Lista Serbe shpall fitoren në Graçanicë
Lista Serbe ka shpallur fitore në Graçanicë, komunë në afërsi të Prishtinës. Nga kjo listë thanë se kandidati i saj, Novak Zhiviq, ka marrë 7.115 vota.
“E kemi dëshmuar unitetin, bashkimin dhe përgjegjësinë ndaj partisë, shtetit dhe popullit tonë”, tha Zhiviq gjatë një konference për media në Graçanicë, në selinë e Listës Serbe.
"Dua të theksoj se shteti i Serbisë do të jetë i pranishëm edhe më shumë dhe edhe më fuqishëm në Kosovë dhe në Graçanicë, së bashku me ju, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë", shtoi ai.
Sipas rezultateve preliminare, në këtë komunë janë numëruar 88.24 për qind të votave dhe Zhiviq ka 61.88 për qind të votave. I dyti është Leutrim Ajeti nga Aleanca Shqiptare me 25.61 për qind.
LVV-ja shpall fitoren në Gjilan
Kryetari aktual i Gjilanit, Alban Hyseni, nga Lëvizja Vetëvendosje shpalli fitoren në këtë komunë.
Ai e cilësoi si “fitore historike”.
Sipas tij, me informacionet që kanë marrë nga komisionerët, por edhe me votat nga diaspora që do të numërohen më vonë, “na nxjerrin fitues të padiskutueshëm”.
Në këtë komunë, deri më tani janë numëruar 93.23 për qind të votave. Hyseni del i pari me 49.80 për qind të votave, pasuar nga Arbër Ismajli nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 34.31 për qind.
Kllokoti shkon në balotazh
Komuna e Kllokotit – një nga dhjetë komunat në Kosovë të banuara me shumicë serbe – do të zgjedhë kreun e ri në rundin e balotazhit më 9 nëntor.
Bozhidar Dejanoviq i Listës Serbe – që fitoi 41.62 për qind të votave – do të përballet në rundin e dytë me Sreçko Spasiq nga Uniteti Kombëtar Serbe, që fitoi 31.43 për qind të votave.
Në lajmin më poshtë, mësoni më shumë detaje se në cilat komuna do të ketë balotazh:
Lista Serbe shpall “fitore bindëse” në komunat me shumicë serbe
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi të dielën mbrëma në Mitrovicën e Veriut se Lista Serbe ka shënuar “fitore bindëse”.
Kjo listë ka fituar në nëntë nga dhjetë komunat të banuara me shumicë serbe, përfshirë katër në veri të Kosovës, në krye të të cilave deri më tani kanë qenë kryetarë shqiptarë, pasi Lista Serbe doli nga institucionet kosovare dhe bojkotoi zgjedhjet në veri.
“Kjo nuk është vetëm fitorja e Listës Serbe, kjo është fitorja e popullit serb, e unitetit dhe e bashkimit serb dhe e gjithçkaje që është serbe në Kosovë", tha Ellek.
Ai falënderoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeverinë e Serbisë për mbështetjen.
Më herët, Vuçiq e uroi Listën Serbe për fitoren në zgjedhjet lokale në Kosovë.