Ndërlidhjet

Zgjedhjet lokale: 21 komuna i zgjodhën kryetarët, 17 shkojnë në balotazh

• Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. KQZ-ja njoftoi se pjesëmarrja në votime ishte 40 për qind.

• Të drejtë vote kishin 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

23:35 12.10.2025

Kreu i KQZ-së: Besojmë se brenda javës do të përfundojë procesi i numërimit të votave

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se beson që procesi i numërimit të votave për rundin e parë të zgjedhjeve lokale do të kryhet brenda javës.

Në një konferencë për media, ai njoftoi se nesër, nga ora 12:00, dhe në disa vende edhe në orën 16:00, Qendrat komunale të Numërimit do të nisin numërimin e votave për kuvendet komunale në 38 komuna.

Radoniqi tha se pret që ky proces të përmbyllet brenda “dy-tre ditësh” dhe më pas do të vazhdohet me numërimin e votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe nga diaspora.

“Besojmë fuqishëm që brenda kësaj jave do të përfundojë procesi i numërimit”, tha ai.

23:28 12.10.2025

Lista Serbe shpall “fitore bindëse” në komunat me shumicë serbe

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi të dielën mbrëma në Mitrovicën e Veriut se Lista Serbe ka shënuar “fitore bindëse”.

Kjo listë ka fituar në nëntë nga dhjetë komunat të banuara me shumicë serbe, përfshirë katër në veri të Kosovës, në krye të të cilave deri më tani kanë qenë kryetarë shqiptarë, pasi Lista Serbe doli nga institucionet kosovare dhe bojkotoi zgjedhjet në veri.

“Kjo nuk është vetëm fitorja e Listës Serbe, kjo është fitorja e popullit serb, e unitetit dhe e bashkimit serb dhe e gjithçkaje që është serbe në Kosovë", tha Ellek.

Ai falënderoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeverinë e Serbisë për mbështetjen.

Më herët, Vuçiq e uroi Listën Serbe për fitoren në zgjedhjet lokale në Kosovë.

Zllatan Ellek dhe eksponentë të Listës Serb gjatë konferencës për media në Mitrovicë të Veriut.
Zllatan Ellek dhe eksponentë të Listës Serb gjatë konferencës për media në Mitrovicë të Veriut.
23:25 12.10.2025

Kllokoti shkon në balotazh

Komuna e Kllokotit – një nga dhjetë komunat në Kosovë të banuara me shumicë serbe – do të zgjedhë kreun e ri në rundin e balotazhit më 9 nëntor.

Bozhidar Dejanoviq i Listës Serbe – që fitoi 41.62 për qind të votave – do të përballet në rundin e dytë me Sreçko Spasiq nga Uniteti Kombëtar Serbe, që fitoi 31.43 për qind të votave.

Në lajmin më poshtë, mësoni më shumë detaje se në cilat komuna do të ketë balotazh:


23:05 12.10.2025

LVV-ja shpall fitoren në Gjilan

Kryetari aktual i Gjilanit, Alban Hyseni, nga Lëvizja Vetëvendosje shpalli fitoren në këtë komunë.

Ai e cilësoi si “fitore historike”.

Sipas tij, me informacionet që kanë marrë nga komisionerët, por edhe me votat nga diaspora që do të numërohen më vonë, “na nxjerrin fitues të padiskutueshëm”.

Në këtë komunë, deri më tani janë numëruar 93.23 për qind të votave. Hyseni del i pari me 49.80 për qind të votave, pasuar nga Arbër Ismajli nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 34.31 për qind.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG