Tahiri: Fitorja është e të gjithëve
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicën e Jugut, Arian Tahiri, shpalli fitoren në këtë komunë, duke premtuar se prioritet do të ketë qytetarët.
“Nuk është fitorja vetëm e imja. Është fitore e Mitrovicës. Për mua secili qytetarët i Mitrovicës është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër”, tha ai në ngjarjen e organizuar në palestrën Minatori.
Me 91.43 për qind të votave të numëruara, Tahiri prin me 47.92 për qind. I dyti është Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje me 47.81 për qind.
Sipas disa exit poll-eve të publikuara më herët, Tahiri parashihet të fitojë garën pa balotazh.
Vuçiq uron Listën Serbe “për fitoren” në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka uruar “për fitoren” Listën Serbe – partinë kryesore të serbëve në Kosovë që Beogradi e mbështet.
“Edhe një fitore tjetër… Urime Listës Serbe dhe njerëzve tanë të palodhur në Zyrën për Kosovën”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Sipas të dhënave preliminare, Lista Serbe pritet të fitojë në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë në rundin e parë. Përjashtim këtu bën Kllokoti, ku pas 87.50 për qind të votave të numëruara, kandidati për kryetar i Listës Serbe prin me 43.26 për qind të votave.
Mitrovica e Jugut drejt balotazhit
Me 98.10 për qind të votave të numëruara, Mitrovica e Jugut duket se do të zgjedhë kryetarin e ri në rundin e balotazhit.
Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës po prin me 48.09 për qind të votave, pasuar nga Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje me 47.65 për qind.
Exit poll-et e publikuara nga disa televizione në Kosovë parashikuan që këtë komunë do ta fitonte PDK-ja pa balotazh.