrainas. “Është një proces infiltrimi, hyjnë brenda dhe më pas krijojnë hapësira të cilat më pas në to tërheqin armikun”.

“Ata krijojnë ‘zona të vdekjes’ ku gjithçka shkatërrohet”, shtoi ai për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë.

Që nga depërtimi, megjithatë, forcat ukrainase kanë arritur të rrethojnë një numër të panjohur të trupave ruse. Në disa raste, ekspertët vënë në pah se vijat mbrojtëse dhe sulmuese po ngatërrohen në mënyrë të rrezikshme, me ushtarët në frontin e luftës që nuk po mund të kuptojnë se ku ndodhen pozicionet e armikut.

Kapiteni Viktor Trehubov, zëdhënës i komandës rajonale të Dnipros, tha për televizionin shtetëror ukrainase se njësitë ruse, që qëndrojnë prapa vijave të frontit, nuk kanë mundur të furnizojnë njësitë që kishin arritur të dilnin prapa vijave mbrojtëse ukrainase.

“Zorrët” ruse, tha Trehubov, tani “po priten dhe shqyhen” nga trupat ruse.

Zaporizhja

Më në jugperëndim, vijat e frontit në jug të qytetit të Zaporizhjës gjerësisht kanë mbetur pa lëvizur përgjatë vitit 2025, sikurse nuk kishin ndryshuar shumë edhe në dy vjetët e mëparshëm.

Gjatë verës, zyrtarët ukrainas raportuan një rritje të përdorimit të taktikave të infiltrimit, përsëri duke përdorur motoçikleta dhe mjete për terrene të vështira, si dhe njësitë e dronëve.

“Nuk kemi parë këtë nivel aktiviteti gjatë tre vjetëve të fundit”, tha një komandant batalioni nga Brigada e 65-të e Mekanizuar për kanalin online, Espreso TV në korrik. Ai u prezantua me nofkën “Forest”, në përputhje me protokollet ushtarake.

SHIKONI EDHE: Ukraina përballet me kaos në fushëbetejë dhe përçarje në politikë

Në fillim të shtatorit, komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskiy, tha se trupat ukrainase kishin penguar një ofensivë të planifikuar në shkallë të madhe në Zaporizhja, dhe komandantët rusë ridislokuan këmbësorinë detare dhe njësitë e tjera drejt lindjes, në rajonin e Donjeckut.

Përgatiti: Mimoza Sadiku