Kurteshi: Serbët e veriut votuan të organizuar
Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tha se Lista Serbe ka organizuar një tubim të madh në raport me numrin e banorëve në veri.
Ai tha se serbët e Mitrovicës së Veriut kanë shkuar në vendvotime në mënyrë të organizuar.
“Korridoret dhe qendrat e votimit janë bllokuar qëllimisht për të shkaktuar probleme dhe incidente”, tha Kurteshi gjatë konferencës për media të KQZ-së, që nisi në orën 11:30.
Kurteshi kritikoi gjithashtu raportimet e mediave serbe për zgjedhjet lokale, duke thënë se ato “kanë shkelur kodin e mirësjelljes dhe kanë përdorur gjuhë urrejtjeje”.
Përndryshe, edhe në proceset e mëparshme zgjedhore ka qenë praktikë që punonjësit në institucionet e Serbisë në Kosovë, të votojnë në mënyrë kolektive.
Pamje nga procesi i votimit në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan
Vuçiq: Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje më e lartë se e shqiptarëve
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se “shqiptarët janë shumë nervozë” për shkak të “pjesëmarrjes së madhe në zgjedhje” në mjediset me shumicë serbe.
“Deri në orën 10:00, pjesëmarrja ishte më e madhe në mjediset serbe sesa në ato shqiptare. Shpresoj në fitoren e Listës Serbe, shpresoj që një pjesë e pushtetit të mund të kthehet në duart e saj”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.
Ai nuk sqaroi se në cilat të dhëna është bazuar.
Sipas Vuçiqit, shqiptarët nga të gjitha zonat - nga Tirana dhe Prishtina deri në Preshevë dhe Bujanoc - janë “dehur pas fitores së mbrëmshme” të kombëtares së futbollit të Shqipërisë ndaj Serbisë, në Leskovc.
“Do të doja që sonte të ketë një festë më të rëndësishme në komunitetet serbe në Kosovë, krahasuar me atë festë”, tha Vuçiq.