Shkurtimisht
- Anastasia Ignatova, një pedagoge ruse, u përfshi në kalendarin Pirelli 2017, përkrah yjeve të Hollivudit.
- Ignatova është vajza e gruas së Chemezovit, kreut të Rostecut dhe mikut të ngushtë të Putinit, i cili është nën sanksione të BE-së që prej 2014.
- BE-ja ka zgjatur sanksionet ndaj Ignatovës deri në 2026, duke përdorur përfshirjen e saj në kalendar si provë të lidhjeve me Chemezovin.
Nicole Kidman, Penelope Cruz, Uma Thurman, Kate Winslet.
Dhe Anastasia Ignatova?
Në vitin 2017, Ignatova ishte e vetmja grua as aktore e as e famshme që u përfshi në kalendarin artistik vjetor të kompanisë italiane të gomave, Pirelli, duke u shfaqur përkrah yjeve të Hollivudit të përmendura më sipër dhe të tjerëve, përfshirë Alicia Wikander, Julianne Moore, Helen Mirren dhe Leya Seydoux.
Pak e njohur për njerëzit në Rusi dhe jashtë saj, Ignatova është thjeshtra, apo vajza e gruas, së Sergei Chemezov, kreut të konglomeratit gjigant shtetëror Rostec – prodhuesit të armëve të përdorura në luftën e Rusisë kundër Ukrainës – dhe mikut të ngushtë të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Bashkimi Evropian tani po e përdor përfshirjen e Ignatovës në këtë kalendar si provë shtesë për ta mbështetur vendimin e tij për të mos i hequr sanksionet e vendosura ndaj saj në prill të vitit 2022 për shkak të pushtimit të Ukrainës, ka zbuluar njësia hulumtuese ruse e Radios Evropa e Lirë, Systema.
SHIKONI EDHE: BE-ja shqyrton propozimet për sanksione të reja kundër Rusisë teksa Trump kërkon të mos blihet nafta ruseIgnatova po i kundërshton këto sanksione në gjykatën e BE-së, duke argumentuar se ajo nuk përfiton nga pasuritë e mëdha të kontrolluara nga njerku i saj, Chemezov, i cili është nën sanksione të BE-së që prej vitit 2014 për cenimin e integritetit territorial të Ukrainës.
“Arsyeja e vetme e mundshme”
Këshilli i Bashkimit Evropian nuk pajtohet.
Në një letër drejtuar avokatëve të Ignatovës, që Systema e ka parë, Këshilli i BE-së i referohet kalendarit si një nga disa provat se ajo përfiton nga lidhjet me Chemezovin.
Një partneritet i asaj kohe mes Pirellit dhe Rostec ishte “arsyeja e vetme e mundshme” për përfshirjen e Ignatovës në kalendar, thuhej në letër. Përfshirja e saj “[hedh] dritë mbi lidhjen e ngushtë” mes saj dhe Chemezovit.
Kalendarët zakonisht paraqesin “njerëz të famshëm që i përkasin showbiz-it global dhe sigurisht jo pedagogeve universitare”, shtohej më tej.
Në faqen zyrtare të kalendarit, Ignatova përshkruhej si profesoreshë e teorisë politike në Universitetin Shtetëror të Moskës dhe “mysafire e posaçme” që fotografi Peter Lindbergh e kishte njohur në vitin 2015.
Ignatova dhe Pirelli nuk iu përgjigjën kërkesës së Systemas për koment.
Bashkimi Evropian u pajtua këtë muaj për ta zgjatur ndalimin e vizave dhe ngrirjen e aseteve për Ignatovën dhe mbi 2.600 persona e entitete të tjera deri në mes të marsit 2026.
Putini dhe Chemezov në Dresden
Në letrën e parë nga Systema, Këshilli i BE-së përmend tri asete që, sipas tij, tregojnë se Ignatova ka përfituar nga lidhjet me Chemezovin: një kompani në Belize e quajtur Elsamex; një vilë në Marbella të Spanjës; dhe një superjaht prej 130 milionë dollarësh, Valerie, për të cilin avokatët e Ignatovës pretendojnë se është shitur.
Këshilli i BE-së shprehu dyshime për këtë pretendim.
Ignatova, 38-vjeçare, është vajza e gruas së Chemezovit, Jekaterina Ignatova, nga martesa e saj e parë.
Ajo diplomoi në magjistraturë në shkencat politike në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës në vitin 2013 dhe ka mbajtur ligjërata atje. Ignatova është bashkautore në një monografi mbi “politikën shtetërore në fushën e teknologjisë së lartë”, në të cilën Chemezov është i listuar si redaktor.
SHIKONI EDHE: A ka BE-ja ende mjete efektive për t'i shkaktuar dhimbje Rusisë?Në vitin 2017, Ignatova u bë drejtoreshë e një kompanie të quajtur Farmapt, e cila, sipas regjistrit tregtar, nuk ka punonjës të tjerë. Ajo është gjithashtu e përfshirë në një kompani që zotëronte prona në Moskë me vlerë 7 milionë dollarë në vitin 2020.
Chemezov, 72-vjeçar, është shef ekzekutiv i Rostec që nga viti 2007.
Ai ka qenë mik i ngushtë i Putinit që nga koha kur shërbenin si oficerë të KGB-së sovjetike në Gjermaninë Lindore komuniste gjatë viteve ‘80, ku banonin në të njëjtin pallat në Dresden.
Në vitin 1996, kur Putini u bë zëvendësshef i kabinetit të presidentit Boris Jelcin, ai e emëroi Chemezovin drejtor të departamentit të Kremlinit për marrëdhënie ekonomike me jashtë.
Chemezov ka mbështetur pushtimin e Ukrainës dhe ka përsëritur narrativat e Putinit në deklaratat publike, duke i akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë se kanë provokuar konfliktin dhe duke thënë se ata rrezikojnë të nxisin luftë botërore.